Gjermania në finale, poshtërim për Brazilin

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Korrik 9, 2014 | 12:21

I pakategorizuar

Gjermania në finale, poshtërim për Brazilin

7-1Një ndeshje historike dhe këtë herë nuk po abuzojmë me termin. Rezultati 7-1 me të cilin Gjermania siguron finalen e Botërorit 2014 do të ketë një vend në historinë e shenjtë të topit. Kurrë më përpara një gjysmëfinale nuk kishte përfunduar me një diferencë prej gjashtë golash, ndërsa këtë disfatë historike e pësoi pikërisht Brazili, vendi organizator, skuadra rekordmene që nuk humbiste një takim në shtëpi që prej vitit të largët 1975. Humbja e djeshme për “seleçao”-n ishte diçka e pabesueshme, një ndeshje që për nga turpërimi dhe hidhërimi ka lënë pas edhe “Maracanazon” e famshëm të 1950-s. E vetmja gjë normale e takimit të djeshëm ishin fytyrat e gjermanëve. Myler, Klose, Kros, Khedira dhe Shyrle festonin njësoj sikur kishin ndëshkuar një skuadër të miturish, sepse me ftohtësinë e tyre ata treguan edhe një herë se ndiheshin të fortë, por tani duken edhe të pathyeshëm. Rezultati i djeshëm nuk mund të ketë një shpjegim të vetëm. Gjermania është një skuadër fantastike, më e forta e parë në këtë Botëror: këmbë të zgjuara, organizim dhe gjendje fizike ekzemplare. Nga ana tjetër, mungesa e dy yjeve të vetëm, Nejmar dhe Tiago Silva, nxorën në pah të gjitha defektet e një përfaqësueseje të fryrë vetëm me fjalë, që shihej si favorite. Mbrojtje e turpshme në shumicën e kohës, një mesfushë pa busull dhe një sulm që pa Nejmarin as që di të tentojë kuadratin, jo më kot Fred mbytet nga vërshëllimat sa herë që prek topin. Dhe çfarë është më e keqja, pas tre golave të parë, ajo zhduket nga fusha e lojës.

BRAZIL-GJERMANI   1:7
Golat: Oskar 89′ / Myler 11′, Klose 23′, Kros 25′, 26′, Khedira 30′, Shyrle 69′, 78′
BRAZIL: Júlio César, Maicon, David Luiz, Marcelo, Dante, Luiz Gustavo, Fernandinho (Paulinho 46′), Oscar, Bernard, Fred (Willian 70′), Hulk (Ramires 46′). Trajner: Luiz Felipe Scolari
GJERMANIA: M.Neuer, P.Lahm, J.Boateng, B.Höwedes, M.Hummels (P.Mertesaker 46′), B.Schweinsteiger, M.Özil, S.Khedira (Draxler 76′), T.Kroos, M.Klose (A.Schürrle 59′), T.Müller. Trajner: J.Löw
Gjyqtare: M.Rodríguez, M.Torrentera, M.Quintero
Kartonë të verdhë: Dante 68′

