De Biazi: E hidhur të humbësh ndaj një skuadre inferiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2014 | 20:23

De Biazi: E hidhur të humbësh ndaj një skuadre inferiore

Hungari-Shqiperi 1-0Dy humbje radhazi nga 1-0 dhe asnjë gol i shënuar. Shqipëria nuk jep sinjale pozitive në prag të eliminatoreve, teksa edhe dje, në miqësoren e radhës ndaj Hungarisë, tregoi një lojë të mefshtë. Përballë një kundërshtari, që nuk kishte diferenca që mund t’u imponohej kuqezinjve në lojë, të besuarit e De Biazit u treguan një skuadër e lodhur. Në fund, ashtu si ndodhi edhe ndaj Rumanisë, u ndëshkuan. Këtë herë Shqipëria e pësoi nga një penallti fantazmë, që vetëm gjyqtari irlandez e pa si të tillë, pasi në bazë të pamjeve filmike, i aktivizuari në pjesën e dytë, Priskin, u rrëzua në mënyrë qesharake brenda zone, pa pasur kontakt me Canën apo Kaçen. Gjithsesi, kjo nuk e justifikon lojën e dobët të Kombëtares kuqezi, që goditi vetëm dy herë portën gjatë 90 minutave. Rasti i parë dhe ai që vërtet mund të quhej rrezik në portën hungareze ishte i minutës së 85-të, kur një goditje mjeshtërore e Agollit u neutralizua mrekullisht nga “gardiani” kundërshtar, Daniel Roza. Një ekip që nuk bind dhe një skemë që rezultoi dështim. Pa Kaçen e Abrashin në mesfushë, qarkullimi i topit mungoi. Eksperimenti i De Biazit për ta bërë Shqipërinë më sulmuese nuk pati efikasitet. Për më tepër te kuqezinjtë munguan aksionet e rrjedhshme dhe loja u zhvillua thuajse e gjitha me një rritëm shumë të ulët. Një zhgënjim total, duke pasur parasysh edhe kundërshtarin, që gjithashtu tregoi pak cilësi, edhe pse ishte shumë më i organizuar se Shqipëria.

Ndeshje miqësore, Stadiumi “Ferenc Puskás”, Budapest
HUNGARI-SHQIPERI  1-0

Goli: T.Priskin 82′ (pen)


Hungari-Shqiperi 1-0, Curri ne dyluftimPjesa e parë
Shqipëria e nis me skemën 4-3-2-1, ku binte në sy spostimi i Canës në mesfushë dhe ulja në stol e dyshes së qendrës së këtij reaprti: Kaçe e Abrashi. De Biazi kërkonte që të shfrytëzonte lojën nga krahët, aty ku Shqipëria ka kualitete. Megjithatë, Rama e Gashi bënë pak, në një kohë që edhe ndihma e Agollit e Lilës nuk ishte ajo e duhura. Për shumë minuta loja bëhet e mërzitshme, saqë për të parë një rast të rrezikshëm, duhet të presësh gjatë. Edhe Hungaria nuk është në një ditë të mirë, teksa veprimet teknike të kapitenit Balazh Dxhuxhak nuk mjaftojnë. Nga ana tjetër, për kuqezinjtë sulmuesi Sokol Cikalleshi, edhe pse mundohet shumë për të krijuar hapësira, e ka të vështirë të çajë në mbrojtjen hungareze. Gashi dhe Rama duken jashtë forme, madje edhe kur hungarezët gabojnë, sulmuesit kuqezi nuk përfitojnë. Pjesa e parë mbyllet me një tentativë të Cikalleshit nga distanca, por që nuk përbën rrezik për portierin Roza.
Pjesa e dytë Kombëtarja e nis me të njëjtit lojtarë, ndërsa Hungaria bën dy zëvendësime pa kaluar ende minuta e 55- të. Loja është fotokopje e së parës, madje bëhet mjaft e mërzitshme, pasi rastet e pastra mungojnë thuajse në të dyja portat. Vendësit janë më kërkues dhe shtyjnë drejt sulmit, por mbrojtja kuqezi është e ngjeshur dhe lë pak hapësira. Lëvizja e parë e De Biazit është aktivizimi i Kaçes, me idenë për të përmirësuar mesin e fushës, ndërsa Cana kthehet në rolin e tij të zakonshëm, në qendër të mbrojtjes. Për Shqipërinë nuk ndryshon asgjë, ndërsa Hungaria është më agresive. Vendësit bëjnë plot gjashtë zëvendësime dhe arrijnë të fitojnë një penallti shumë të dyshimtë me të sapofuturin Priskin. Një dyluftim i këtij të fundit me Canën dhe Kaçen brenda zone, mjafton që gjyqtari irlandez të akordojë penallti. Nga pika e bardhë godet saktë Priskin dhe Hungaria kalon në avantazh. Pas pësimit të golit kuqezinjtë zgjohen dhe bëhen të rrezikshëm me Kapllanin e Vajushin. Sulmuesi durrsak shënon në një moment, por kapet në pozicion jashtë loje. Në tre minutat shtesë Shqipëria kërkon të shtyjë drejt portës hungareze, por përpjekjet janë të dëshpëruara. Gjithçka mbyllet me fitoren minimale të vendësve dhe zhgënjimin e përfaqësueses kuqezi, që tashmë nuk i mbetet tjetër, por të shmangë turpin në takimin e radhës në San Marino.

