2-3 lojtarë cilësorë, trajneri i Apolonisë tregon planet e merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2017 | 15:54

2-3 lojtarë cilësorë, trajneri i Apolonisë tregon planet e merkatos

Në kampin fierak, edhe pse është periudhë pushimesh, e gjithë vëmendja është përqendruar te paraqitja e skuadrës sezonin e ardhshëm dhe synimi për rikthimin në elitë. Drejtuesit fierakë e kanë të qartë se Kategoria e Parë edhe në sezonin e ri do të jetë shumë e fortë dhe me rivalitet.

Apolonia

Synimi është që të jetë një ekip me lojtarë në moshë të re, por cilësorë. Në merkaton e verës do të kërkohet të afrohen 2-3 lojtarë, të cilëve do t’u kërkohet që të bëjnë dallim nga grupi aktual. Me këtë, drejtuesit fierakë do të kërkojnë një skuadër më të fortë e solide me mentalitet të ri dhe të ndërgjegjshëm se çfarë duhet të bëjnë dhe ku duhet të arrijnë.

Elidon Demiriaj Apolonia

Trajneri Elidon Demiraj në pamje të parë duket i qetë, pasi ai ka një skuadër të ngritur, megjithëse paraqitja e saj sezonin e kaluar la për të dëshiruar. Por, në ndeshjet e fundit nuk i munguan lojërat e bukura dhe rezultatet pozitive.

DEMIRAJ – Në një prononcim për gazetën, në lidhje me fazën përgatitore dhe synimet për merkaton e verës, trajneri Demiraj shprehet: “Është ende shpejt, pasi lojtarët po vazhdojnë pushimet, por megjithatë do të zhvillojmë si përherë fazën përgatitore. Megjithatë, mund t’u them se përgatitjet duam t’i fillojmë me një ekip të plotë ku të kenë mbaruar edhe afrimet që do të bëjmë në merkato”.

Elidon Demiraj

Ndërkohë, për afrimet e reja që pritet të bëjnë, trajneri u shpreh: “Duke pasur skuadrën e ngritur ne do të kërkojmë shumë pak afrime në merkaton e kësaj vere. Do të kërkojmë kryesisht lojtarë në ato pozicione, të cilët nuk shkuan si duhet në sezonin e kaluar.

Por, do të synojmë edhe për të përforcuar skuadrën dhe për ta bërë atë sa më solide e të fortë. Për sa i përket synimit që do të kemi, mund të them se ai do të jetë një dhe i vetëm, ngjitja në Superiore.

Kjo sepse tashmë do të kemi një skuadër vërtet me lojtarë të rinj, por që e njohin mirë lojën e njëritjetrit. Kanë fituar më shumë përvojë dhe janë rritur ndjeshëm profesionalisht në lojën e tyre”, përfundoi prononcimin për gazetën trajneri i fierakëve, Elidon Demiraj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"