Holanda, hakmarrje poshtëruese ndaj Spanjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2014 | 10:55

Holanda, hakmarrje poshtëruese ndaj Spanjës

SPANJAAA5-1! “Manita” e Holandës, turpërim deri në kufijtë e poshtërimit të kampionëve të Botës dhe Europës në fuqi. Triumf i gjithanshëm i Van Galit ndaj Del Boskes, mrekulli më vete dyshja Van Persi-Roben. Spektakël portokalli në ndeshjen e tyre të parë në Botërorin e Brazilit, një sinjal i fortë për këdo, sikur don të thotë: Llogariteni edhe Holandën mes favoritëve! Jo me fjalë, por me vepra, ashtu sikur s’e kishte parashikuar edhe më optimisti. Hakmarrja për finalen e Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut ka ardhur e plotë, deri në kufijtë e turpërimit për Spanjën, e cila duket se nuk do të bëjë rrugë të gjatë në “Brazil 2014” me një paraqitje të tillë. Portokallinjtë kanë marrë “superxhiro”, duke bërë “kurban” që në start kampionët e Botës dhe të Europës në fuqi dhe shënuar plot pesë gola. Dy dopieta për portokallinjtë, që mbajnë autorësinë e Van Persit dhe Robenit, liderët e skuadrës së strategut Van Gal.

Botërori 2014
Grupi B, stadiumi “Arena Fonte Nova”
SPANJE   1:5   HOLANDA
Golat: Alonso 27′ (pen) / Van Persi 44′, 72′, Roben 53′, 80′, S. de Vrij 64′

