Gjermania, kualifkim mes drithërimash…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2014 | 12:31

Gjermania, kualifkim mes drithërimash…

Gjermani-Algjeri 2-0Gjermania është në çerekfinale, por sa vuajnë për të gjunjëzuar Algjerinë: nuk u mjaftojnë 90 minutat e kohës së rregullt, përfundon 2-1 me një gol të Shyrrles dy minuta pasi kishte filluar shtesa e parë dhe një të Ozilit një minutë nga fundi. I panevojshëm goli i Xhabusë në shtesën e shtesës (121′). Në çerekfinale, të premten në orën 18:00 në Rio de Zhaneiro, skuadrën e Joakim Lëvit e pret Franca. Lëv nuk kishte ndër mend të bënte asnjë zëvendësim nga skuadra që luajti ndaj SHBA-së ndeshjen e fundit në grup. Por, mungesës së detyruar të Podolskit iu shtua edhe ajo e Mats Humelsit, për shkak të gjendjes gripale të mbrojtësit të Dortmundit. Dhe Shkodran Mustafi zbret nga minuta e parë në fushë në korsinë e djathtë të mbrojtjes, duke spostuar Boatengun në qendër, në dyshen me Mertezakerin.

GJERMANI-ALGJERI  2:1
Golat: Shyrle 92′, Ozil 120′ / Djabou 120+1′
GJERMANIA: M.Neuer, P.Lahm, P.Mertesacker, J.Boateng, B.Höwedes, Sh.Mustafi (S.Khedira 70″), B.Schweinsteiger (C.Cramer 109′), M.Özil, T.Kroos, M.Götze (A.Shurle 46′), T.Müller. Trajner: J.Löw
ALGJERIA: R.M’Bolhi, R.Halliche (M.Bougherra 97′), E.Belkalem, A.Mandi, F.Ghoulam, M.Mostefa, S.Feghouli, M.Lacen, S.Taïder (Y.Brahimi 78′), E.Soudani (A.Djabou 100′), I.Slimani. Trajner: V.Halilhodžić
Gjyqtare: S.Ricci, E.De Carvalho, Marcelo Van Gasse
Kartonë të verdhë: Lahm 107′ / Halliche 42′

Starti – Pas një faze studimi të lojës, dy skuadrat nisin të ngacmojnë njëra-tjetrën. Në minutën e 14-të, një goditje e Shvajnshtaigerit nga jashtë zone e detyron M’Bolhin të presë në dy kohë. Feguli një minutë më vonë, nuk shkon më shumë se një goditje-kros nga një pozicion i volitshëm. Në minutën e 18-të, e majta në zonë e Ghoulamit përfundon jashtë për fare pak centimetra. Gjermania sposton lart mbrojtjen dhe vuan tmerrësisht pa Humelsin. Duhen daljet e Nojerit në disa raste për të shmangur topat pas shpine të afrikanëve. Një krosim i kalibruar i Mustafit gjen kokën e Mylerit në minutën e 35-të, por “mullixhiu” më i famshëm i Gjermanisë gabon shënjestër. Tre herë kampionët e botës provojnë të shënojnë përpara kthimit në dhomat e zhveshjes: Ozil në të 37-ën minutë vë në provë M’Bolhinë, i cili nuk e ndal siç duhet, duke i dhënë mundësinë Mylerit të godasë, por topi nuk shkon atje për ku sulmuesi i Bajernit e kishte nisur. Një goditje e devijuar e Mostefas u fut drithërimat gjermanëve, të cilët në minutën e 40-të duhet të bëjnë llogaritë edhe me reflekset e portierit të “dhelprave”, sepse ai tregohet dy herë deciziv ndaj Gëces. Kros në aksionin e radhës e dërgon topin me të majtën për fare pak jashtë.
Pjesa e dytë – Një skuadër e shkundur në dhomat e zhveshjes e nis me gazin e hapur deri në fund pjesën e dytë, por Algjeria kundërpërgjigjet në kundërsulm. Lahm provon sërish M’Bolhin, i cili devijon në këndore me një hedhje spektakolare. Gjermanëve nisin t’u parakalojnë përpara syve makthet e së shkuarës, kur Nojeri bllokon një goditje nga jashtë zone të Slimanit. Vuajnë djemtë e Halilhoxhiçit: në minutën e 76-të M’Bohli shpëton sërish ndaj Mylerit, i cili një minutë më vonë shpërdoron në zonë golin e çlirimit. Tjetër dalje fantastike e Nojerit 6 minuta nga fundi, ndërsa Shvajni godet, por pa i dhënë forcë topit. Shkohet në shtesë dhe skuadra e Lëvit atë që nuk e bëri dot në kohën e rregullt, e bën pas 120 sekondash. Asist i Mylerit nga e majta dhe Shyrrle godet me thembër duke qetësuar gjermanët. Algjeria provon të reagojë, por gjermanët kontrollojnë qetësisht, madje shpërdorojnë golin e “KO” me Mylerin. Shansin e fundit në pjesën e parë të shtesës e ka Mostefa. Ndërkohë që në minutat e fundit Myler dhe Kramer nuk japin dot goditjen përfundimtare, e cila do të vinte me Ozilin në minutën e 119-të. Në shtesën e shtesës Xhabu tregon se një mbrojtje në një ditë kaq të tmerrshme meriton të ndëshkohet. Nuk ka kohë për mrekullinë. Që prej 1986-ës, “pancerat” nuk u mungojnë kurrë çerekfinaleve (8 herë radhazi). Nuk kishte si të ndodhte ndryshe as këtë herë.

