26 fitore në Formula 1, Vershtapen parakalon dy legjendat dhe hedh një tjetër hap drejt historisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2022 | 17:28

26 fitore në Formula 1, Vershtapen parakalon dy legjendat dhe hedh një tjetër hap drejt historisë

Suksesi të dielën në Çmimin e Madh të Kanadasë nuk ishte si gjithë të tjetër për Maks Vershtapenin. Falë asaj fitoreje mjaft të bukur, ku i rezistoi deri në fund presionit të Karlos Sainzit, piloti i Red Bullit e ka dërguar në 26 numrin e triumfeve në Formulën 1. Një shifër që e ngjit edhe më shumë kampionin në fuqi të botës në historinë e kategorisë më të lartë të automobilizmit.

vershtapen

Tashmë holandezi ka lënë pas për sa u përket fitoreve në F1 dy legjenda të këtij sporti si Niki Lauda dhe Xhim Klark, me të cilët Maks ndau për disa ditë barazimin me nga 25 fitore, pas atij triumfi në Baku.

E tashmë 24- vjeçari ka vendosur në shënjestër një tjetër emër të madh si Xheki Stjuart që regjistron 27 fitore.

Kështu, në garën e radhës në Silverston, Vershtapen përveçse udhëton në Britani për të konsoliduar edhe më shumë vendin e parë në renditje, kërkon edhe barazimin e një ikone si skocezi Stjuart, që numëron 3 tituj kampion në Formulën 1.

Më pas objektivi do të transferohet të Najxhëll Mansell, protagonist me 31 fitore në elitën e automobilizmit si dhe te Fernando Alonso, me spanjollin që koleksionon 32 suksese.

Nëse arrin të barazojë pilotin e skuadrës Alpine, gjë që është shumë e mundshme që në këtë sezon, atëherë Vershtapen pritet ta arrijë Alonson edhe për sa i përket numrit të titujve botërorë (2).

Më pas holandezin e presin të tjerë superkampionë, duke filluar me Airton Senën, që është ndalur në kuotën e 41 sukseseve dhe me Alen Prostin, autor i 51 fitoreve.

Ndërsa podiumi i pilotëve më fitues të të gjitha kohërave vijon me Sebastian Fetelin, me 53 triumfe, legjendën Majkëll Shumaker me 91, dhe në majë qëndron Luis Hamilton, me britanikun e Mercedesit që regjistron shifrën e pabesueshme të 103 fitoreve në Formulën 1.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"