22 vite futboll, Belisha: Tani më shihni si trajner. Pengu im, që babai s’më pa në fushë

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Maj 13, 2014 | 9:00

22 vite futboll, Belisha: Tani më shihni si trajner. Pengu im, që babai s’më pa në fushë

belishaAmarildo Belisha i ka dhënë fund karrierës së tij 15- vjeçare përmes emocionesh të shumta. “Ildoja”, siç e thërrasin shokët e skuadrës, e ka pasur tepër të vështirë për të folur për karrierën. Por në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka treguar se si e nisi rrugën e futbollit, cili ka qenë trajneri më i mirë, sezoni më i vështirë, si dhe ka folur për nisjen e një tjetër rruge tashmë, atë të trajningut.
Belisha, largoheni pas 15 vitesh nga futbolli i luajtur, cila është ndjesia e parë?
Keqardhja që ndjen njeriu kur lë diçka pasi ke jetuar për vite me radhë. Përveç 15 viteve në Superiore, duke shtuar edhe vitet me moshat, bëhen plot 22 vite në total. Të them të drejtën, pas gjithë këtyre viteve unë ndihem si bosh. Siç dihet, çdo fillim e ka një fund dhe kjo nuk është e përjetshme.
Si ishin momente e para, si ndodhi që i hyre kësaj rruge?
E kam nisur atë nëpër rrugica lagjesh. Më pas kam kaluar në ekipet e moshave të Vllaznisë. Trajneri im i parë ka qenë i ndjeri Artan Bushati, i cili edhe pse nuk jeton më, e falënderoj shumë për punën që ka bërë jo vetëm me mua, por me gjithë brezin tim, duke na dhënë “abc”-në e sportit. Pastaj kam vijuar me moshat respektive, paratërinj dhe të rinj, deri sa kalova në ekipin e parë të Vllaznisë.
Sa e vështirë ka qenë në ato kohë për t’u bërë futbollist?
Ka pasur shumë vështirësi. Jo për kohën që kemi kaluar, por i referohem aspektit futbollistik. Ka ekzistuar një konkurrencë shumë e madhe, pasi ka pasur emra të mëdhenj të futbollit si Grima, Noga, Zmijani, Dibra, Lici, Cungu, Patushi, Bizi, Sinani, Martini.
Ishte futbolli që ju zgjodhi juve apo ju që zgjodhët futbollin?
Natyrisht që isha unë që zgjodha futbollin, por ishte edhe dëshira e madhe e babait tim, i cili nuk jeton më. Fatkeqësisht ai u nda nga jeta një vit pasi unë e kisha nisur sportin. Kam pasur vështirësi sepse situata ekonomike në atë periudhë nuk ishte shumë e mirë. Në një moment, nëna ime ishte në mëdyshje që ta vazhdoja apo jo futbollin. Thjesht dëshira për të mos e ndërprerë atë ëndërr që babai im kishte, më bëri që edhe me ndihmën e Zotit unë ta vijoja pa ndërprerje.
A mendoni se babai ndihet krenar teksa ju sheh lart nga qielli?
Shpresoj të jetë kështu. E di që nëna ime është krenare për mua. Babai im nuk arriti të më shihte në fushën e lojës, por shpresoj që ta kem përmbushur ëndrrën e tij (loton nga emocionet).
Cili ka qenë sezoni më i vështirë i juaji?
Sezoni i fundit që mbyllëm ka qenë më i vështiri.
Cili është sezoni më i mirë i juaji?
Për mua sezoni më i mirë, patjetër që është fitimi i kampionatit me Vllazninë në vitet 2000-2001. Gjithashtu Superkupa po në atë vit dhe fitimi i Kupës me Besën, sepse edhe atje ishte një kënaqësi e veçantë, pikërisht pse ishte trofeu i parë që shkonte për atë qytet. Nga ana e rëndësisë, patjetër që janë edhe kalimet e suksesshme të Vllaznisë në Kupat e Europës.
Në 15 vite 3 trofe të fituar, a është ky një bilanc pozitiv?