LevLëv: Gjermania gaboi shumë, ishte një fitore me zemër
Joakim Lëv e cilëson si një fitore me zemër atë të arritur kundër Algjerisë, duke theksuar se bënë shumë gabime në fushën e lojës, përfshirë edhe mungesën e finalizimit të aksioneve. Gjithsesi, ai i kënaqet kualifikimit për në çerekfinale…
Një fitore e vuajtur, por në fund Gjermania ia doli të sigurojë çerekfinalet…
Po, ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne. Algjeria e tregoi se është një ekip mjaft i fortë. Gjithsesi, mendoj se fajin kryesor që nuk arritëm ta zgjidhim ndeshjen, e kemi pasur ne. Nuk arritëm të dalim në lojën tonë apo të finalizojmë si duhet aksionet. Në kohën e rregullt mund të kishim shënuar më shumë se një herë, nëse do ishim treguar të saktë para portës.
Çfarë nuk funksionoi te skuadra?
Bëmë shumë gabime. Sidomos në pasime. Duhet të kontrollonim lojën, duke detyruar kundërshtarin të mbrohej dhe të tentonin me aksione të gjata dhe me shumë pasime. Ne humbëm shpeshherë topin dhe i lejuam kundërshtarit që të përdorë armën e vet më të fortë, kundërsulmin.
Futja e Shyrrles ndryshoi ritmin e skuadrës. Pse e bëtë një zgjedhje të tillë?
Andre është një lojtar me karakteristika të ndryshme nga Gëce. Ai mund t’i jepte skuadrës më tepër thellësi në aksionet sulmuese dhe do ishte një ndihmës më i mirë për Mylerin, pasi do luanin më afër njeri-tjetrit. Së bashku me Khedirën, i dhanë skuadrës më tepër ritëm. Gjithsesi, mendoj se arritëm një fitore me vullnet dhe zemër. E thashë edhe më parë që ne bëmë shumë gabime, të cilat mund të na kishin ndëshkuar rëndë, por ekipi nuk u dorëzua për asnjë moment.
Jeni i kënaqur me paraqitjen e mbrojtjes?
Edhe ata patën problemet e tyre. Vuajtën shumë me topat e gjatë të kundërshtarit, duke mos arritur të koordinohen si duhet mes pozicionit dhe kohës së lëvizjes. Jam i kënaqur që Nojer doli shumë herë për të ndihmuar mbrojtjen në momentin e duhur. Ishte e nevojshme që të dilte aq shpesh.
Tani ju pret ndeshja me Francën…
Përballja me Algjerinë tregoi se nuk ka asnjë kundërshtar të lehtë. Duhet të japësh maksimumin dhe të jesh thuajse perfekt. Ndeshjet e ardhshme sa vijnë dhe bëhen akoma më të vështira. Sfida e sotme (dje) duhet të na shërbejë si “shkundje”, në mënyrë që të mos përsërisim të njëjtat probleme edhe në raundet pasardhëse, pasi mund të na kushtojë.

