207 milionë dollarë humbje, “Liberty Media” publikon bilancin dramatik të Formula 1

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2020 | 12:39

207 milionë dollarë humbje, “Liberty Media” publikon bilancin dramatik të Formula 1

 Ashtu siç edhe parashikohej, pandemia botërore e Koronavirusit, përveç humbjeve të jetëve, panikut dhe kaosit, po shkakton një dëm të madh financiar edhe në sport. “Liberty Media”, kompania që kontrollon Formulën 1, ka publikuar bilancin e tremujorit të parë për vitin 2020, ku humbjet janë të jashtëzakonshme, ndërsa situata nuk pritet të ndryshojë as për tremujorin e dytë.

formula 1

Megjithatë, Çeis Keri, president dhe njëkohësisht administrator i deleguar i shoqërisë që kontrollon F1, nuk dorëzohet dhe kërkon që sezonit të ri t’i jepet jetë me çdo kusht këtë verë, madje është hedhur hipoteza që garat mund të vijojnë edhe në muajt e parë të vitit 2021, në mënyrë që të minimizohen sa më shumë dëmet. Në semestrin e parë “Liberty Media” ka arkëtuar 39 milionë dollarë kundrejt 246 milionëve që ishin regjistruar në vitin 2019.

Një humbje kolosale që e kalon shifrën 84%. Kështu, bilanci për tremujorin e parë është vërtetë dramatik, ndërkohë që trendi negativ pritet të përsëritet edhe në 3- mujorin e dytë. Megjithatë, gjatë konferencës së mbajtur “online”, menaxheri amerikan është shprehur optimist rreth mundësisë për të ngritur siparin e sezonit të ri në Formulën 1, kampionat që pritet të startojë në më pak se dy muaj në Austri.

Formula 1

Do të mbahen dy gara të njëpasnjëshme në Red Bull Ring, në datat 5 dhe 12 korrik. Këto evente ashtu sikurse edhe pjesa tjetër e sezonit është thuajse e sigurt që do të jenë me kangjella të mbyllura për publikun.

Realist dhe konkret, ashtu siç ia kërkon edhe funksioni, gjatë komenteve pas përfundimit të konferencës, Keri preku edhe dy ekstremet, duke nisur që nga shpresa për një rikthim të mundshëm të publikut gjatë garave finale të sezonit (momentalisht duket shumë vështirë), deri tek anulimi i Botërorit.

Ndërsa mes këtyre tezave ekstreme, u diskutua edhe për futjen në skenë të disa cirkuiteve që nuk parashikohen në kalendarin e këtij viti (Imola, Hokenhaim, Sepang apo ai i Portimaos në Portugali). Megjithatë, këto mbeten thjesht hipoteza, pasi fokusi kryesor është që makinat të ndezin motorët në javën e parë të korrikut në Austri.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"