Përmbys Meksikën, kualifikohet Holanda

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2014 | 8:30

Përmbys Meksikën, kualifikohet Holanda

HolandaForca e dëshpërimit kualifikon Holandën në çerekfinalet e Botërorit. Në “Kastelao” të Fortalecas, në ditën kur FIFA dha për herë të parë “OK” për pushimin e vapës (2 “time out”, 1 për secilën pjesë), “portokallinjtë” shtrydhen mirë nga një Meksikë thuajse perfekte për më shumë se një orë. Pastaj kur gjithçka dukej e pashpresë, përmbysin rezultatin dhe presin biletën, atje ku meksikanët ëndërronin se kishin prekur me të dyja duart deri në minutën e 88-të. Në fund, “tulipanët” e Luis van Galit mundin 2-1 skuadrën e Migel Herrerës. Trikolorët, të cilët nuk i mundnin holandezët prej vitit 1961, nuk u mbetet asgjë tjetër veç zemërimit për humbjen e një ndeshjeje që e luajtën në mënyrë ekzemplare.

HOLLANDE – MEKSIKE   2:1
Golat: Shnajder 88′, Huntelar 90+2′ (pen) / G.dos Santos 48′
HOLLANDA: J.Cillessen, P.Verhaegh (M.Depay 57′), R.Vlaar, D.Blind, S.de Vrij, A.Robben, W.Sneijder, N.de Jong (B.Martins Indi 9′), G.Wijnaldum, D.Kuijt, R.van Persie (Huntelar 76′). Trajner: L.van Gaal
MEKSIKA: G.Ochoa, R.Márquez, F.Rodríguez, A.Guardado, C.Salcido, Paul Aguilar, H.Moreno (D.Reyes 46′), M.Layún, H.Herrera, O.Peralta (J.Hernandez 75′), G.dos Santos (J.Aquino 61′). Trajner: M.Herrera
Gjyqtare:  Pedro Proença, Bertino Miranda, Tiago Trigo
Kartone te verdhe: P.Aguilar 69′

I shpëton Silesen – Ndoshta Meksika nuk ka stofin e Spanjës, por Holanda që pamë në pjesën e parë në “Kastelao” është vetëm një hije e asaj që fundosi 5-1 kampionët e botës në debutimin e këtij turneu. Europianët e nisin të kujdesshëm ndeshjen dhe pastaj paguajnë, ndoshta edhe prej humbjes së De Jongut, i cili dëmtohet pas vetëm 10 minutash lojë. Pa muskujt dhe grintën e shkatërruesit të Milanit, mesfusha holandeze nis të fusë ujë nga të gjitha anët, fillimisht në të majtë, dhe më pas në qendër, ku meksikanët depërtojnë pa shumë vështirësi. Kështu, në minutën e 18-të, një krosim nga e majta i Lajun, gjen spondin e shkëlqyer të Xhovanit në një aksion që mbyllet me topin vetëm pak centimetra larg shtyllës pingule të Silesen, pas goditjes së Herrerës nga 11 metra. 6 minuta më vonë, Salsido provon nga distanca, por Silesen devijon në goditje këndi. Holanda është inekzistente dhe amerikano-qendrorët sulmojnë në qendër nga një aksion që përfundon me diagonalen e Xhovanit brenda zone: portieri i Ajaksit është sërish deciziv. Holandën e ka zënë gjumi, por s’ka vdekur: një gafë e Markezit nis kundërsulmin e Van Persit drejt pikës së penalltisë. Kapiteni vendos të shërbejë për Robenin dhe jo të driblojë Morenon dhe godasë portën e Oçoas dhe nga ky aksion vjen një dopiondërhyrje në limitet e rregullores në dëm të fantazistit të Bajernit. Nëse Proença do kishte vërshëllyer, askush nuk do kishte mundur ta kundërshtonte.
Çfarë emocionesh – Në pjesën e dytë, Holanda duket se e ka kokën ende në dhomat e zhveshjes dhe Xhovani i ndëshkon me një të majtë të hidhur që zë në befasi Silesenin (jo i pozicionuar mirë). 10 minuta më vonë, nga i njëjti pozicion, provon edhe Peralta, por gardiani holandez kësaj radhe fluturon për ta bllokuar. Ishte shkëndija e fundit e meksikanëve, sepse pas 15 minutash Roben nis shfaqjen e tij dhe mbrojtja meksikane ndien drithërimat e para. Oçoas i kujtohet se ka qenë Supermeni kundër Brazilit dhe nis spektaklin e tij. Ai pret vetëm instinktivisht një top të De Vrijit nga një metër larg, duke e devijuar në shtyllë. Pastaj i mbyll mirë rrezen Robenit në një dalje diagonale, ndërkohë që shpëton sërish portën pas një devijimi të Huntelarit, por aksioni ishte ndalur për pozicion jashtë loje. Por në 120 sekondat e fundit të ndeshjes, goditja e radhës nga këndi e “Oranje”-s, e 10-ta për të qenë të saktë, bën të rrëzohet muri i ndërtuar mbi vijën e mbrojtjes meksikane: Shnajder shfrytëzon më së miri një spond nga thellësia e Huntelarit dhe e djathta që kalibron përfundon në rrjetë si një silurë e pakapshme edhe për superOçoan. Në shtesë, Roben pengohet në zonë nga Markez dhe Proença kësaj radhe vërshëllen. Nga 11 metrat, shfaqet vetëm një nga ata që deri dje ishte thjesht një foto e albumit të Van Galit, por që tani do nisë të konsiderohet një hero kombëtar: Huntelar dërgon Oçoan në krahun e kundërt dhe Holandës brenda 5 minutave i kalon ferri dhe parajsa përpara syve.

