2017! Viti i Safetit, Skënderbeut dhe Duros

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2017 | 15:38

2017! Viti i Safetit, Skënderbeut dhe Duros

YLLI AGA

ylli aga

Është koha e bilanceve. Ndonëse futbolli ka një kal endar të vetin, sërish protagonistët e tij kanë rastin për t’u ndalur, për të kthyer një çast kokën pas dhe analizuar gjithçka ka ndodhur, për t’iu gëzuar të gjitha sukseseve dhe për të nxjerrë mësime nga hapat e gabuar, që në këtë sport janë të paevitueshëm.

E sigurt është që, në këtë moment, futbolli ynë është në ditët më të mira të historisë së tij, por pikërisht ky stacion nuk duhet të shërbejë për t’u ndier të ngopur, por prej tij duhet të gjenden mënyra dhe ndërtuar strategji për të pasur stabilitet dhe kërkuar suksese më të mëdha.

kukesi

TITULLI I KUKËSIT

Ndryshimet radikale në Europën Lindore e kthyen përmbys historinë gati gjysmë shekullore dhe në shumë vende dolën klube të rinj, që do të thyenin hegjemoninë e klubeve të traditës. Rusia, Ukraina, Çekia, Rumania, Bullgaria dhe shumë të tjera janë treguesi më i mirë i realitetit të ri të krijuar. Tregu i lirë nuk mund të mos i sillte efektet e tij edhe në vendin tonë dhe rasti më specifik është Kukësi, që kurorëzoi ciklin e sukseseve me titullin kampion.

Por, në ndryshim nga të gjitha eksperiencat në vendet e tjera, me siguri përqindja e meritave për këtë trofe shkojnë në masë të lartë për presidentin Safet Gjici, që, në një qytet që futbollin nuk e kishte të preferuarin e tij, arriti të ndërtonte një skuadër konkurruese dhe të suksesshme jo vetëm në vendin tonë, por edhe në garat kontinentale. Pamjet festive të pasdites së 20 majit, pas fitores 2-0 ndaj Skënderbeut (në një ndeshje ku gjyqtari ishte lojtari më i mirë për vendasit, por që në llogaritë e përgjithshme ishte vetëm 1/36 e ndikimit në suksesin historik) do të mbeten në memorien e të gjithëve, si një nga momentet më të mira në qytetin verilindor.

Gjici

Stadiumi ishte shumë i vogël për të mbajtur të gjithë tifozët që donin të ishin dëshmitarë të suksesit më të madh sportiv, ndërsa rrugët e qytetit panë për herë të fundit aq shumë njerëz. Mes të gjithë atyre që festonin apo vallëzonin, portreti i Safet Gjicit shend e verë dallonte mbi të gjithë. Një ëndërr e tij ishte bërë realitet dhe Kukësi i tij ishte shpallur kampion i Shqipërisë. Ka pasur edhe raste të tjera në historinë e futbollit tonë, që presidentë të caktuar kanë pasur një rol specifik në sukseset e klubit të drejtuar prej tyre, kujtoni Vllazninë e Myftar Çelës në 2001 apo Elbasanin e Arben Lazes në 2006.

Por, në ndryshim nga ata, që sukseset e tyre sportive nuk ishin të parat për klubet që drejtonin dhe qytetet respektive kishin një histori nga pas, Gjici ka meritën se ndërtoi gjithçka nga e para. Në ditët e fundit të këtij viti, frika është se ai sukses do të jetë i vështirë për t’u përsëritur nëse edhe qyteti, përfaqësuar me bashkinë, biznesmenët e të tjerë të këtij komuniteti apo edhe tifozët nuk e ndihmojnë Gjicin në misionin e tij.

VITI ME SHENJËN E SKËNDERBEUT 2017, në planin sportiv, nuk duhet të jetë më i miri për Skënderbeu. Klubi korçar dështoi të mbronte për të shtatën herë titullin kampion, si dhe nuk arriti të fitonte për herë të parë Kupën e Shqipërisë. Por, në harkun e një viti kalendarik Skënderbeu ka fiksuar sukseset e tij më të mëdha sa u takon rezultateve dhe veçanërisht atyre në Kupat e Europës. Nga 28 janari dhe deri me 22 dhjetor korçarët kanë luajtur një numër rekord ndeshjesh zyrtare 57, nga të cilat 35 janë fitore, 14 barazime dhe vetëm 8 humbje. Mes tyre dallojnë ndeshjet e luajtura në Europa Ligë 14 ndeshje dhe sërish me një bilanc pozitiv 5 fitore, 5 barazime dhe vetëm 4 humbje.

