20-vjeçari Dobjani nuk i druhet konkurrencës me Kukën: Siguria e Besës do të nisë nga porta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 20:37

20-vjeçari Dobjani nuk i druhet konkurrencës me Kukën: Siguria e Besës do të nisë nga porta

Edhe pse kanë dalë të humbur nga fusha përballë Kukësit në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, kavajasit kanë zhvilluar një lojë të bukur, madje dhe kanë mundur të udhëheqin 0-1 deri në minutën e 67-të.

Ilir Dobjani

Gjatë pjesës së parë, portieri 20-vjeçar, Ilir Dobjani, ka bërë të pamundurën për të ruajtur të paprekur portën kavajasve, por u mposht 2 herë nga kundërshtari në pjesën e dytë.

Kujtojmë se Dobjani ka qenë portier i Kombëtares U-19 dhe sezonin e shkuar ka luajtur si titullar në mbrojtje të portës verdhezi. Këtë edicion kuadratin e ka mbrojtur portieri i afruar rishtazi te Besa, Klajdi Kuka. Duket se konkurrenca mes Kukës e Dobjanit mbetet garancia dhe siguria e kavajasve për këtë sezon. I pyetur rreth kësaj, Dobjani thotë për “Panorama Sport”:

“Është normale për ekipet që pretendojnë trofe të kenë dy ose dhe më shumë portierë në dispozicion. Kampionati është i gjatë dhe siguria e një ekipi nis nga porta. Kjo nënkupton se, një nga portierët duhet të jetë i gatshëm në çdo moment. Sigurisht që çdonjëri prej tyre pretendon të jetë ai në portë, por këtë e vendos stafi teknik. Detyra ime mbetet të stërvitem fort e të jem gjithmonë në formë, i gatshëm sa herë ekipi ka nevojë.

Dobjani

Stërvitja nën drejtimin e një trajneri portierësh si Taulant Guma është fat për mua, Kukën dhe dy portierët e moshave. Mjafton t’u kujtoj se nga duart e tij kanë dalë portierë si Dajsinani, Puja, por dhe portieri amerikan Justin, që para tri vitesh mbrojti ngjyrat e Besës. Vetëm aty ku ka konkurrencë, rritet edhe cilësia e lojës. Si unë edhe Kuka po punojmë fort, që ekipi të ketë sigurinë e garancinë që i vjen nga porta”,- ka përfunduar Dobjani.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"