Hulio Sezar heroi, Brazili kualifikohet nga pika e bardhë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2014 | 17:50

Hulio Sezar heroi, Brazili kualifikohet nga pika e bardhë

BRAZILI-kryesoreNdeshja e parë e 1/8 finale të Botërorit 2014 ka dhuruar emocione të mëdha, që nuk kanë mbaruar deri në goditjen e fundit nga pika e bardhë e penalltisë. Koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1, me gola të David Luiz dhe Aleksis Sancez, ndërkohë që koha shtesë, dy herë nga 15 minuta, nuk e ka përcaktuar dot fituesin. Për rrjedhojë, është dashur goditja nga pika e penalltive, ku vendësit janë treguar më trë saktë, por kanë pasur edhe më shumë fat. Hulio Sezar priti dy penallti të kilenëve dhe në një të tretë i erdhi në ndihmë shtylla pingule, duke dërguar kësisoji të tijtë në cerekfinale të Kupës së Botës 2014. Pa shkëlqim, por me fat nga pika e bardhë…


BRAZIL-KILI  1:1
  (3-2 pen)
Golat: Luiz 18’/ Sancez 32′
BRAZILI: J.Cesar, D.Alves, T.Silva, D.Luiz, Marcelo, Fernandinjo (Ramires 72′), L.Gustavo, Hulk, Oscar (Willian 107′), Neymar, Fred (Jo 64′). Trajner: Skolari
KILI: Bravo, Isla, Medel (J.Rojas 108′), Jara, Mena, Aranguiz, M.Diaz, A.Vidal (M.Pinilla 86′), Valdivia, Alexis, Vargas (Gutierrez 57′). Trajner: Sampaoli
Gjyqtarë: H.Webb, M.Mullarkey, D.Cann
Kartonë të verdhë: Hulk 55′, L.Gustavo 60′, Jo 94′, Alvesh 106′ / Mena 17′, F.Silva 40′, Pinilla 102′

Penalltitë
Brazil-Kili 3-2
Brazili: D.Luiz +, Willian -,  Marcelo +, Hulk -, Nejmar +
Kili: Pinilla -, Sancez -, Aranguiz +, Diaz +, Jara –