Vahid Halilhoxhiç“Patëm shumë raste, mund të fitonim ne”
“Jam krenar për futbollistët e mi, të cilët zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer. Kishim përballë një kundërshtar shumë të fortë, një prej pretendentëve për të fituar Kupën e Botës dhe e vumë shumë në vështirësi”, u shpreh Halilhoxhiç pas ndeshjes. “Ne mund ta kishim fituar këtë sfidë me shumë meritë. Krijuam mjaft raste për shënim, por nuk arritëm t’i finalizonim si duhet. Në përballje të tilla duhet të jesh i pafalshëm para portës. Arritëm ta kontrollonim lojën, duke u bazuar te stili që kishim programuar. Në minutën e 75-të hoqa një mesfushor dhe futa një sulmues, pasi vura re që Gjermania po linte hapësira në mbrojtje, gjithsesi nuk ia dolëm që të shënonim një gol. Treguam karakter në fushë dhe nuk u dorëzuam për asnjë moment”, shtoi tekniku boshnjak. “Pësuam gol sapo filloi shtesa dhe ndikoi shumë psikologjikisht. Lojtarët u shpërqendruan pak minuta, para se të riktheheshin në lojën e tyre. Gjithsesi, ky ishte një eliminim me nder”, përfundoi ai.

MustafiMustafi humbet Botërorin, nuk duket serioze për Shvajnin
Gjermania fitoi, por Shkodran Mustafi dhe Bastian Shvajnshtaigeri shqetësojnë trajnerin Joakim Lëv për ndeshjen e ardhshme kundër Francës. Mbrojtësi i Sampdorias, i cili zëvendësonte Mats Humelsin pasi ky vuante nga një gjendje gripale, pësoi një tërheqje muskulore në kofshën e majtë dhe i la vendin Khedirës në minutën e 70-të, duke e detyruar Lëvin që për herë të parë këtë Botëror të rikthente kapitenin Filip Lahm në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në një intervistë për “ZDF”, trajneri Lëv dhe Bierhof konfirmuan se Botërori për mbrojtësin mori fund. “Është një dëmtim që kërkon minimalisht 2-3 javë për t’u riaftësuar”, – konfirmoi trajneri. Por edhe Bastian Shvajnshtaigeri u detyrua të linte fushën në minutën e 109-të të shtesës për t’u zëvendësuar nga Kramer. Deri në orën e vona të ditës së djeshme nuk kishte asnjë informacion për gjendjen e mesfushorit dhe nëse ai rrezikon çerekfinalen me Francën. Megjithatë, problemet fizike të “pancerave” nuk janë ndalur me kaq. Edhe Tomas Myler ka qenë me grip, por ka vendosur të sakrifikojë për skuadrën duke luajtur për 120 minuta dhe duke qenë një nga lojtarët më të mirë në fushë.

