21 gola në 17 ndeshje, asnjë në histori si talenti Erling Haland

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 22:45

21 gola në 17 ndeshje, asnjë në histori si talenti Erling Haland

Borusia e Dortmundit duket sikur është një tjetër ekip, kur dëgjon himnin e Ligës së Kampioneve, ndërkohë që i njëjti dhe madje më i fortë bëhet edhe Erling Halandin. Verdhezinjtë e nisin mbarë sezonin Europian në Champions, duke fituar 2-1 në Stamboll përballë Beshiktashit.

Haland

Bellingam në minutën e 20-të hapin rrugën e suksesit për Dortmundin, ndërkohë që Haland realizoi në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, duke futur në kasafortë tri pikët e para për gjermanët. Për turqit, zgjimi erdhi shumë vonë, duke qenë se goli i Monteros në minutën e 94-t vlejti vetëm për statistikë.

Rekordmen absolut – Erling Haland është thjesht monstruoz. Shifrat e tij në Ligën e Kampioneve vazhdojnë të përmirësohen me një ritëm të frikshëm dhe bëjnë të qartë se kemi të bëjmë me një makineri të mirëfilltë golash, të destinuar për të qenë gjithmonë në historinë e turneut. Sulmuesi është vetëm 21 vjeç, por që tani mban një numër mbresëlënës rekordesh në këtë turne të cilët i përditëson praktikisht ndeshje pas ndeshje.

Ai shënon me një rregullsi të admirueshme që nuk e kanë pasur as legjendat më të mëdha të sulmit në turneun më të njohur për klube në kontinent.

Dje, Haland shënoi golin e tij të 21-të në Ligën e Kampioneve, në vetëm 17 ndeshje të luajtura. Kjo është një statistikë e pabesueshme, pasi rekordi i “shpejtësisë” për të arritur këtë shifër i përkiste Rud van Nistelroit, me 10 ndeshje më shumë! Holandezit iu deshën 27 takime për të shënuar 21 gola në aktivitet, ndërsa vendi i tretë i takon Filipo Inzagit, të cilit iu deshën 28 ndeshje. Shumë larg podiumit, e tmerrësisht larg Halandit, mbeten emra të tjerë të njohur si Levandovski (38 ndeshje), Shevçenko (39), Mesi dhe Mbape (40), Raul (42), Luis Suarez (52) apo Kristiano Ronaldo (56).

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"