partizan skenderbeu

Asnjë klub shqiptar nuk kishte arritur të luante më parë kaq shumë ndeshje në harkun e vetëm një sezoni. Ndërsa sukseset e fundit në Europë kanë bërë që Skënderbeu të ketë të njëjtin numër ndeshjesh me skuadrën e dytë më të përfaqësuar në garat kontinentale Dinamon me 38 ndeshje. Për momentin, në këtë garë, Tirana mbetet e pakonkurrueshme.

Ndonëse nuk arritën të fitonin qoftë edhe vetëm një trofe, korçarët do të duhet të ndihen të lumtur se kanë përmirësuar ndjeshëm imazhin e tyre në sytë e të gjithë shqiptarëve, konfirmuar kjo me mbështetjen që morën në të gjithë ndeshjet europiane, që kulmuan me atmosferën fantastike të krijuar në Bernë në sfidën ndaj Young Boys, e cila për nga entuziazmi dhe koret e tifozëve të shumtë të kujtonin sfidat e ekipit tonë kombëtar.

Ky vit me siguri ka krijuar bindjen se klubi i drejtuar nga Takaj është në rrugën e duhur për të nisur një cikël të ri suksesesh, ku duket qartë se ka diçka më shumë se rivalet e saj në vendin tonë, por falë profilit dhe koeficientit mund të provojë suksese edhe më të mëdha në Kupat e Europës. Dhe me një trajner si Ilir Daja tani çdo pengesë duket e kalueshme.

RIKTHIMI I FLAMURTARIT

Opinionit sportiv prej vitit 2014, kur vlonjatët fituan Kupën e Shqipërisë, i mungonte në llogaritë për verdiktet kryesore Flamurtari. Ndonëse gjatë kësaj periudhe janë hedhur shumë para, kanë drejtuar disa trajnerë, si dhe kanë parakaluar një “batalion” me futbollistë, kuqezinjtë çuditërisht kanë luftuar vetëm për qëndrimin në kategori. Në këtë pikë, moment i kthesës për vlonjatët duhet konsideruar ardhja në drejtim e Shpëtim Duros, i cili rrezikoi jo pak me pranimin e ofertës për të udhëhequr Flamurtarin në një moment delikat dhe, mbi të gjitha, me ndërtimin e një skuadre ambicioze gjatë verës.

Duro-470x283

Si një adhurues i futbollit anglez dhe mënyrës së drejtimit nëpërmjet formës trajner-menaxher është e rastit të evidentoj edhe një herë tjetër cilësitë e pakontestueshme të Duros në këtë element thelbësor të një klubi futbolli. Përzgjedhjet e tij, ashtu si në eksperiencat e mëparshme me Besën në 2009-’10 dhe Partizanin 2014-’15 edhe me Flamurtarin kanë rezultuar të goditura. Dhe vlonjatët sot renditen të dytët dhe, mbi të gjitha, janë të vetmit që, për momentin, kanë profilin e skuadrës anti-Skënderbe.

Ta arrish një gjë të tillë qysh në vitin e parë duhet cilësi të veçanta dhe Shpëtim Duro ka dhënë një tjetër mesazh se është i pankonkurrueshëm në këtë element, madje edhe nga ato klube që kanë zgjedhur të drejtohen nga një “skuadër me drejtorë”. Në futboll suksesi nuk është asnjëherë i garantuar, për më të tepër në një kampionat si i yni, që tiparin dallues ka rivalitetin e lartë, por të gjitha premisat duken se Flamurtari është në rrugën e duhur dhe do të tentojë të rikthejë lavdinë e dikurshme në këtë qytet.

Me Vitin e Ri në prag të gjithë janë para provave mjaft të vështira dhe dëshira është që të kemi sa më shumë klube, që hartojnë strategji për investojnë për të krijuar një projekt sa më ambicioz. Përfituesit e parë do të ishin të gjithë tifozët që do të bëheshin dëshmitarë të një gare edhe më cilësore. Nëse Qeveria ka zgjedhur që viti 2018 të jetë i gjithi me shenjën e Skënderbeut, në futboll shpresojnë që të gjithë t’i luajnë shanset e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"