“Pancerat” me 7 bavarezë
– Shyrrle u bë gjermani i parë me fanellën “9” që shënon në Kupën e Botës që prej Karsten Jankerit kundër Arabisë Saudite (2002). Sulmuesi i Çelsit shënoi golin e 5- të në 5 ndeshjet e fundit zyrtare për Gjermaninë.
– 113 prekje topi pati Toni Kros gjatë 90′, më shumë se çdo lojtar tjetër në fushë dhe krijoi edhe numrin më të madh të rasteve (5). Mesfushori i Bajernit mban dhe rekordin e prekjeve të topit në fazën e grupeve këtë Botëror (338). Mjeshtër!
– 24 topa preku Manuel Nojer vetëm në pjesën e parë. Qendërmbrojtësi i Gjermanisë nuk ishin Mertezaker apo Boateng, por portieri.
– Bastian Shvajnshtaiger luajti ndeshjen e tij të 105-të me fanellën e Gjermanisë, duke barazuar rekordin e Jyrgen Kohlerit, i cili mban vendin e 6-të në renditjen e lojtarëve me më shumë prezenca për “pancerat”.
– Gjermania luajti për herë të parë në historinë e një Kupe Bote me 7 lojtarë të Bajernit titullarë kundër Algjerisë: Nojer, Boateng, Lahm, Shvajnshtaiger, Kros, Gëce dhe Myler.
– Kundër Algjerisë, është ndeshja e tretë radhazi e Gjermanisë në Brazil që përfundon 0-0 në pjesën e parë (as në ndeshjet kundër Ganës dhe SHBA-së në grup nuk është shënuar asnjë gol).
– Deri tani të gjashta skuadrat që u renditën të parat në grup këtë Botëror janë kualifikuar në çerekfinale: Brazili, Kolumbia, Kosta Rika, Holanda, Franca dhe Gjermania (100%)
– Rafik Haliçe luajti ndeshjen e tij të 7-të me Algjerinë në Botëror, një rekord për “dhelprat e shkretëtirës”.
– 8 nga 9 golat e fundit që Algjeria ka pësuar në Botëror janë realizuar në pjesën e dytë (89%). Por ndaj Gjermanisë rezistuan deri në minutën e 90-të.
– Xhabu u bë lojtari i 27-të zëvendësues që realizon në këtë Botëror. Rekord! Ai theu edhe rekordin e golit më të vonë të shënuar në një ndeshje Botërori (120 minuta e 51 sekonda). Rekordin e vjetër e mbante Del Piero në 2006- n sërish kundër Gjermanisë (120 minuta e 15 sekonda).

Gjermani-Algjeri 2-0, goli i ShurlesNOTAT
GJERMANIA
NOJER 9 – Në gjithë historinë e futbollit botëror nuk ishte parë një ndeshje e tillë nga një portier. Po, sepse Manuel Nojer arrin të luajë në mënyrë të pabesueshme në dy role: portier dhe “libero”. Prek 17 herë topin jashtë zonës së tij, në 6 nga këto raste shpëton portën mrekullisht. I mbinatyrshëm.
MUSTAFI 5 – Vuan shumë në të djathtë. Nuk shtyn dhe në pjesën e parë Algjeria dhuroi spektakël në të majtë. Në një ekip tjetër do luante në qendër (nga 69′ KHEDIRA 7 – Me futjen e tij në fushë, Gjermania ndërron ritëm, sepse Lahm kthehet në rolin e tij: MBROJTËS i djathtë. Kushedi nëse Lëvi dhe Guardiola e kuptuan këtë…).
MERTEZAKER 6 – Më i miri në prapavijën gjermane. Një siguri më vete.
BOATENG 5,5 – Starti të fut të dridhurat. Slimani i shpëton disa herë a thua se është Drogba. Përmirësohet në pjesën e dytë, por makthi mbetet.
HËVEDEZ 5 – Koncepti është i njëjtë si ai me Mustafin. Nuk bën ndonjë gjë kushedi se çfarë. Ishte Nojeri ai që bëri mrekullitë.
SHVAJNSHTAIGER 6,5 – Duket që nuk është në maksimumin e tij. Dha shpirtin në fushë, por për një natë të vetme, Algjeria e detyroi të shihte ylberin…
LAHM 6 – Vuajti në atë mbrëmje të gjatë aty në mesfushë. Por Lahmi jep kudo gjithçka dhe dje Gjermanisë i dha eksperiencë dhe zemër.
KROS 6 – U pa vetëm në disa gjuajtje nga distanca, por asgjë më shumë. Për një mbrëmje të vetme vuajti edhe Gjermania në mesfushë dhe vuajti shumë…
OZIL 5 – “Mungesë” e pajustifikuar për 119 minuta, por më në fund shënoi. I shënoi një Algjerie thuajse të vdekur, por është goli i tij ai që kualifikoi gjermanët.
MYLER 6,5 – Si zakonisht, vrapon në gjithë repartin ofensiv. Sigurisht, shpërdoroi disa raste që nuk i falen dhe për këtë sot merr gjysmë vote më pak.
GËCE 4,5 – Nuk bën asgjë në pjesën e parë. I ngathët dhe praktikisht gjithnjë i bllokuar. Humbi edhe një gol të sigurt pas gjuajtjes së Krosit që u shty nga M’Bolhi (Nga 46′ SHYRRLE 7,5 – Një gjuajtje me thembër sa gjeniale, aq edhe me fat. Goditja që ndryshoi ndeshjen). Trajneri Lëv 5: Gjermani e turbullt në sulm dhe e rrëmujshme në mbrojtje. Ishte Nojeri ai që i shpëtoi nderin dje, por gjithsesi zëvendësimet i goditi. Duhet ta kuptojë që Lahmi është mbrojtës, është MBROJTËËËËËËS…

