27-vjetori, Leo Mesi: Dua Kupën e Botës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2014 | 16:15

27-vjetori, Leo Mesi: Dua Kupën e Botës

MesiLionel Mesi ka festuar dje 27-vjetorin e tij, ku një dhuratë speciale ka ardhur nga kompania gjermane e veshjeve sportive, “Adidas”. Këta të fundit i kanë dhuruar një palë atlete të reja të personalizuara, ku brenda tyre shkruhej: “Gëzuar ditëlindjen”, një gjest që “pleshti” e ka vlerësuar shumë dhe me to do të luajë sot në fushë kundër Nigerisë. Por dhurata më e bukur i ka ardhur nga e fejuara e tij, Antonela Rokuzo, e cila i ka dërguar një video “idhullit” të saj, ku parakalojnë disa foto të tyre familjare, nën “titrat”: “Gëzuar ditëlindjen dashuria ime. Shpresoj që kjo ditëlindje të jetë më e bukur në këtë Botëror”. Edhe pse numri 10 i formacionit të Alehandro Sabejas i ka vlerësuar të gjitha këto dhurata, ai kërkon që më të bukurën t’ia bëjë rrugëtimi në Kupën e Botës: “E fejuara ime, shokët e ekipit dhe stafi teknik, por edhe tifozët nga jashtë qendrës sonë të grumbullimit kanë qenë të magjishëm me mua, por gjithsesi, dhuratën më të bukur pres të ma dhurojë ky Botëror. Dhurata ime perfekte është Kupa e Botës, një trofe që më mungon mua, por i mungon prej shumë kohësh edhe të gjithë popullit argjentinas. Gjithsesi, rrugëtimi ynë sapo ka nisur, ndaj për të shkuar deri në finale duhet të mendojmë hap pas hapi. Pas dy fitoreve të para, pres një tjetër sukses kundër Nigerisë, i cili do na katapultonte në krye të grupit. Në këtë ndeshje duam të bëjmë diçka më të bukur sesa në dy të parat, ku shpresoj që të shënoj edhe një gol, për të falënderuar të gjithë ata që më kanë uruar. Më pas, në 1/8-at do të nisë Botërori ynë i vërtetë, pasi realisht sivjet mund të bëjmë diçka madhështore. Do na mjaftonte një barazim për të kaluar të dyja? Nëse kërkon të fitosh një eveniment të tillë, nuk duhet të kënaqesh, nuk mund të bësh llogari. I respektojmë rivalët tanë, por ne nuk bëjmë kompromise me askënd, sepse, nga ana tjetër, edhe Irani do të luajë për t’u kualifikuar, ndaj në 1/8-at do të shkojë ekipi që e meriton më shumë, askush tjetër”, përfundoi deklaratën e tij Mesi.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"