NOTAT
HOLANDA
SILESEN 5,5 – Kur topi mbërrin në zonën e tij Holanda dridhet. Më shumë se kaq nuk mund të thuhet për të.
DE VRIJ 6 – Mjaftueshëm për të mbajtur ekuilibër në mbrojtje, por jo se është ndonjë fenomen. Gjithsesi, dihej se Holanda në prapavijë nuk ka superlojtarë…
VLAR 6 – Njësoj si De Vrij.
BLIND 6 – Van Gali ia ndërron rolin tetë herë gjatë një ndeshjeje. Anësor në mbrojtjen me tre vetë, mesfushor krahu, mbrojtës, më pas mesfushor sulmues. Ia del pak a shumë në të gjitha rolet.
VERHAEG 5 – Ishte lojtari i dytë në historinë e Holandës që debutonte në fazën me eliminim direkt, por ja që debutimi i tij qe për t’u harruar. (Nga 56′ DEPAJ 6,5 – Hyn dhe sërish ndryshon ndeshjen e Holandës. Freski, agresivitet dhe paparashikueshmëri. Një armë e frikshme në duart e Van Galit.
DE JONG sv. – U largua nga fusha pas 9 minutash. Humbje shumë e rëndë për “portokallinjtë”. (U zëvendësua nga 9′
INDI 6 – U fut në fushë pa nxehmje, por arriti të shtynte shumë përpara).
VIJNALDUM 6,5 – Në mesfushën holandeze është ndoshta më i miri. Prek shumë topa dhe gabon shumë pak.
KAJT 8 – Impresionues. Impenjimi, sakrifica dhe mushkëritë e këtij djaloshi janë diçka unike. Gjigant.
SHNAJDER 6,5 – Të jemi të sinqertë: deri 5 minuta para përfundimit të ndeshjes nota për të ishte gati: më i dobëti në fushë. Jashtë rolit dhe jashtë ndeshjes. Pastaj erdhi ajo gjuajtje me plot zemërim, por shpëtimtare për Holandën. Në kohën e duhur dhe në momentin e duhur…
ROBEN 8,5 – Thjesht i jashtëzakonshëm. Për të gjitha. Në këtë Botëror mund të flasim për perlat e Rodriguezit, golat e Mesit dhe shpërthimet e Nejmarit. Më pas te Holanda është Arjen Roben: një lojtar që “fluturon” me shpejtësi tjetër…
VAN PERSI 5 – Shihet shumë pak në sulm. Tre mbrojtësit e Meksikës ia marrin frymën. (Nga 75′ HUNTELAR 7 – Nuk luante një ndeshje me Holandën që prej dy vitesh. Merr golin, shkon te pika e bardhë dhe ndëshkon makthin “Oçoa”. Më pas vetëm lot).
Trajneri VAN GAL 6 – Trajnerët e mëdhenj kanë edhe fat të madh. Meksikanët i morën mesfushën dhe praktikisht e humbi ndeshjen, por ama vetëm një si ai do të kishte guximin të hiqte Van Persin nga fusha. U shpërblye. Me kaq shumë dëmtime edhe një magjistar nuk do të bënte dot më tepër.

