20 milionë euro në vit, gati rinovimi faraonik për 27-vjeçarin e Bajernit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 17:14

20 milionë euro në vit, gati rinovimi faraonik për 27-vjeçarin e Bajernit

Bajerni i Mynihut nuk ka ndërmend që ta humbë David Alabën, aq më tepër tashmë që është përshtatur më së miri edhe si qendërmbrojtës. Presioni që po ushtron Reali i Madridit dhe Barcelona, por edhe klubet më të mëdha të Anglisë, ka bërë që gjigantët e Bundesligës të nxitojnë që të rinovojnë me austriakun kontratën, e cila skadon më 30 qershor 2021.

alaba

Gjithsesi, sipas asaj që raporton prestigjiozja “Bild”, për 27-vjeçarin mëngjarash është bërë gati një ofertë që është pak ta quash e parefuzueshme. David Alaba do të ketë shumë shpejt përpara duarve një kontratë faraonike, e cila do ta vërë në të njëjtin rang me senatorët e skuadrës bavareze, Robert Levandovski, Tomas Myler dhe Manuel Nojer.

Madje, austriaku pritet që të jetë edhe më i paguar sesa kapiteni i skuadrës ku luan, duke qenë se oferta e përpiluar nga drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç dhe e pranuar nga shefi ekzekutiv, Karl-Hainc Rumenige, kap shifrën prej 15 milionë eurosh, plus 5 milionë të tjera në formë bonusesh.

Me këto numra, pa dyshim që për David Alabën nuk do të jetë aspak e lehtë që të mos tundohet dhe në të njëjtën kohë të lërë mënjanë joshjen që vjen nga Spanja dhe Anglia. Prandaj, ashtu sikurse ndodhi më parë me Nojerin, Dejvisin, Mylerin apo edhe trajnerin Flik, tashmë pritet të jetë radha e anësorit të majtë të prapavijës të përshtatur qendërmbrojtës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"