Brazili Tronditja e parë – “Seleçao”, e shtyrë nga tifozët, luan vetëm pak sekonda, sepse i gjithë zjarri brazilian shuhet në një goditje të Marselos, ndërsa Gjermania vetëm në dukje e surprizuar nga ky epsh i rivalëve për të sulmuar, kafshon në befasi vendasit. Kros nga këndi gjen Mylerin e harruar në zonë nga David Luiz, me sulmuesin bavarez që nuk e ka të vështirë që të tundë rrjetën. Kanë kaluar vetëm 11 minuta nga vërshëllima e sfidës, por askush nuk e pret që pas saj të nisë një uragan i vërtetë. Uragan gjerman – Reagimi i të zotëve të shtëpisë është modest, sepse mjaftuan këto pak minuta lojë për të kuptuar inferioritetin taktik dhe individual që ekziston mes djemve të Skolarit dhe atyre të Lëvit. Gjithsesi, as tifozi më i zjarrtë gjerman nuk mund ta parashikonte atë se çfarë ndodh mes minutave 23 dhe 29. Gjermania shënon katër herë dhe në mënyra pak a shumë të ngjashme. Aksione korale, të bukura për t’u parë dhe për t’u finalizuar, një lojë me top në tokë që nxjerr jashtë sistemi mbrojtjen braziliane. Goli me të cilin Klose thyen rekordin e Ronaldos është i denjë për një reklamë televizive. Kros tregohet gjenial me lëvizjet e tij, Myler e mbështet siç duhet, ndërsa Klose konfirmohet “ujku” i zonës duke e shtyrë në rrjetë përgjigjen e parë me duar të Hulio Sezarit. 2-0, por nuk kalon asnjë xhiro e akrepave të orës dhe shifrat zgjerohen në 3-0. Lahm fluturon në korsinë e djathtë, ndërsa Kros shkarkon të majtën e tij, e cila shton lotët dhe ulërimat në tribunat që e rrethojnë. Por gjermanët janë të pamëshirshëm kur bëhet fjalë për futbollin, ndaj lotët nuk do frenojnë Khedirën që të finalizojë aksionin e radhës të nisur nga Kros. “Pokeri” është i ofruar, por mesfushori i ndjekur me ngulm nga Reali feston dopietën personale, pas një pasimi tjetër perfekt, që këtë herë mbante firmën e Ozilit. 5-0 dhe drama sapo ka nisur, me brazilianët që vuajnë një gjendje shoku.
Nojer bën bllokadë – Pjesa e dytë nis me dy zëvendësime për Brazilin, Ramirez dhe Paulinjo për Hulkun e Fernandinjon, me të cilët “seleçao” kërkon të vërë të paktën një pjesë të nderit në vend. Gjithsesi, ndërsa edhe Lëvi u bën një nder të zotëve të shtëpisë, duke hequr Humelsin për Mertezakerin, është Nojer ai që nuk ka ndër mend t’u japë një fije kënaqësi rivalëve, duke kryer dy mrekulli ndaj Ramirezit dhe Paulinjos. Gjithsesi, pjesa e dytë e Gjermanisë do të fillonte kur Andre Shyrle zëvendësoi Miroslav Klosen, me mesfushorin e Çelsit që u shndërrua në makthin e radhës për Skolarin. Shyrle zbret në fushë me dëshirën e atij që kërkon të thyejë botën, më konkretisht me dëshirën e atij që ka një hesap të hapur me brazilianët, pasi shënon menjëherë një dopietë. Fillimisht ai shfrytëzon një pasim të Mylerit, ndërsa e mbyll goleadën gjermane me një të majtë të pakapshme, që depozitohet në rrjetë pasi prek traversën. Brazili po përjeton një dramë personale dhe i vetmi që sheh të ardhme duket Oskari, ai që në minutën e 90- të ka forcën që të driblojë Boatengun dhe të shënojë golin e nderit për kombëtaren dhe popullin e tij, që lotët e fshirë i shndërroi në forcë për të vërshëllyer ata që nga dje quheshin idhujt e tyre…

