17 vjeç e 113 ditë, Espozito debuton dhe fiton skenën: E kisha ëndërr, por kërkoi falje për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2019 | 10:54

17 vjeç e 113 ditë, Espozito debuton dhe fiton skenën: E kisha ëndërr, por kërkoi falje për…

Sebastiano Espozito debuton në Ligën e Kampioneve në pjesën e dytë kundër Dortmundit, duke zëvendësuar Lukakun, duke shkruar kështu edhe një pjesë tjetër të historisë zikaltër, pasi me moshën 17 vjeç e 113 ditë është lojtari i dytë më i ri që shijon mbrëmjet europiane, pas rekordmenit absolut, Xhuzepe Bergomi, i cili e bënte diçka të tillë në vitin 1981, në moshën 17 vjeç e 72 ditë.

esposito

Sulmuesi i talentuar e kishte bërë debutimin e tij në arenën kontinentale edhe në sezonin e kaluar kundër Frankfurtit në Ligën e Europës, por Champions-i është maksimumi. “Nuk e fsheh, në minutat e para ishte shumë i emocionuar, sepse është ëndrra e kujtdo për të luajtur në Champions. Trajneri na kërkon të gjithëve që të japim maksimumin dhe unë jam përpjekur të punoj, në mënyrë që të jem në dispozicion të skuadrës në çdo kohë, – shprehet Espozito, i cili fitoi edhe penalltinë, të cilën fatkeqësisht Lautaro Martinez e gaboi.

– Festim i tepruar pas fitimit të penalltisë? E pranoj, është diçka jo e bukur në drejtim të rivalëve, ndaj kërkoj falje. Por në të njëjtën kohë dua të falënderoj që të gjithë për komplimentet e marra. Shpresoj që të vazhdoj në këtë mënyrë dhe të forcohem edhe më shumë në aspektin fizik. Më vjen shumë mirë mbi të gjitha nga fjalët e trajnerit Antonio Konte, i cili që në ditën e parë më ka mbështetur dhe më ka mbajtur shumë pranë. Ndaj, jam i lumtur mbi të gjitha për atë, që nuk e zhgënjeva. Jemi një skuadër e re dhe të gjithë ndihemi pjesë e projektit, por më e rëndësishme është që fituam këto tri pikë, të cilat ishin jetike ndaj Dortmundit, për të mbajtur gjallë shpresat tona për të vazhduar në Champions”, përfundoi sulmuesi.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"