ALGJERIA
M’BOLHI 8 – Nëse Nojeri mbulon dy role, Raisi i mirë bën vetëm portierin… Por i pret të gjitha. Dy-tre ndërhyrje të pabesueshme. U dhuron edhe pak spektakël fotografëve…
MANDI 4,5 – Do të ishte ndeshja e tij perfekte, nëse në kohën shtesë nuk do të bënte atë çmenduri që në minutën e parë… Djaloshi algjerian duhej vetëm të largonte atë top të gjatë që i erdhi, por vendosi të dilte nga zona me top në këmbë. Rezultati? Humb topin, Gjermania shënon me Shyrrlen…
HALLIÇE 8,5 – E keni parasysh Fabio Kanavaron në Botërorin e 2006-ës? Ajo e djeshmja ishte një ndeshje që e shenjtëroi. (Nga BOUGERRA 6,5 – Zëvendëson “Kanavaron algjerian”. E bën mirë).
BELKALEM 7,5 – Së bashku me kapitenin Halishe luan një ndeshje të shkëlqyer, por për fat të keq nuk mjafton.
GOULAM 7 – I mahnitshëm në të majtë. Turpëron disa herë Mustafin në pjesën e parë. Luan mirë me topin dhe markon shkëlqyeshëm. Jep një asist për një gol me kokë, por Slimani dështoi.
FEGULI 7 – 90 minuta të jashtëzakonshme, nëse mund të themi kështu. Bie pak në minutat shtesë dhe duket që nuk është i aftë më për dribling. Gjithsesi, ishte i frikshëm në sulm.
TAIDER 6,5 – Kujdes, intensitet dhe sakrificë. Ndeshje e madhe për të dje. (Nga 78′ BRAHIMI 6,5 – Hyn dhe bën gjëra të mira, edhe pse nuk arrin të shkojë aq larg sa dëshiron).
MOSTEFA 7 – Njeriu i kudondodhur i Algjerisë. Sakrificë, sakrificë dhe vetëm sakrificë…
LACEN 7 – Njësoj si Mostefa. Algjeria të mallëngjen për nga mënyra se si luan në mesfushë. SUDANI 5,5 – I vetmi që zhgënjeu pak te kjo Algjeri. Nuk gjen kurrë kohën e duhur për asistet. (Nga 100′ XHABU 7 – Autori i golit simbol të kësaj Algjerie që u dorëzua vetëm në minutën e 122-të).
SLIMANI 7 – Për 25 minuta, më shumë se sa sulmues i Sportingut, dukej sikur ishte Drogba. Shënon një gol në pozicion jashtë loje, lufton shumë, krijon hapësira. Dorëzohet vetëm në minutën e 119-të, kur i lodhur sa s’thuhet nuk ndjek dot një asist perfekt për gol. Trajneri Halihoxhiç 6,5: Skuadër solide dhe e rrezikshme në daljet në sulm. Algjeria rezultoi një rival i rrezikshëm për Gjermaninë dhe kjo edhe për meritë të trajnerit.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"