NOTAT
BRAZILI
SEZAR 3,5 – U bombardua keqazi në 30 minutat e para. As në vitin e rënies kur luajti me QPR-në në Angli nuk e kishte parë veten kaq keq. Ai nuk mund të bënte shumë, por gjithsesi grushtoi keq në golin e Kloses, doli shumë ngadalë te goli i dytë dhe vetëm një pritje spektakolare në pjesën e dytë ndaj Mylerit nuk mund t’ia lajë mëkatet.
MAIKON 4 – Të paktën në pjesën e parë provon të bëjë disa galopime nga ato të tijat, por më pas paguan disa gjëma që bëjnë shokët e tij në prapavijë çorientohet krejtësisht. Nuk ka më as diagonale dhe as galopime. I ulet një gjysmë vote sepse simuloi shëmtuar për një penallti.
DANTE 2 – Duhej të zëvendësonte Tiago Silvën. Por ishte më mirë nëse Brazili luante me 10 lojtarë.
LUIZ 2 – Kapiten, lider i padiskutueshëm, këndon himnin me fanellën e Nejmarit. Duket i karikuar. Por më pas humb Mylerin te goli i parë, pastaj mesfushorët e Gjermanisë nisin t’i bëjnë pingpong derisa shfryhet për afro 20 minuta. I mbivlerësuar? E thjeshtë ta thuash tani, por një gjë është e sigurt, kur luan me mbrojtës seriozë si Tiago Silva dhe Terri në krah, ai ia del mirë. Kur është vetëm, nuk e mban dot presionin.
MARSELO 4 – Kushedi se sa do e tallë shoku i tij i skuadrës te Reali, Khedira. Myleri dhe Lahmi vrapojnë me një shpejtësi marramendëse për të, ndaj edhe ai zhduket në krahun e majtë. GUSTAVO 4,5 – Të paktën vrapon, impenjohet dhe lufton. Cilësia më pas është tjetër gjë…
FERNANDINJO 4 – U përfol se pas ndeshjes u fut në dhomat e zhveshjes për të qetësuar stomakun, sepse i përzihej nga goleada e pjesës së parë… Vrapon, u përpoq të bënte diçka, por që nuk kishte lidhje me një gjysmëfinale Botërori. (Nga 46′ PAULINJO 5 – Provon disa herë dhe vë në provë Nojerin, por më pas dorëzohet edhe ai).
BERNARD 3 – Lëvizja surprizë e Skolarit. Aq surprizë ishte sa edhe ai u befasua që po luante në një gjysmëfinale Botërori. Do ishte naive ta krahasonim me Nejmarin.
OSKAR 4,5 – Një gjuajtje që Nojer e grushtoi si i ka hije një portieri të madh. Shënoi një gol të pavlerë në fund të ndeshjes.
HULK 3 – Do të kujtohet në këtë Botëror, sepse Reza Ghoochannejhad (Iran), Karlo Kostli (Honduras), Ja-Cheol Koo (Korea) shënuan më shumë se ai. Shënuan të paktën një gol… Lahmi tallet më të disa herë. I papërshtatshëm për një ekip si Brazili. Hulk ka emrin, por nuk është i tillë. (Nga 46′ RAMIRES 5,5 – Në pjesën e dytë luan me shumë krenari, por vetëm kaq).
FRED 2 – E mbani mend Mario Zhardelin kur zbriti në Ankona mbipeshë? Ja, kështu ishte edhe Fred, por akoma më i ngathët. Publiku e sulmon vazhdimisht, ndërsa ai neutralizohet si qengj nga Boateng dhe Humels. Nuk kishte Brazili një lojtar më të mirë se ai në sulm? Më mirë Paulinjo i Veronës… 100 herë më mirë.
Trajneri SKOLARI 3 – “Do të fitojmë edhe për Nejmarin”. Pësoi 7 gola dhe nuk kuptoi asgjë. Të gjitha zgjedhjet ishin gabim. Tiago Silva dhe Nejmari kishin maskuar një Brazil që nuk ua gëzoi asnjëherë zemrat njerëzve. Pësoi humbjen më të thellë në histori, ndaj edhe dorëheqja është një detyrim.

GJERMANIA
NOJER 8 – Mbetet një fenomen. I gjuajnë në portë dy herë dhe ai tregon veten. Pëson një gol në fund, por nuk ka faj. Një mur i vërtetë: portieri më i mirë në botë.
LAHM 7,5 – Një asist, shumë vrapime dhe perfekt në mbrojtje. Duket si një robot në fushën e futbollit. Si mbrojtës krahu është një ndër tre më të mirët në botë.
HUMELS 7 – I sigurt, i bukur për t’u parë, i çmueshëm. Në 10 minutat e para mbyll në mënyrë të shkëlqyer dy raste të Brazilit. Pastaj, duke parë edhe rezultatin Lëvi vendosi ta linte pushim në prag të finales. (Nga 46′ MERTEZAKER 6,5 – Hyn duke shëtitur. Në fakt, Brazili nuk ishte më në fushë. I ndershëm).
BOATENG 7,5 – I zoti edhe ai. I përqendruar dhe i sigurt. Lëvi i ka dhënë gjithnjë besim dhe ai, nga hallka më e dobët e zinxhirit të mbrojtjes, është shndërruar në një element kyç.
HËVEDEZ 7 – Luan me ballin lart në të majtë, edhe pse nuk është një mbrojtës krahu. Edhe për të një mbrëmje e qetë. I duhet pak pushim për finalen.
KHEDIRA 9 – Impresionues. Vërtet ka ndonjë që dyshon se një lojtar që këput ligamentet para Botërorit nuk mund të kthehet në formë? Prandeli ndoshta do të jetë penduar që me këtë logjikë la jashtë Pepito Rosin. Ai shënon dhe jep asist. Ndjek çdo aksion dhe sillet si një mesfushor i madh në një ndeshje të madhe.
SHVAINSHTAIGER 8 – I përhershmi dhe i jashtëzakonshmi Shvajni. E “qan” mjeshtërisht rolin e tij dhe skuadra nuk zhbalancohet kurrë.
KROS 9 – Dopietë me klas, regji e kthjellët dhe i zoti në fazën finale të aksioneve. Mesfushori modern që i duhet çdo skuadre. Do ta lërë Bajerni të ikë? Vështirë…
MYLER 8,5 – Arriti në kuotën e 10 golave në Botëror, 5 prej të cilëve vetëm në këtë edicion. Shënon dhe bën një punë të mrekullueshme në çdo repart. I jashtëzakonshëm, edhe pse me stilin e tij acarues. Por ai është gjerman, në thelb dhe jo në pamje. Dhe i shkon për shtat kështu…
KLOSE 7,5 – Vdekjeprurës. Një rast i vërtetë dhe një gol. Këmbëngulja për të shënuar pas dy gjuajtjeve tregoi edhe njëherë urinë e “ujkut” të frikshëm që nuk ndalet asnjëherë para portës. Rekord golash, duke kaluar Ronaldon në Brazil. Magji gjermane. (Nga 58′ SHYRRLE 8 – Golat e tij në pjesën e dytë janë një mrekulli më vete. Gjithnjë gati, gjithnjë i përqendruar. Një gjerman i vërtetë).
OZIL 6,5 – Më pak brilanti në këtë mbrëmje. Luan i relaksuar dhe tërhiqet gjithnjë nga dallga që shkaktojnë shokët e skuadrës. Gjithsesi, nuk mund të kritikohet shumë, sepse është edhe ai pjesë e fitores, ndonëse humbi rastin për t’i çuar shifrat në 8-0.
Trajneri LËV 9 – Kryevepër! Komplimente! Rezultat historik dhe i pabesueshëm: 7-1 Brazilit në shtëpinë e tij. Turpërimi më i madh i futbollit brazilian në historinë e tij. Gjermania nuk ndalet dhe kërkon konfirmime. Ka krijuar pas disa vitesh një skuadër perfekte dhe tani kërkon Kupën e Botës. Me të drejtë…