Brazil 1Pjesa e parë Ndeshja nis e shpejtë dhe tepër luftarake për të dyja skuadrat. Kryesori Ueb “fal” në dy raste, pa u mbushur 5 minuta lojë, duke e kursyer kartonin e verdhë, pas ndërhyrjeve të gabuara të Fernandinjos dhe Vidalit. Nejmar është nën një markim të rreptë nga afër të dy-tre lojtarëve kundërshtarë, që sa bie në kontakt me topin, 22-vjecari e sheh veten si në një kafaz. Pak a shumë të tillë vëmendje fiton edhe Aleksis Sancez nga prapavija braziliane, ndërsa topi endet san ë njërën portë në tjetrën. “Selecao” e rrit presionin dhe duket qartë se kërkon sa më shpejt zhbllokimin e rezultatit, për t’u cliruar edhe psikologjikisht. Shtrengon radhët Kili, që duhet të superojë edhe mijërat e tifozëve brazilianë, të cilët mbështesin fuqishëm skuadrën e Skolarit. Në minutën e 16-të, Nejmar rrëmben një top në mesfushë dhe vërshon drejt portës kundërshtare, por cuditërisht vonon në goditje, duke humbur mundësinë e shkëlqyer për gol. Por nuk gabojnë vendësit në minutën e 18-të. Krosimi nga këndorja e Nejmarit kalon nëpër këmbët e futbollistëve te zona e portës kilene dhe David Luiz e shtyn “sferën” për në rrjetë. 1-0 për Brazilin, rrjedhojë logjike e një presioni asfiksues, që erdhi në rritje progresive nga minuta në minutë. Duket se ky moment i ka shkundur disi kilenët, të papërqendruar dhe të pasaktë në qarkullimin e topit. Mundohet të reagojë skuadra e Sampaolit, por ka fare pak hapësira veprimi për të. Brazilianët luftojnë fort për topin e parë dhe nuk e lënë kundërshtarin të bëjë tri pasime radhazi të sakta. E tërë loja e Kilit është e orientuar me pasimin e topit të gjatë për te Sancez, i cili e ka të vështirë të cajë digën mbrojtëse të “Selecaos”. Goli i shpejtë e ka dhënë efektin të të dyja skuadrat: ka cliruar brazilianët, që nuk e heqin “këmbën nga gazi”, por duan të dyfishojnë shifrat, ndërsa Kili shton më tepër konfuzionin e vet. Megjithatë, përfitojnë nga një gabim fatal në mbrojtje i Brazilit. Minuta e 32-të dhe Sancez nuk u beson syve, teksa lihet i lirë dhe i vetëm me Hulio Sezar. Godet tokazi dhe barazon shifrat. Goli vjen në momentin më kritik për kilenët, kur thuajse i ishin nënshtruar diktatit të “Sambas”. Ndeshja rindizet edhe më fort. Nejmar qeth shtyllën e portës kilene me kokë, në mësymjen që nis menjeherë pas golit të pësuar e nuk ndalet deri në fund të 45 minutave të para. Sidoqoftë, barazimi 1-1 mbetet në fuqi, edhe pse epërsia territoriale, në raste, qarkullim e zotërim topi anon dukshëm nga Brazili.
SancezPjesa e dytë  Nis pa ndryshime në përbërjet e të dyja skuadrave, por me të njëjtin temp dhe “egërsi”. Në ofensivë mbetet Brazili, që trondit portën kilene me anë të Fernandinjos në 49’, ndërkohë që Vidal dhe të tijtë mundohen të aplikojnë kundërsulmin. Pasimet e Kilit janë të gjata, duke tentuar të evitojnë kësisoji përplasjet e ashpra në mesfushë. Tentohet Aleksis Sancez, shpejtësia e të cilit në driblime dhe shpërthime individuale është e spikatur. Në hije mbetet Vargas (zëvendësohet nga Gutierrez në 57’), në sulmin kilen, që pak bie në kontakt me topin. Vidal është një “luftëtar” i vërtetë në filtrimin që u bën aksioneve të kundërshtarit, duke amortizuar sadopak presionin në gjysmëfushën e vet. Megjithatë, mbizotëron ngutja dhe paqartësia në veprime e të dyja skuadrave, cka vjen si rezultat i ngarkesës së madhe psikologjike. Asnjëra palë s’i hap rrugë tjetrës, dhe nuk kanë se si, pasi bëhet fjalë për një ndeshje ku njëra kualifikohet në cerekfinale të Botërorit dhe tjetra shkon në shtëpi. Parë kështu, 45 minutat e dyta janë më të kujdesshme, sidomos në prapavijë, sepse goli i pësuar vështirë të rikuperohet më. Hulk shënon në minutën e 55-të dhe brazilianët shpërthejnë në delir, por kruesori Ueb ngrin gjithcka. Sulmuesi brazilian e ka zotëruar topin me dorë para se ta godiste në rrjetë, por nuk mund të ketë “dorë të Zotit” për kryesorin anglez, mjaft i saktë. Në minutën e 64-t Skolari bën zëvendësimin e parë. Fred, i padukshëm në fushë, ulet në stol dhe në vend të tij hidhet Jo. Ka dicka që nuk shkon te Brazili, sidomos në ndërtimin e aksioenev. Mungon frymëmarrja në mesfushë, ndërkohë që kilenët aplikojnë presing për topin e parë. Ata pranojnë të jenë në pritje të kundërshtarit, por dalin rrezikshëm në kundërsulm. Në këtë fraksion loje sikur është “zhdukur” Nejmar, që përpos ndonjë veprimi individual pa rrezik, nuk figuron më në kronikën e sfidës. Portieri Hulio Sezar bëhet shpëtimtar në dy raste, kur Kili i konkludon me goditje të rrepta daljet e shpejta në sulm. Skolari mundohet të rregullojë dicka në mesfushë, kur aktivizon Ramires në vend të Fernandinjos në 72’, por tashmë kilenët janë të qet e të qartë në veprimet e tyre, nuk nxitohen e gabojnë si në pjesën e parë. Natyrisht, loja e ka humbur ritmin, edhe si pasojë e temperaturave të larta, por edhe për shkak se mendohet shumë të mos pësohet gol. Jo për Brazilin bën të pabesueshmen në minutën e 75-të, teksa nuk e shtyn dot në rrjetë, i vetëm me portën, pasimin diagonal të Hulkut. Kjo është shenjë tjetër e tensionit që e ka përfshirë skuadrën e Skolarit, e cila nis të dëgjojë edhe ndonjë vërshëllimë të tifozërisë së vet. Poertieri i Kilit bën mrekullinë 6 minuta para mbarimit të kohës së rregullt, duke grushtuar predhën e Hulkut dhe mbajtur të tijtë në lojë. Nuk ka fitues në 90 minuta, ndaj kërkohet shtesa 2×15 minuta për të përcaktuar cerekfinalistin e parë të Botërorit.
Koha shtesë Janë minuta që rëndojnë nkëmbët e futbollistëve. Temperaturat e larta kanë bërë të vetën, ndaj lojtarët e të dyja skuadrave shpresojnë më shumë te fati tashmë. Sidomos Brazili duket i lodhur, ndërsa kilenët mbahen më shumë në këtë drejtim. Ata kanë zhvilluar një pjesë të dytë mjaft të mirë, cka u jep besim edhe për kohën shtesë. Duket qartë se trajneri Sampaoli kërkon ta cojë ndeshjen drejt goditjes së penalltive, njëlloj “ruleti”, ku mund të mos triumfojë gjithnjë favoriti. Skuadra e Skolarit nuk ka freskinë mentale, mbi të gjithë, për ta spostuar lojën në gjysmëfushën kilene dhe për të zhbllokuar rezultatin e barabartë. Sulmi i “Selecao”-s është thuajse inekzistent, ndërkohë që minutat kalojnë pa ndonjë rrezik në portat respektive. Nuk kanë më fuqi për të ndërmarrë aksione korale dhe me pasime të rrjedhshme skuadrat, kështu që pajtohen në heshtje me fatin e penalltive, edhe pse trau i portës shpëton në ekstremin e kohës shtesë Brazilin nga goli i dytë. Pinilla sjell drithërima në stadium, por fati është me “Selecao”-n kësaj here. Ndryshe nga sa pritej, 120 minuta lojë nuk kanë mjaftuar për të përcaktuar fituesin, i cili është produkt i 11-metërshave.  Së këndejmi tregohet më i saktë Brazili, teksa Hulios Sezar priti dy penallti të kundërshtarit dhe në një të tretë i erdhi në ndihmë shtylla pingule, që shkon në cerekfinale të Kupës së Botës 2014.