MEKSIKA

Guilermo OÇOA 7 – I magjishëm. Duhet t’i përulet vetëm një predhe të Shnajderit dhe një penalltie të Huntelarit. Deri në minutën e 85-të pret çdo gjë, edhe me fytyrë…
AGUILAR 5 – Kur përballet me Robenin vuan pa masë. Pastaj erdhi edhe Kajti dhe aty mori fund. I pafat.
RODRIGUEZ 6,5 – Qendërmbrojtësit bëjnë një ndeshje të shkëlqyer duke eliminuar Van Persin dhe mbajtur mirë deri në minutën e 85-të. Më pas…
MARKEZ 6 – E vështirë t’i vendosësh notë kapitenit të Meksikës. Zhvillon përgjithësisht një ndeshje për notën 8, por bën dy gabime për notën 4 dhe të dyja kundër Robenit. Në rastin e golit u harrua pas tij dhe në të dytin e rrëzoi duke i dhuruar penallti.
MORENO 6,5 – Përqendrim i lartë në pjesën e parë. “Humbi” edhe këmbët në fushë për të mbrojtur si duhet. (Nga 46′ REJES 6: Zëvendësoi shumë mirë shokun e tij).
LAIUN 6,5 – Impresionuese shtysa që jep në të majtë, por di edhe të mbrojë shumë mirë. Megjithatë, është i detyruar të kërkojë ndihmë sa herë Robenit i shkrepet të kalojë nga krahu i tij.
HERRERA 7 – Ndeshje e shkëlqyer në mesfushë. E shkëlqyer!!!
SALSIDO 6,5 – Në mesin e fushës Meksika është thuajse gjithnjë superiore ndaj Holandës. 85 minutat e mira që bëri në fushë, nuk mund t’i fshijnë ato 5 të fundit. GUARDADO 6,5 – Njësoj si Salsido.
DOS SANTOS 6,5 – Një gol që vlen gjysmën e karrierës të një talenti që pritej ta bënte këtë prej një jete. (Nga 61′ AKUINO 5 – Me shumë mundësi zëvendësimi që ndryshoi ndeshjen. Në momentin më të mirë Herrera largoi nga fusha më të mirin për t’u mbrojtur më shumë. Dhe e pagoi shtrenjtë…)
PERALTA 5,5 – Luan një pjesë të parë të shkëlqyer, por në të dytën ra ndjeshëm. (Nga 75′ HERNANDEZ- pa votë).
Trajneri HERRERA 5,5 – Meksika po fitonte pikërisht prej tij deri në atë moment, sepse taktikisht ishin perfektë. Më pas nxori nga fusha Dos Santosin dhe preferoi “katenaço” të pastër, duke i dhënë mundësi Holandës të luante në sulm. Çfarë gabimi…!
Proença ra pre e aktrimeve të Robenit
Nga GRAHAM POLL
Tre pretendime për 11-metërsh, për të cilat arbitri nuk mendon se janë për t’u vërshëllyer në secilën rast, nuk do të thotë t’i konvertosh ato në një penallti të vetme. Nga kjo duket se përfitoi Arjen Roben dhe Holanda në Fortaleca. Gjyqtari Proença është mësuar me rastet kur lojtarët e ekzagjerojnë dhe simulojnë në Portugalinë e tij. Ai e njeh shumë mirë Robenin edhe nga ndeshjet në Champions dhe u duk sikur ishte gati që t’i injoronte rëniet teatrale të lojtarit gjatë ndeshjes. Penalltia që akordoi në fund të ndeshjes erdhi nga një gabim në mbrojtje i kapitenit Rafael Markez, i cili nga ditët e tij te Barcelona duhet ta dinte më mirë se në cilën mënyrë duhet ta vendoste këmbën e tij me një lojtar si Robeni. Ky rast, ndoshta meriton një tjetër moviolë, por unë do të ngurroja të vërshëlleja për mënyrën se si holandezi fluturon me të dyja këmbët pas tij. Gjatë ndeshjes pati një faull shumë herë më të pastër që duhej akorduar 11-metërsh, ai përpara fundit të pjesës së parë, kur Roben u arrit nga Markez dhe më pas e përfshiu Hektor Moreno. Edhe Meksika kishte një penallti të pastër kur Hektor Herrera po bëhej gati të godiste në portë me kokë, por Vlar fluturoi takat e tij për të ndalur meksikanin. Kjo konsiderohet lojë e rrezikshme dhe në të tilla situata, kur ka kontakt fizik, mund të japësh ose penallti, ose faull me dy takime. Ka një tjetër rast penalltie në minutën e 67-të, kur Roben rrëzohet natyralist në zonë, por Proença bën me shenjë vazhdimin e lojës.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"