LevLëv: I mbytëm në presing, goli i parë i tronditi
Trajneri i Gjermanisë Joakim Lëv ka festu ar me të madhe triumfin e tij duke shkruar historinë në Kupën e Botës. Teksa shkatërroi 7-1 Brazilin, ai shpreh emocionet dhe recetat fituese të tij.
Urime Joakim Lëv! E prisnit këtë rezultat?
Isha i bindur për fitore, por jo kaq të thellë. E rëndësishme ishte që arritëm të thyenim emocionet dhe euforinë e jashtëzakonshme të brazilianëve me forcën e karakterit, qetësinë dhe fuqinë e futbollit tonë. Brazili u trondit pas golit të parë. Goditja e këndit ishte perfekte dhe e patëm shumë të thjeshtë për të dalë në lojën tonë. Luajtëm shumë mirë. E dinim që nëse do kundërsulmonim shpejt dhe u bënim presion të shpejtë, do shkatërrohej mbrojtja.
Organizatorët turpërohen. E mirëkuptoni dhimbjen e brazilianëve?
Këtë gjendje e kemi përjetuar vetë në 2006-n. Arrij ta kuptoj presionin e organizatorëve. Më vjen shumë keq edhe për Skolarin.
Nuk kishte ndodhur ndonjëherë 5 gola në pjesën e parë. Si e shpjegoni këtë hegjemoni?
U shënuan 5 gola në 18 minuta dhe Brazili nuk po dinte ç’të bënte më. Ne kemi zhvilluar një superndeshje me ofensivë të zgjuar dhe një defensivë të hekurt. Të gjithë lojtarët e kryen perfekt detyrën e tyre dhe nga nesër nis misioni përfundimtar për ne. Kjo fitore historike duhet shijuar, por jo tepruar. Misioni ynë ende s’ka përfunduar.
Keni ndonjë preferencë, Holandën apo Argjentinën?
Pak rëndësi ka për mua dhe Gjermaninë time. Po i lë të më surprizojnë. Normalisht, gëzimi dhe euforia është tejet e lartë për finale.
Për çudi, nuk u ndikuat aspak nga klima…
Temperaturat luajnë rol patjetër. Kemi zhvilluar disa ndeshje në kushte mjaft të vështira klimatike, aq sa për pak na merrej fryma. Lojtarët kanë shkuar gjithnjë në limitet e rezistencës.
Klose theu rekordin e Ronaldos. Gjermania në finalen e 8-të të Botërorit. Shumë rekorde për 90 minuta…
Klosen e përgëzova. Isha i bindur që do e thyente rekordin. Ai është një “vrasës” dhe punëtor i jashtëzakonshëm. Bëri diferencën duke nxjerrë jashtë loje 3 mbrojtës. Për statistikat më informon presidenti Nirsbah. Jam krenar për këto rezultate dhe këto rekorde. Të gjithë lojtarët bënë diferencën. Dua t’i komplimentoj të gjithë.
E gjithë bota ju përulet. A do jetë i tillë ky fund?
Këta lojtarë kanë bërë të pamundurën. Kanë pasur kundër gjithçka të mundshme. Kanë sakrifikuar gjithçka dhe uroj shumë për një fund të lumtur. Duhet të kemi kujdes dhe deri të dielën të kemi bërë gati edhe planin e triumfit.
Skolari i deshperuarSkolari: Lutemi të na falni, fajtori jam unë
Të shpjegosh të pashpjegueshmen. Luiz Felipe Skolari nuk arrin të sqarojë një humbje të tillë, gjithsesi merr përgjegjësitë për disfatën. Trajneri i Brazilit mendon se skuadra nuk arriti të kontrollojë si duhet lojën pas pësimit të golit të parë dhe pikërisht në këtë moment, Gjermania shfrytëzoi të gjithë potencialin e saj.
Cili është përgjegjësi për këtë humbje?
Unë jam. Faji është i gjithë imi. Mund të vendosni ta shpërndani përgjegjësinë, por personi që vendosi mbi gjithçka jam vetë unë. Zgjodha formacionin, rreshtimin taktik, çdo gjë.
Si e shpjegoni këtë humbje?
Mund të them se pas pësimit të golit të parë, skuadra e humbi disi përqendrimin. Gjermania është një ekip i shkëlqyer, me përgatitje të lartë fizike dhe taktike dhe ditën se si të përfitojnë në ato pak minuta. U mjaftuan që të shkojnë në avantazh 4-0. Ishte katastrofike për ne. Edhe Gjermania e ka të vështirë ta shpjegojë se si arriti ta bëjë një gjë të tillë, pasi për pak minuta u vulos edhe fati i takimit.
Keni ndonjë mesazh për tifozët brazilianë?
Po. I lutem të gjithëve që të na falin, pasi nuk i çuam dot në finalen e Kupës së Botës dhe njëkohësisht dua t’i falënderoj për mbështetjen e zjarrtë që na kanë dhënë. Jemi munduar të japim gjithmonë maksimumin në fushën e lojës, por ndonjëherë kjo nuk mjafton. Tentuam ta çojmë deri në fund misionin, por fatkeqësisht nuk ndodhi. Gjithsesi, do luftojmë për të fituar vendin e tretë. Kemi ende diçka për të cilën luftojmë.
Mund të jetë kjo humbje një goditje e rëndë për futbollin brazilian?
Ne duhet ta lëmë pas krahëve dhe të mësojmë prej kësaj disfate. Është e domosdoshme që të mos i humbasim shpresat dhe besimin në forcën tonë. Të rinjtë, tifozët, futbollistët dhe drejtuesit e këtij sporti duhet të mendojnë se si ta rrisin cilësinë. Kurrsesi nuk duhet ta marrin si goditje të rëndë. Do ishte në dëmin tonë një gjë e tillë. Ne jemi një vend që gjithmonë kemi dhuruar futboll cilësor dhe do vazhdojmë të dhurojmë…
E mendoni largimin?
Jo. Po mendoj për ndeshjen e ditës së shtunë. Ky grup lojtarësh është investim për të ardhmen. Prej 23 futbollistëve, 15 prej tyre do jenë në Kupën e Botës 2018.

