2 javë stërvitje për të nisur kampionatin, trajneri i Tiranës vë alarmin: Do të jetë masakër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2020 | 9:19

2 javë stërvitje për të nisur kampionatin, trajneri i Tiranës vë alarmin: Do të jetë masakër

“Do të jetë masakër”. Kështu mendon trajneri i përgatitjes fizike të Tiranës, Kosta Jani. Në një postim të bërë në “Facebook”, Jani, një njohës shumë i mirë i zanatit të tij, ka analizuar se çfarë ka ngjarë në gjashtë ndeshjet e Gjermanisë, ku janë shënuar tetë dëmtime. Sipas tij, edhe Superiorja do të jetë katastrofë, por pasojat do të ndihen në vazhdim kur të nisë futbolli. Sipas tij, atëherë do të jetë vonë, sepse lojtarët do të masakrohen nga dëmtimet.
Kosta Jani
“Tetë dëmtime në gjashtë ndeshje. Pasojat e izolimit në performancën e lojtarëve të futbollit janë të dukshme që nga ndeshja e parë. Ekziston një rrezik i lartë dëmtimi për shkak të periudhës së gjatë të ndërprerjes së stërvitjes dhe periudhës shumë të shkurtër të përgatitjes para nisjes se kampionatit. Këto shifra vijnë nga kampionati gjerman që konsiderohet si nga më të mirët në botë, imagjinoni çfarë mund të ndodhë në kampionatin shqiptar ku të gjithë i dimë kushtet që stërviten lojtarët dhe në dispozicion kemi vetëm dy javë kohë për t’i përgatitur. Për ata që janë shprehur se 2-3 javë janë të mjaftueshme që lojtarët të arrijnë nivelin e duhur fizik për të përballuar ngarkesat nga ndeshjet e luajtura çdo 3-4 ditë (një gjë që ka efekte negative në performancën e lojtarëve në kushte normale), dua t’u them që përgjigjja do të vijë së shpejti, thjesht bëni durim. Rezultatet do të jenë katastrofë”, shkruante Jani.
tirana-12-770x470
Tirana ka fluturuar në fushë gjatë gjithë sezonit, ndërsa meritën më të madhe për gjendjen e skuadrës e ka pa dyshim trajneri i përgatitjes fizike, Kosta Jani. I ardhur gjatë kësaj vere te bardheblutë, Jani ka ditur të mbajë lart bardheblutë, që në fushë asnjëherë nuk kanë shprehur shenja lodhjeje. Gjithmonë, trajneri i përgatitjes fizike apo fitnesit të Tiranës është shprehur se lojtarët do ta vuajnë shumë të qenit në fushë çdo tri ditë.

Nga ana tjetër, Emanuel Egbo e ka quajtur këtë situatë të çuditshme, teksa është shprehur se lojtarët e futbollit janë kthyer në maratonistë. Një situatë që pritet të ndikojë shumë në cilësinë e lojës dhe çfarë do të tregojnë lojtarët në fushë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"