180 minuta pa pësuar, portieri amerikan: E çojmë Tërbunin në maja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2019 | 11:39

180 minuta pa pësuar, portieri amerikan: E çojmë Tërbunin në maja

Tërbuni i ka besuar portën një amerikani. Austin Xhefri Roxhers, i lindur në Oregon të SHBA-së, ka qenë titullar në dy javët e para të këtij kampionati. Dhe duhet thënë që e ka kaluar “klasën”, pasi në 180 minuta nuk ka pësuar asnjë gol. 23- vjeçari nuk është një emër i panjohur në Shqipëri, pasi në sezonin 2015-2016 luante te Besa në Kavajë.

Portieri i Terbunit

Gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në Mongoli e Rumani, e megjithatë duket se në Pukë ka gjetur veten. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” ai analizon startin e këtij sezoni dhe hapur e thotë se skuadra e tij do të kapë majat në fund të këtij kampionati. E pranon që gara do të jetë e vështirë, por do të bëjë çmos që ta ruajë portën e paprekur sa më gjatë. “Është kënaqësi që luaj për Tërbunin.

Kam ardhur që në gusht dhe ndihem shumë mirë këtu. Kemi një ekip mjaft të mirë dhe staf të mrekullueshëm. E kemi nisur mirë sezonin. Fituam me Dinamon dhe ndaj Erzenit nuk shkuam më larg se barazimi 0- 0, ndonëse shanset i kishim edhe për të dalë me pikët e plota nga ky 90-minutësh. Shoh që të gjithë këtu janë të angazhuar që ta ngjisin Tërbunin sa më lart në renditje, duke filluar që nga drejtuesit më të lartë dhe trajneri që është shumë kërkues.

Grupi është solid nga mbrojtja e deri sulm dhe lojtarët japin maksimumin në fushë që të marrin rezultate pozitive. Mendoj se nëse ruajmë ritmin, mund të jemi ndër pretendentët e kësaj kategorie. E megjithatë, për të shkuar larg duhet që të shmangim gabimet. Dhe kjo gjë duhet të nisë që nga Korabi, ekip që do ta presim në fushën tonë. Me patjetër duhet një rezultat pozitiv në këtë 90- minutësh. Hapat falsë janë të ndaluar dhe sidomos përpara tifozërisë sonë që është mjaft e zjarrtë. Vërtet nuk kam pësuar asnjë gol në këto dy javë, por tani dua vazhdimësi.

Do të jap maksimumin tim që ta ruaj portën të paprekur. Dua të jem një gardian i vërtetë për Tërbunin. Pavarësisht se unë s’e njoh shumë kundërshtarin, nuk do ta kem problem. Në fund të fundit, më mjafton që njoh zonën time dhe jam i sigurt në atë që bëj. Skuadra ka synime madhore dhe vetëm duke dhënë maksimumin do t’ia dalim”, përfundoi portieri.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"