LuizDavid Luiz mes lotëve: Pati faj mbrojtja, të ringrihemi
Do të hyjë në histori si kapiteni i skuadrës që u turpërua në shtëpi, kur u mundën me rezultatin e thellë 7-1. U mundua të evitonte një disfatë të tillë, por i vetëm e pati të pamundur. David Luiz u kërkon falje të gjithë tifozëve për atë paraqitje, për atë rezultat dhe që i dha fund ëndrrës së tyre për të ngritur trofeun. Por, ai kërkon që të mos dorëzohen dhe të gjejnë forcë e guxim për t’u ringritur. “Unë doja që t’i dhuroja lumturi popullit tim, i cili vuan nga shumë gjëra të tjera. Fatkeqësisht nuk ia dolëm mbanë. U kërkoj falje të gjithë brazilianëve. Doja vetëm t’i shikoja njerëzit duke buzëqeshur. Të gjithë e dinë se sa i rëndësishëm është futbolli në Brazil. Ne po fitonim dhe i gjithë populli ndihej mirë. U përpoqëm të jepnim maksimumin tonë në fushën e lojës, por pësuam katër gola për gjashtë minuta. Është një ditë trishtuese, por edhe një leksion i madh i jetës”, u shpreh David Luiz, i cili nuk i mban dot lotët para kamerave. Sa i përket arsyes së disfatës, ai pranon që mbrojtja pati gabimet e saj. “Vuajtëm disi në mbrojtje dhe gjermanët e kuptuan këtë gjë. Na sulmuan pikërisht aty dhe përfituan. Tani është shumë e vështirë ta shpjegosh. Është një ëndërr që nuk do të realizohet për ne. Kam mësuar në jetë që të sillem me maturi dhe nuk dua që të shkatërrohet gjithçka pas kësaj që ndodhi. Nuk duhet të dorëzohemi, por të gjejmë forcën dhe të ringrihemi”, përfundoi deklaratën e David Luiz.