Rastësia kuqezi, dy gola në minutën e 82-të
Ndodh edhe kështu. Në dy ndeshjet miqësore që Shqipëria ka luajtur brenda pesë ditëve të fundit, fillimisht më 31 maj ndaj Rumanisë dhe dje kundër Hungarisë, ka pësuar gol në minutën e 82-të. Në takimin e parë, të luajtur në fushën neutrale të Zvicrës kundër rumunëve, ishte Razvan Rat që ndëshkoi kuqezinjtë. Ndërsa dje i aktivizuari në pjesën e dytë, Priskin, shënoi gjithashtu në humbjen e Shqipërisë, pikërisht në minutën e 82-të. Një rastësi e çuditshme për kuqezinjtë, që më 8 qershor tashmë do të luajnë miqësoren e tretë radhazi, këtë herë kundër San Marinos në transfertë. Kundërshtari i radhës është modest dhe fitorja nuk duhet të diskutohet, edhe pse asgjë nuk është e sigurt.
JORGIS MEMO

De Biazi dhe LalaDe Biazi: E hidhur të humbësh ndaj një ekipi inferior
Xhani De Biazi nuk e ka kapërdirë dot humbjen kundër Hungarisë. Jo sepse Shqipëria u thye nga një penallti e dyshimtë, por sepse sipas trajnerit të kuqezinjve nuk është aspak e bukur të humbësh kundër një skuadre që nuk ishte superiore ndaj nesh. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, ai la të kuptohej se shumë lojtarë ishin nën mesataren e tyre.
Mister, nga 1 deri te 10, çfarë note do t’i vinit skuadrës pas paraqitjes kundër Hungarisë?
Unë nuk vendos nota. Notat i vendosni ju gazetarët. Ju jeni të zotët për ta bërë këtë…
Pse Shqipëria vuan kaq shumë në sulm, pra pse nuk arrijmë të jemi më të qartë dhe më agresivë?
Sipas jush, pse?
Pyetja është për ju, ne gazetarët bëjmë pyetjet dhe ju jepni përgjigjet…
Vuajmë disi për arsyet që unë i kam thënë edhe herë të tjera, madje edhe në gazetën tuaj. Kemi disa mungesa të rëndësishme, kemi lojtarë jo fort të freskët dhe bëjmë aq sa na lejojnë të tjerët të bëjmë në fushë.
Cili është vlerësimi juaj për Hysajn dhe Vajushin?
Mendoj se duhet të bëjnë më shumë në të ardhmen.
Agolli luajti në pjesën e fundit të ndeshjes në krah të Kaçes si mesfushor qendre. Ishte zgjedhje taktike, apo nuk kishit alternativa?
Agolli luajti gjatë gjithë kohës në mesfushë.
Po, por fillimisht në krah dhe më pas u zhvendos në qendër, që nuk është pozicioni i tij…
Mendoj se Agolli luajti në një pozicion që di ta bëjë mjaft mirë.
Ç’mendim keni për penalltinë që vulosi ndeshjen?
Ishte një penallti që mund të evitohej, por ndoshta lodhja na dhuroi një surprizë të hidhur në fund të ndeshjes.
Çfarë nuk ju pëlqeu në veçanti nga kjo ndeshje?
Nuk më pëlqeu që humbëm kundër një skuadre që nuk ishte superiore kundrejt nesh për shkak të shumë paraqitjeve nën nivelin mesatar.