KasijasPjesa e parë Ndeshja nis e fortë për të dyja palët, që nuk i lejojnë terren njëra-tjetrës dhe angazhohen fuqishm në luftën për topin e parë. Dyluftimet mes lojtarëve janë tejet luftarake, ndërkohë që palët i ruhen njëra-tjetrës. Ka vështirësi në qarkullimin e topit, si pasojë e një presingu nga të dyja kahjet, që ushtrohet në cdo cep të fushës. Holandezët mundohen të mbajnë nën kontroll dyshen Ksavi-Iniesta, me qëllim që të prishin “regjinë” e lojës iberike, ndërsa përplasjet Xabi Alonso-De Jong e rrisin temperaturën e kësaj finaleje të parakohëshme. Shnajderi dhe Roben nuk i kanë “xhirot” e duhura, teksa mbahen nën mbulim të rreptë, ashtu sikurse Van Persi duhet t’i bëjë mirë llogaritë me dyshen e qendrës së prapavijës spanjolle, Pike-Ramos. Diego Kosta ka superuar dëmtimin dhe e nis sfidën si titullar, por pak bie në kontakt me topin. Rasti i parë ideal për gol i takon Holandës, në minutën e tetë. Shnajder i vidhet bukur mbrojtjes iberike dhe del i vetëm përballë Kasijasit. Mesfushori holandez godet rreptë, por portieri i Realit të Madridit eviton me këmbë një gol të sigurtë. Dy minuta më pas kundërpërgjigjet Iniesta me një goditje nga distanca, por që kalon mbi traun e kuadratit portokalli. Ideale si mundësi ajo e minutës së 13-të për Diego Kostën, që fitopn një top të artë nga gabimi i mbrojtjes holandeze dhe gjendet i vetëm me portën kundërshtare. Braziliani vonon në goditje, duke i dhënë mundësinë De Jongut t’ia heqë topin nga këmbët në momentin deciziv. Pas minutës së 20-të, spanjollët qarkullojnë dendur topin, duke dashur të evitojnë sa të munden përplasjet me holandezët, që nuk i kursejnë shumë ndërhyrjet e gabuara. Duket një mllef i madh te “tulipanët”, që vjen nga finalja e humbur e Botërorit paraardhës. Ka vend për “hakmarrje”, por tendosja maksimale bën që skuadra e Van Galit të gabojë jo pak në mbrojtje.
Në minutën e 26-të Spanja fiton penallti. Diego Kosta pengohet në mënyrë të parregullt në zonën e portës holandeze, teksa kryesori italian nuk heziton, por tregon pikën e bardhë, prej nga realizon Xabi Alonso. Reagimi holandez është i zbehtë, ndërkohë që Roben dhe Van Persi në tri-katër raste bien në “rrjetën” e pozicionit jashtë loje, që iberikët e aplikojnë me shumë sukses. Fundi i pjesës së parë e vendos David Silvën vetëm për vetëm me portierin holandez, por mesfushori i Mancester Sitit gabon rëndë, duke mos e dyfishuar dot rezultatin. Dhe po nuk shënove, do ta pësosh në futboll. Kështu ndodh me Van Persin, që përmes një fluturimi akrobatik dhe goditjes me kokë barazon shifrat në 44’.
De JongPjesa e dytë Loja rinis nën reshjet e shiut tashmë. Nuk ka zëvendësime direkte te skuadrat, ndërsa luhet më hapur tashmë. Bien në sy daljet nga krahët, si te Spanja edhe te Holanda, ashtu sikurse vertikalizimet e aksioneve. Tentativën e parë në këtë fraksion loje e bën Ksavi me goditjen nga distanca, por pret në dy kohë portieri i portokallinjve. Goli i barazimit u ka dhënë zemër “tulipanëve”, të cilët kanë fituar më shumë siguri e besim në veprimet e tyre. Iberikët vijojnë me qarkullim të dendur të topit, por “thyejnë kokën” në gjysmëfushën kundërshtare. Në minutën e 53-të Roben dyfishon shifrat. Pasimi i gjatë i marrë nga mesfusha “përpunohet” mjeshtërisht nga anësori i Bajernit të Mynihut, që driblon Pikenë dhe Ramos njëherësh, duke shkundur pastaj topin në rrjetën e Kasijasit. Del Boske nuk u beson syve, teksa ngrihet në këmbë dhe mundohet t’u japë kurajo të tijve. Nuk funksionon kampionia në fuqi e Botës, është e mefshtë dhe e deprimuar moralisht. Van Persi mund t’i kishte “mbyllur hesapet” në minutën e 60-të, kur goditi traun e portës së Kasijasit.  Spanja bën dy zëvendësime të menjëhershme. Kosta ia lë vendin Torresit në sulm dhe Xabi Alonso “hap krahun” për Pedron. Synohet njëlloj freskimi i lojës së iberikëve, që thellojnë disavantazhin në minutën e 64-t. Kampionët e Botës janë të tronditur thellë, nuk gjejnë forca për të reaguar dhe përballuar uraganin “Holandë”, që në pjesën e dytë vërtet shkëlqeu. Këtë e dëshmon edhe gafa që bën kapiteni Kasijas në minutën e 72-të, që ia dhuron topin në zonën e tij Van Persit, i cili kompleton dopietën personale dhe “pokerin” nënshtrues të iberikëve, që s’do njihte kufij në fakt, sepse Roben do të poshtëronte mbrojtësit dhe portierin Kasijas në minutën e 80-të, duke rrumbullakosur “manita”-n. Hakmarrja për finalen e Botërori 2010 në Afrikën e Jugut është e plotë, deri në kufijtë e turpërimit për Spanjën, e cila duket se nuk do të bëjë rrugë të gjatë në “Brazil 2014” me një paraqitje të tillë. Portokallinjtë kanë marrë “superxhiro”, duke bërë “kurban” që në start kampionët e Botës dhe të Europës në fuqi dhe shënuar plot pesë gola. Dy dopieta për portokallinjtë, që mbajnë autorësinë e Van Persit dhe Robenit, liderët e skuadrës së strategut Van Gal.