Brazil Soccer WCup Brazil GermanyTremb Humelsi: Kam shumë dhimbje në gju
E vetmja notë negative e një mbrëmjeje përrallore janë dhimbjet e gjigantit të mbrojtjes gjermane, Mats Humels. 25-vjeçari u duk se u zëvendësua nga trajneri Joakim Lëv thjesht nga luksi i rezultatit, por me sa duket, zgjedhja ka qenë e detyruar, sepse futbollisti i Borusias së Dortmundit ka ndier shumë dhembje. “Po, zëvendësimi im ishte i detyruar, – deklaron ai për Eurosport. – Kam pasur shumë dhimbje në gju, në tendina saktësisht, prej disa ditësh, por dje nuk ia dilja dot më që të luaja. Nuk dua që ta ekzagjeroj problemin tim, por gjithsesi, nesër (sot), do të mësojmë diçka më shumë, pasi të kryej analizat. Nuk dua të ndalem, nuk dua të dorëzohem në ndeshjen që të gjithë ne kemi pritur. Do bëj të pamundurën që gjuri të funksionojë”. Me pak fjalë, alarmi për mbrojtësin Mats Humels është rikthyer, ai dëmtim që e la jashtë në ndeshjen kundër Algjerisë në 1/8-at duket se nuk është rikuperuar ende plotësisht, prandaj në pritje të finales së të dielës, pak frikë mbi mbrojtësin goleador (dy gola të shënuar në këtë Botëror) ekziston. “Nuk jam mendjemadh dhe të them që nuk mund të stërvitem deri të shtunën e ardhshme dhe të dielën do të jem në fushë me çdo kusht, sepse fillimisht duhet dëgjuar edhe mendimi i mjekëve, gjithashtu ai i trajnerit. Por unë do të përdor të gjitha armët që të mos mungoj në finale”, deklaroi pas ndeshjes ai.

MEDIAT
“Bild”: Faleminderit! Ju adhurojmë! 7-1!
“Sport1”: Finale! Gjermania shkruan historinë!
“Bundesliga.de”: 7-1! Ndeshja e shekullit!
“Welt”: Mrekullia e Belo Horizontes tani një legjendë!
“Blick.ch”: Brazili bie në humnerë kundër “tankeve”
“L’Equipe”: Shkatërrim!
“Lancenet”: Katastrofa më e madhe në histori!
“O Globo”: Ofenduese! Lojtarët brazilianë kërkojnë falje për zhgënjimin.
“A Folha”: Masakër! Dështim historik në “Mineiraço”
“El Mundo”: Marakanazo në infinit!
“Marca.com”: Turp!
“Krone.at”: Gjermania, “tenis” kundër Brazilit
“New York Times”: Gjermania dërrmon Brazilin 7-1
“Daily Mail”: Tifozët brazilianë shokohen nga heronjtë e tyre pas humbjes dramatike 1-7. Organizatorët shpërthejnë në lot, Gjermania në finale!
“Daily Start”: Fundi i Botës! Ëndrrat e brazilianëve marrin fund nga gjermanët!
“Gazzetta”: 1-7! Shkatërrim historik, Gjermania në finalen e 8-të!




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com