……………………………………………………………………………………….

James RodriguesKolumbia e pandalshme, tani “kërcënon” Brazilin
Kolumbi-Uruguaji  2-0
Golat: Rodríguez 28′, 50′
Kolumbia:
Ospina, Zuñiga, Armero, Aguilar, Zapata, Yepes, Cuadrado (Guarín 81′), Sánchez, Martínez, Gutiérrez (Mejía 68′), Rodríguez (Ramos 85′). Trajner: Pekerman
Uruguai: Muslera, Maxi Pereira, Pereira (Ramírez 53′), Cáceres, Godín, Giménez, González (Hernández 67′), Arévalo Rios, Forlán (Stuani 53′), Cavani, Rodríguez . Trajner: Tabarez
Kartonë të verdhë: Artmero / Gimenez
Gjyqtar: Björn Kuipers

Kolumbia fiton pastër ndaj Uruguajit dhe kërcënon Brazilin, me të cilin do të përballet në cerekfinale. Skuadra e drejtuar nga argjentinasi Pekerman merr fitoren e katërt radhazi në këtë Botëror, duke dëshmuar se nuk ka asgjë rastësore në ecurinë tejet pozitive të saj. Vec të tjerash, tashmë skuadra kolumbiane ka në radhët e veta edhe golashënuesin më të mirë të këtij Botërori, deri më tani, James Rodrigues, me 5 gola. Lojtari në fjalë realizoi dopietë ndaj Uruguajit, duke vendosur fatin e kësaj ndeshjeje, që u mbyll me rezultatin 2-0. Oskar Tabarez nuk arriti të kompensonte dot mungesën e Luis Suarezit të pezulluar pas kafshimit që i bëri Kielinit, teksa aktivizimi në vend të tij i veteranit Diego Forlan rezultoi dicka e dështuar. Edhe Kavani e pati të vështirë të superonte një mbrojtje gati hermetike të Kolumbisë, e cila shfaqi koordinim perfekt mes reparteve, soliditet në lojën e grupit dhe talent të rrallë në aspektin individual, ku spikati autori i dy golave, Rodrigues. Sidomos në rastin e golit të parë, lojtari që është pjesë e Monakos tregoi klas të lartë. Forcën e kolumbianëve tashmë do ta provojë vendi oprganizator i këtij Botërori, Brazili, që nga ana e vet mezi kaloi në cerekfinale, përmes goditjes së penalltive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"