20 vite në futboll, Sefa: Kam ende për të dhënë! Dëmtimi “dhuratë” prej… terrenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2021 | 23:53

20 vite në futboll, Sefa: Kam ende për të dhënë! Dëmtimi “dhuratë” prej… terrenit

Para 4 ditësh festoi 34- vjetorin, por ndihet ende në formë. Flasim për Jetmir Sefën, i cili aktivizohet te Besa këtë sezon. Mesfushori i mungoi ekipit në 2 miqësoret e fundit për shkak të një dëmtimi në tendinë, por rishtas ai i është bashkuar grupit për të qenë i gatshëm për Lushnjën. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai “skanon” minifazën dhe hapur e thotë që kavajasit do të ngjiten.

Jetmir Sefa Besa

Para 4 ditësh mbushët 34 vjeç. Çfarë do të thotë kjo për Sefën?

Më shumë se gjysmën e viteve të jetës ia kam kushtuar futbollit. Kam filluar që 14 vjeç dhe tani kam kudo shumë shokë, miq e admirues. Besoj se kam ende për t’i dhënë futbollit. Ndoshta jo në të njëjtin nivel si vite më parë, por përvoja që kam më bën të jem po aq i nevojshëm për ekipin.

Atëherë, parë me sytë e përvojës suaj, çfarë emri do t’i vinit kësaj Bese?

Jua them me sinqeritet se ndihem mjaft mirë në një grup, ku ka një gërshetim ideal të moshave dhe përvojave të ndryshme. Kemi shkollën shkodrane me Tafilin, Kukën e Shimajn, atë fierake me Muçajn, kavajase me Perjen, Kacbufin, Meçjen, Dobjanin, kosovare me Zeqirin, Sekollin e Hysenin, tiranase me Kukën dhe mua apo atë elbasanase dhe peqinase me Peqinin dhe Likën.

Pa harruar këtu edhe brazilianët, me binjakët Nunjesh. Një gërshetim i tillë traditash, shkollash, përvojash e karakteresh e bën Besën ekip mjaft interesant. Kam bindjen se si askush tjetër në Grupin B, kemi gjithë përvojën dhe freskinë e rinisë që i duhet një ekipi.

Ju i munguat ekipit në 2 miqësoret e fundit, momentalisht si ndiheni?

Kisha një dëmtim në tendinë, kjo “dhuratë” edhe prej terrenit me bar sintetik ku stërvitemi. Kjo është arsyeja që i mungova ekipit, si thoni ju. Por, jam shumë mirë, atë dëmtim tashmë e kam lënë pas. Më në fund rikthehet edhe kampionati.

Ç’mendoni për përballjen me Lushnjën?

Ka ikur koha kur mund të thoshe se meqë luan në shtëpi, do të fitosh me siguri. Tashmë çdo ekip ka rritur cilësitë, ambiciet, lojën e tij dhe në këtë kuptim Lushnja mbetet një ndër ekipet më të forta. Por, nisur nga objektivat që kemi, do të hyjmë në fushë vetëm me një objektiv: fitoren. Synojmë ngjitjen dhe gabimet i kemi të ndaluara.

Terreni sa jua vështirëson këtë?

Fusha na pengon dhe sidomos një ekip si Besa, që beson dhe luan futboll teknik. Ne preferojmë terren ku të shprehemi 100% teknikisht, pasi shumica e lojtarëve tanë dhe stili që aplikojmë ndër vite është përqendruar te pasimet e shkurtra e të shpeshta dhe kombinimet. Por, nuk kemi rrugë tjetër, veçse të jemi të kujdesshëm.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"