Pinter: Na u mohua një penallti
Trajneri i Hungarisë, Atila Pinter ka pohuar në përfundim të takimit se skuadrës së tij iu mohua të paktën një penallti në pjesën e parë. “E dinim që do ishte shumë e vështirë ndaj Shqipërisë. Nuk dua të merrem shumë me arbitrimin por në pjesën e parë ishin të paktën dy raste të dyshimta, të cilat na penalizuan. Ishte sipas meje të paktën një penallti. Gjithsesi e rëndësishme që ne fituam këtë takim. Jemi një skuadër e re dhe po kërkojmë të rritemi për të marrë eksperiencën e duhur para ndeshjeve kualifikuese. Kemi një gjeneratë që po ndryshon ndaj na duhet pak kohë për të harmonizuar ekipin. Mendoj se për një pjesë të lojtarëve ndeshja ndaj Shqipërisë ishte një shans shumë i mirë”, përfundon tekniku.
JETMIR HALILAJ

Rudi-VataNjë Kombëtare e dobët, lojtarët nuk sakrifikojnë!
Nga RUDI VATA
Kjo skuadër nuk të jep shpresë. Edhe ndeshja me Hungarinë, ashtu sikundër ajo me Rumaninë para katër ditësh, ishte e mërzitshme për t’u parë, e lodhshme dhe pa asnjëlloj kënaqësie. Mendoj se nuk i shërbeu aspak të ardhmes së futbollit, pasi u luajt dobët në përgjithësi dhe skuadra nuk u mbrojt si duhet. Ishim dobët në të gjitha repartet dhe natyrisht, nuk ka sesi të shpëtojë sulmi, ku përveç një gjuajtje në minutat e fundit, nuk bëmë asgjë. Nëse do të matim forcat tona, duke menduar se këto teste na japin garanci, atëherë duhet të themi se këto dy ndeshje janë negative dhe se duhen analizuar nga trajneri në mënyrë që më pas të nxirren mësimet e duhura. Duhet të dalim në konkluzione të qarta, në mënyrë që të rikuperojmë para eliminatoreve. Për t’u rikthyer sërish te ndeshja, mendoj se bëmë një lojë pa karakter, pa ritëm dhe pa grintë. Ishte një takim që thjesht u luajt dhe nuk u arrit asgjë. Nuk kishte koordinim mes reparteve dhe u vërejt një organizim i dobët në ndërtimin e aksioneve. Mungesa e Alban Mehës dhe Migjen Bashës u ndie më shumë se kurrë. Ata janë lojtarë kyç në mesin e fushës, që e balanacojnë më së miri skuadrën. Për të ardhur te penalltia, që për mendimin tim ishte totalisht e panevojshme, por gjykoj se aty bëri punë aspekti i lodhjes fizike. Ishin 10 minutat e fundit të ndeshjes dhe ndoshta Cana e kishte më të lehtë të qëndronte në këmbë, pasi sulmuesi ishte me shpinë nga porta. Duhet të evitohej ky 11-metërsh. Por unë mendoj se Loriku ka më shumë eksperiencë se të gjithë të tjerët dhe duhet të marrë përsipër rolin e trajnerit në fushë. Mirë do të ishte që të provohej një lojtar tjetër dhe Cana të zëvendësohej. Nuk është e nevojshme që një titullar si ai të luajë të gjitha ndeshjet miqësore nga 90 minuta. Mund të kishte hapësira një lojtar tjetër, që e fitojmë. Portierin e kemi shumë të mirë, por në këto ndeshje është e nevojshme t’u jepet hapësira shumë lojtarëve. Duhet të kemi plan B, pra kush do të zëvendësojë Canën, Berishën etj. Nëse duam që futbolli shqiptar të eci përpara, ne duhet të ndërtojmë ide të forta dhe plane. Duhet të jemi të mirorganizuar, pasi po dëgjojmë shumë fantazi dhe gjithnjë fatet e Shqipërisë janë të kundërta. Tifozët shqiptarë kanë nevojë të shikojnë minimalisht një kombëtare që jep shpirtin e fushë. Dje pamë një kombëtare pa nerv dhe shumë të dobët, ndaj edhe sot nuk ka tifoz që mund të jetë i lumtur nga kjo ndeshje. Justifikimet e lodhjes nuk shkojnë. Nëse ka lojtarë të lodhur psikologjikisht dhe fizikisht, shumë mirë mund të kurohen. Ka shumë lojtarë të freskët që mund të provojnë forcat. Duhet të ndërtojmë një filozofi pune të rregullt, të sakrifikojmë për kombëtaren dhe të mos zhgënjejmë tifozët që po e mbështesin vazhdimisht. Si Kombëtare kemi pësuar shumë më shumë sesa kemi shënuar. Duhet të korrigjohemi, pasi me këtë ecuri nuk kemi shanse të pretendojmë ato që fliten. Tradicionalisht nuk kemi pasur një golashënues tipik. Kemi pasur sulmues fragmentarë që shënonin, por jo një “bomber”. Mangësia e futbollit shqiptar kjo është, edhe pse kemi pasur sulmues të mirë, por jo që të kenë shënuar rregullisht. Është një Kombëtare e brishtë, por duhet të presim. De Biazi po punon. Është angazhuar maksimalisht, duke marrë përsipër një detyrë të vështirë. Realiteti do të na pasqyrohet në eliminatore dhe këto ndeshje jo të mira miqësore të mbeten këtu. Në grup nuk kemi skuadra të mëdha, si Gjermania apo Italia. Kemi një Portugali, që është një skuadër e mirë, por jo me një emër të madh. Gjithsesi, nëse ne punojmë mirë nga ana taktike, kësaj skuadre do t’i krijojmë probleme. Kundërshtarë e tjerë të grupit janë solidë, futboll agresiv, me mentalitet fitues. Kemi të bëjmë me një derbi ndaj Serbisë, ku personalisht preferoj të tregojmë se jemi një popull i civilizuar. Historia na ka vendosur përballë ndaj njerëzve që ndoshta i quajmë armiq, por aspirojmë të ecim përpara dhe nuk duhet të bëjmë figurë të keqe. Duhet të ruajmë qetësinë dhe mos krijojmë incidente që përbëjnë lajme të këqija. Ne aspirojmë të shkojmë drejt Europës dhe të jemi denjësisht pjesë e saj. E kemi këtë mundësi ta bëjmë më përpara me futbollin….
Marrë nga “Rubrika Sportive” e gazetares Enkelejda Zeko në TVSH

