180 minuta delikate, Besa luan “sezonin” në Fier e Pogradec

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2019 | 15:56

180 minuta delikate, Besa luan “sezonin” në Fier e Pogradec

Pak javë më parë, presidenti Bizhdili kritikonte ashpër sulmin e Besës për rastet e humbura, por problemi i kësaj skuadre nuk është vetëm reparti i avancuar. Në fakt, kavajasit kanë shënuar 10 gola në 6 javë kampionat dhe duket se skuadra e Maganit nuk po vuan në këtë drejtim, por pikët mungojnë. Besa shënon sistematikisht, madje është ajo që kalon në avantazh, por më pas barazohet ose edhe përmbyset nga kundërshtari.

Besa

“Në kategorinë e parë, përgjithësisht luhet futboll mbrojtës dhe sulmuesit nuk e kanë të lehtë. Vuajmë jo pak edhe nga ndërhyrjet e ashpra të kundërshtarit. Edhe gjykimi na ka penalizuar deri diku, pasi nuk na janë akorduar penallti në favorin tonë. E filluam kampionatin me një largim të papritur, siç ishte ai i portierit Festim Miraka dhe me ndryshime në mbrojtje. Nuk ka qenë e lehtë të harmonizohet grupi aq shpejt. Duket pak çudi që ne krijojmë shumë dhe kemi shijuar 10 gola, po aq sa kemi pësuar, por me pak raste të krijuara nga kundërshtarët. Mendoj se janë probleme të momentit që kërkojnë vëmendje më të madhe”, thotë sulmuesi Tedi Cara për “Panorama Sport”.

DY TRANSFERTAT

Besa luan dy transferta radhazi për javën e shtatë dhe të tetë të kampionatit dhe të dyja shumë delikate. Këtë javë shkon në Fier, ku ndeshet me Apoloninë dhe më pas në Pogradec. Një kalendar aspak favorizues për verdhezinjtë, të cilët minimalisht duhet të shmangin humbjet në këto 180 minuta, që janë vërtet përcaktuese për objektivin e sezonit. Kavajasit duhet të rezistojnë për të mbetur në lojë, në të kundërt do t’i humbnin që tani shpresat për kthimin në elitë. Lushnja është “arratisur” në krye, ndaj dhe nuk duhen lejuar ta bëjnë këtë gjë edhe rivalët e tjerë, Apolonia, Pogradeci e ndonjë ekip tjetër. Një ekip që ka një objektiv madhor si ngjitja në elitë duhet ta tregojë veten në të tilla ndeshje.

Feriz FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"