Normalisht njeriu me trofe nuk kënaqet kurrë. Duke qenë skuadër rrethesh mundësitë kanë qenë më të pakta, pasi na kanë luftuar gjithmonë. Tre trofe në 15 vite nuk janë shumë, por kjo është në varësi edhe të situatës ekonomike. Pavarësisht kësaj, jam i kënaqur me vitet që kam kaluar te Vllaznia. Ndjej një emocion të madh.
Me pak kujdes, gjatë kësaj periudhe kur ju keni luajtur, a mund të ishte arritur që Vllaznia të kishte fituar më shumë trofe?
Është normale që Vllaznia duhej të kishte pasur trofe më tepër, por janë një sërë faktorësh që të çojnë te titulli. Së pari duhet të kesh baza të shëndosha ekonomike. Janë edhe komponentë te tjerë, tifozëria, mbështetja e presidencës, një trajner profesionist etj. Kemi pasur raste kur kemi qenë pranë fitimit të titullit kampion, siç ishte viti 2008, kur në ndeshjen e fundit na rrëshqiti titulli nga duart për të cilën e ka peng.
Cila është një ndeshje e suksesshme që ju ka mbetur në mendje?
(Qesh) Ndeshja për kupë me Partizanin në Tiranë, kur Vllaznia u kualifikua në sekondat e fundit me një gol të mrekullueshëm të Albert Kaçit.
9 gola të shënuar në 403 ndeshje të luajtura, pak apo shumë?
(Qesh) Është normale, sepse duke parë pozicionin tim në fushë natyrisht që nuk është një koeficient i mirë. Nuk jam shquar ndonjëherë për golashënues. Më shumë loja ime ka qenë një lojtar trajner sesa një lojtar për të zgjidhur situatat. Jam krenar sepse deri në ndeshjen e fundit nuk kam luajtur kurrë me zor. Në një moment e pashë veten se ku ndodhesha, ndaj vendosa të shkëputem.
A keni debatuar ndonjëherë me trajnerët për këto çështje?
Patjetër që kam pasur ndonjëherë edhe debate.
Keni kundërshtuar?
Jo, asnjëherë. Pavarësisht dëshirës time, urdhri i trajnerit ka qenë gjithnjë primar.
Cili është trajneri që keni më përzemër?
Në fakt, kam ndërruar shumë trajnerë gjatë karrierës sime. Megjithatë, trajneri që kam pasur më përzemër është i ndjeri Artan Bushati. Nga ai unë kam mësuar gjithçka dhe i dedikohem shumë. Normalisht që falënderoj të gjithë trajnerët më të cilët kam punuar.
Trajneri që keni pasur më shumë probleme?
Do apo nuk do futbollisti është i detyruar për ta “kapërdijë” trajnerin dhe nuk ka çfarë të bëjë. Natyrisht që kam pasur fërkime me trajnerë të, por nuk kam një emër të veçantë. Tani që kanë kaluar vitet, u kërkoj falje.
Nga lojtarët, cili është miku juaj më i mirë?
Kam shumë miq, duke nisur nga Grima, Sinani, Beqiri, Kraja, Smajli, Kaçi, Doçi, pra pak a shumë ky brez më të cilin kam luajtur dhe jemi rritur bashkë.
A ka pasur ndonjëherë klane te Vllaznia?
Klanet nuk kanë ekzistuar asnjëherë. Ajo që mund të them është se mund të ketë pasur pakënaqësi për një aktivizim apo për një tjetër, por asnjëherë nuk kemi arritur te përçarja.
Çfarë do të bëjë Belisha pas futbollit të luajtur?
Natyrisht që një vëmendje të madhe do t’i përkushtoj familjes sime. Kam mbaruar licencën B për trajner vitin e kaluar dhe jam regjistruar tashmë për të marrë A. Nuk e shoh veten jashtë futbollit. Kështu, e ardhmja ime do të jetë roli i trajnerit.
Jeni penduar që keni zgjedhur rrugën e futbollit?
Asnjëherë, përkundrazi jam shumë krenar. Më ka dhuruar shumë emocione dhe më ka bërë të ndjehem i veçantë. Nëse do të më jepej mundësia, sërish do të zgjidhja futbollin.
ADMIR URUÇI






www.minuta90.com