Hungari-Shqiperi  2-0Historiku, as gol dhe as fitore për kuqezinjtë
Shqipëria dhe Hungaria janë përballur mes tyre gjashtë herë në histori. Kuqezinjtë tanë njohin humbjen më të thellë me këtë kundërshtar, në shifrat tenistike 12-0, regjistruar më 24 shtator 1950 në Budapest. Dy kombëtaret në fjalë ishin ndeshur mes tyre për herë të fundit më 28 mars 2009, në ndeshjen e kthimit kualifikuese të “Botërorit 2010”. Kuqezinjtë e drejtuar asokohe nga holandezi Ari Han mundeshin minimalisht në “Qemal Stafa” (shënonte Torgelle në 38’), ndërkohë që ndeshjen e parë në Budapest e kishin humbur 2-0 (shënonin Torgelle 49’ dhe Juhasz 82’). Në total, nga gjashtë ndeshje të luajtura mes Hungarisë dhe Shqipërisë, kuqezinjtë tanë kanë marrë vetëm një barazim të bardhë, në vitin e hershëm 1948, ndërsa janë mundur pesë herë të tjera. Golaverazhi është i thellë për hungarezët, në shifrat 18:0. Pra, Shqipëria nuk ia ka dalë të shënojë qoftë edhe një gol të vetëm në portën hungareze, edhe pse ka luajtur pesë herë ndaj tyre.

Ndeshjet
20.08.1947: Budapest
Hungari-Shqipëri 3-0
Golat: Zsolnai, Egresi, Deák

23.05.1948: Tiranë
Shqiperi-Hungari 0-0

24.09.1950: Budapest
Hungari-Shqiperi  12-0
Golat: Puskás (4), Budai II(4), Palotás (2), Kocsis (2)

11.10.2008, Budapest
Hungari-Shqiperi  2-0
Golat: Torghelle, Juhász

28.03.2009, Tiranë
Shqipëri-Hungari   0-1
Golat: Torghelle

04.06.2014, Budapest
Hungari-Shqipëri  1-0
Golat: T.Priskin

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"