Del Boske: Holanda e meritoi
Del Boske është një zotëri i vërtetë edhe pas një humbjeje. Ai pranon se skuadra e tij zhvilloi një ndër ndeshjet më të dobëta dhe duhet të pranojë rezultatin. “Ishte një humbje e rëndë dhe tani jemi në një moment delikat. Revolucion në skuadër? Nuk është momenti të flasim për revolucion tani, por të pranojmë humbjen me qetësi dhe të reflektojmë. Mund të kishim shënuar edhe golin e dytë me Silvën në pjesën e parë, por gjithsesi kaq nuk mjafton për të thënë se nuk e merituam humbjen”, u shpreh del Boske pas ndeshjes.

Rekord i Van Persit, dështon Kasijasi
Robin van Persi është futbollisti i parë holandez që arrin të shënojë gol në tre edicione të ndryshme të Kupës së Botës, kur gjeti rrugën e rrjetës dy herë në takimin e djeshëm kundër Spanjës. Sulmuesi 30-vjeçar ka arritur të shënojë në Kupën e Botës 2006, 2010 dhe tashmë në kompeticionin e Brazilit. Por, me golin e shënuar në të 44-n, ai i hoqi edhe mundësinë Iker Kasijasit që të thyente rekordin e Zengës, për më shumë minuta pa pësuar në Botëror. Gardianit spanjoll i duhej të ruante të paprekur rrjetën për 86 minuta, por nuk ia doli mbanë.

Iniesta: “Fjetëm” pas golit të Alonsos
Mesfushori i Spanjës, Andres Iniesta deklaroi se skuadra e tij duhet të tregohet e matur dhe të kalojë pa shumë probleme humbjen e rëndë që pësoi dje. “Zakonisht humbje kaq të thella lënë gjurmë në secilin lojtar. Por ne jemi të detyruar ta lëmë pas krahëve këtë humbje dhe të fitojmë dy ndeshjet e mbetura, sepse jemi kampionët në fuqi dhe njerëzit presin shumë më tepër sesa kaq nga ne. Dua të them gjithashtu se jemi të vetëdijshëm se do të ketë një lumë kritikash pas kësaj disfate, por mos harroni se nuk mund të hidhet poshtë puna e bërë nga kjo skuadër gjatë gjithë kësaj periudhe. Ne gabuam shumë pas golit të Alonsos, sepse menduam se e kishim fituar ndeshjen dhe e ulëm ritmin, por kjo na ndëshkoi”, deklaroi mesfushori i Spanjës pas humbjes 5-1 kundër Holandës.

Van Persi: Do ta ruaj përjetë DVD-në e kësaj ndeshjeje
Sulmuesi i Holandës, Robin van Persi ka deklaruar pas ndeshjes se ishte i bindur që do të shënonte. “Është fantastike të fitosh një ndeshje 5-1, por kur mendon se përballë kemi pasur Spanjën, kampione bote, atëherë kjo është gati e pabesueshme. Unë isha i bindur se do të shënoja në këtë ndeshje. Holandezët duhet të jenë krenarë për ne dhe unë vetë mezi po pres të marr DVD-në e kësaj ndeshjeje për ta ruajtur si kujtim. Kemi punuar shumë për të qenë sa më solidë, por gjithsesi të mos harrojmë se ende nuk kemi siguruar kalimin e grupit dhe duhet të jemi të kujdesshëm”, tha ndër të tjera ylli i “tulipanëve”.


Spanjë-Holandë 1-5. Të gjithë golat, “highlights” i ndeshjes

kili1Kili kalon pa problem Australinë
Përfaqësuesja e Kilit ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme në përballje me Australinë, ndeshje e luajtur në kapërcyell të së premtes dhe së shtunës. Kilianët triumfuan 3-1 ndaj australianëve, në një ndeshje tejet të mirë, duke kaluar kësisoj Spanjën në renditjen e Grupit B. Alexis Sancez (12’), Jorge Valdivia (14’) dhe Jean Beausejour (90′) shënuan golat për Kilin në këtë sfidë, teksa golin e vetëm të australianëve e realizoi Tim Caihll (35’). Kili tani ka tri pikë në Grupin B, aq sa ka edhe Holanda, e cila mposhti thellë, 5-1, Spanjën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"