19 vite pa thyer Partizanin në kryeqytet, portieri Ruçi: Na kënaq 1 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2018 | 14:22

19 vite pa thyer Partizanin në kryeqytet, portieri Ruçi: Na kënaq 1 pikë

Luftëtari i shkaktoi në fazën e dytë një humbje turpëruese Partizanit, në shifrat e thella 5-0. Pas asaj fitoreje historike, bluzinjtë e Hasan Likës kanë qenë të papërmbajtshëm, duke marrë vetëm rezultate pozitive në kampionat. Mirëpo, në prag të ndeshjes së të shtunës me të kuqtë në kryeqytet, Luftëtari duhet të thyejë një ters, sa u përket transfertave me Partizanin.

partizani-luftetari-470x313

Gjirokastritët kanë plot 19 vite që nuk fitojnë në kryeqytet ndaj të kuqve. Për herë të fundit, Luftëtari ka dalë me tri pikë në transfertë kundër Partizanit më 23 tetor të vitit 1999, me shifrat 1-2, në një sezon ku klubi drejtohej si për koincidencë nga presidenti aktual, Grigor Tavo, ndërsa trajner ka qenë Mustafa Hysi. Në atë kampionat, Partizani zbriti për herë të parë nga Kategoria Superiore, ndërsa Luftëtari e mbylli në mesin e tabelës.

DEKLARATA – Shkëlzen Ruçi, portieri titullar i Luftëtarit, e shikon mjaft të vështirë ndeshjen e radhës, që do të luhet ndaj Partizanit në transfertë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai është shprehur:

Luftetari555

“Ndeshja e radhës me Partizanin do të jetë më shumë se e vështirë. Si çdo portier tjetër, edhe unë kam gabuar në momente të caktuara. I gjendur nën trysninë e vijimësisë së rezultateve pozitive, mendoj dhe besoj se do të bënim më mirë. Janë rezultatet e deritanishme, ato të cilat na bëjnë më shumë se optimist për të ardhmen”, tha fillimisht Ruçi, për të cilin edhe një barazim do të jetë pozitiv në këtë transfertë.

shkelzen ruci

“Nuk do të jetë e lehtë ndaj Partizanit, një ekip legjendar dhe me tifozëri shumë të zjarrtë. Një pikë ndaj Partizanit në “Selman Stërmasi” do të na kënaqte pafundësisht. Si çdo ndeshje radhe, Partizanin e vlerësojmë maksimalisht. Për këtë ndeshje jemi të kompletuar, pavarësisht se ende nuk është vendosur nëse Shkurtaj do të jetë në fushë apo jo”, ka mbyllur Ruçi.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"