160 mijë euro investim, FSHF ndihmë klubeve me platformën e re. Shulku: Ekipet, model si… Bajerni e Juvja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 8:23

160 mijë euro investim, FSHF ndihmë klubeve me platformën e re. Shulku: Ekipet, model si… Bajerni e Juvja

Çdo ekip futbolli do të ketë mundësinë për të ndjekur të dhëna specifike, të detajuara me statistika dhe video për mbi 400 kampionate dhe në 124 shtete të botës.

ilir shulku

Kjo është risia më e madhe për klubet shqiptare e ardhur nga krijimi i departamentit të analizës, skautimit dhe inovacionit në FSHF. Kjo e fundit ka investuar rreth 160 mijë euro, për një kontratë katërvjeçare me platformën “Whyscout”.

Me anë të llogarive që do të kenë në të, videoanalistëve të detyrueshëm për licencimin që nga viti i ardhshëm, klubet shqiptare do të kenë mundësinë që të ndjekin mijëra futbollistë nëpër botë, shqiptarë ose jo, duke marrë asistencë të njëjtë si klube prestigjioze si Bajern Mynih e Mançester Junajtid. Sekretari i përgjithshëm i FSHFsë, Ilir Shulku, në një ceremoni prezantimi në ambientet e “Hotel Tirana”, ka prezantuar Alariko Marko Rosin (videoanalisti i Kombëtares) si drejtues të departamentit si dhe ka ftuar klubet që të bëhen menjëherë pjesë e këtij projekti. “Do t’ju shërbejnë shumë këto kurse që do të zhvilloni për këtë teknologji. Nuk është bindje e jona, por kërkesë e kohës”, tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij Shulku.

Ja prezantimi i departamentit nga Ilir Shulku:

DEPARTAMENTI – “Ne po lançojmë departamentin e analizës, skautimit dhe inovacionit. Strukturë e re që do të ndihmojë rritjen e futbollit shqiptar në disa drejtime, duke e sjellë në futbollin vendës nga eksperienca e futbollit botëror. Ideja e këtij projekti lindi nga nevoja për të zhvilluar dhe asistuar klubet në Shqipëri me tendencat më të fundit mbi analizën e ndeshjeve, perfomancave sportive, si dhe hapjen ndaj inovacionit teknologjik për të përmirësuar stërvitshmërinë në nivel klubesh dhe te skuadrat kombëtare. Këto janë pjesë të rëndësishme të objektivave të federatës që ne i vendosëm vetes në Asamblenë e fundit në kuadër të katërvjetarit në vazhdim dhe vizionit të FSHF-së deri në vitin 2030”.

AKTIVITETI – “Ky departament do të orientohet në disa drejtime. E para është analiza ku mendojmë që së bashku me klubet e Kategorisë Superiore dhe një pjesë e atyre të Kategorisë së Parë të zhvillojnë kurse falas nga FSHF. Kemi lidhur një marrëveshje me kompaninë ‘Whyscout’, një nga platformat më të mëdha në botë që jep të dhëna ndeshjesh dhe lojtarësh. Ajo asiston ekipet më të mëdha si Juventus, Bajern, Mançester Junajtid etj. Së dyti, skautizmi është shumë i rëndësishëm. Do të na japë neve si institucion dhe klubeve, mundësinë për të ndjekur mijëra futbollistë shqiptarë nëpër botë. Çdo ekip, për vitin e ardhshëm, në staf do të ketë një videoanalist. Do të jetë kriter licencimi. Inovacioni është një aspekt shumë i rëndësishëm. FSHF do të forcojë bashkëpunimin me të gjitha federatat e tjera dhe pastaj për t’ua përçuar edhe klubeve ndihmesën. Ne besojmë se ky departament që kemi krijuar do të na ndihmojë për të hedhur një hap të rëndësishëm dhe cilësor përpara, në kuadër të politikave dhe strategjive për të rritur çdo aspekt të futbollit tonë në Shqipëri”.

VËZHGIMI – “Çdo klub do të ketë dy llogari në përdorim. Kanë mundësinë të ndjekin 124 shtete të botës, të gjithë lojtarët në klube apo në ekipet kombëtare. Mund të ndjekin deri në 400 kampionate, pra nuk besoj se ka ndonjë element më shumë që nuk mund ta ndjekim, që nga moshat e deri tek ekipet profesioniste.

KLUBET – “Të jeni të bindur se çdo trajner do ta ketë ndihmë dhe suport shumë të madh videoanalistin në ekip. Do të bëni analizën teknike të ekipit tuaj dhe për javën e ardhshme shihni edhe kundërshtarët, lëvizjet, vendosjet, lojën, e gjithçka tjetër. Do t’ju shërbejnë shumë këto kurse që do të zhvilloni për këtë teknologji dhe kjo nuk është bindje e jona, por kërkesë e kohës”, u shpreh Shulku përpara mediave dhe përfaqësuesve të klubeve.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"