Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2013 | 12:39

Lika kryesoreGilman Lika ka zhvilluar dje stërvitjen e parë me fanellën e Skënderbeut. Lojtari i shumëpërfolur në merkato, tashmë është më i qetë, pasi do të luajë me korçarët në Ligën e Kampioneve. E veçanta është se për shkodranin ky është një debutim në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. I kontaktuar dje nëpërmjet telefonit nga “Panorama Sport”, mesfushori pranoi nga Austria të rrëfente përshtypjet e para për transferimin te kampionët, teksa marrëveshja me ta është vetëm për 1 muaj. Gilmani nuk ngurroi të jepte edhe një mesazh për Tiranën, duke iu referuar situatës së vështirë që po kalon klubi bardheblu. Për këto, por jo vetëm, ja si shprehet blerja më e re e bardhekuqve:
Gilman, cili është impakti i parë te Skënderbeu, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje pasi zhvilluat edhe seancën e parë?
Më shumë përshtypje më kanë bërë kushtet ku punonte skuadra këtu në Austri. Janë vërtet perfekte për një ekip profesionist. Për sa i përket gjërave të tjera, mund të them se çdo gjë ishte normale.
Me cilin nga lojtarët e ekipit korçar keni më shumë afrimitet?
Në përgjithësi njihem mirë me të gjithë. Këtu përjashtoj vetëm të huajt, me të cilët kam pak njohje. Me disa prej lojtarëve të Skënderbeut kam punuar edhe më parë në ekipe të tjera, por të them të drejtën më tepër afrimitet kam me Shehin, Arapin dhe Lilajn, pasi kam qëndruar shumë me ta edhe në ekipin Kombëtar.
Kush është shoku juaj i dhomës?
Jam vetëm në dhomë (qesh).
Pse?
Kjo është zgjedhja e klubit, jo e imja. Kur erdha këtu, më thanë që do rrija vetëm, sepse më pas do të vijë Morina.
Ju i keni shënuar Skënderbeut gjatë sezonit të kaluar. Ju kanë ngacmuar tashmë shokët në skuadrën e re për këtë fakt, veçanërisht portieri Shehi?
Të them të drejtën nuk më ka ngacmuar kush.
Do të luani për herë të parë në një kompeticion si Liga e Kampioneve. Çfarë ëndërroni tani që këtë mundësi do ta keni si pjesë e Skënderbeut?
Endërroj dhe shpresoj që me ndihmën e Zotit të kalojmë një tur. Këtë po mendoj për momentin, asgjë më tepër.
Çfarë do t’u thoshit tifozëve të Tiranës pas këtij largimi te rivali më i fortë i tyre në tri vitet e fundit?
Nuk kam çfarë t’u them tani, sepse zyrtarisht unë akoma s’jam larguar përfundimisht nga Tirana. Tifozët e zjarrtë bardheblu e kanë parë situatën në klub dhe unë jam i bindur se nuk do të më gjykojnë për faktin që ika si i huazuar për një muaj te korçarët.
Për tifozët e Skënderbeut keni ndonjë mesazh?
U them se do të mundohem të bëj maksimumin për skuadrën, me shpresën që të kalojmë turin dhe t’i kënaqim ata.
Po tifozëve dhe klubit të Vllaznisë çfarë do ju thoshit në këtë moment? Në Shkodër kanë kohë që ju presin të riktheheni…
Unë jam i huazuar te Skënderbeu për një muaj, të ardhmes nuk i dihet asnjëherë.
Nëse aventura juaj në Ligën e Kampioneve me Skënderbeun shkon me sukses, a ka gjasa të nënshkruani për gjithë sezonin?
Nuk dua të flas për këtë gjë, sepse realisht s’e di fare sesi mund të shkojnë punët. Do të zbatoj kontratën që kam firmosur.
Shpesh jeni përfolur për një largim jashtë vendit. A mund të na thoni se cilat klube keni refuzuar gjatë kësaj periudhe?
Kam refuzuar ofertat e dy klubeve në Rumani, një në Iran dhe së fundmi një në Poloni.
Nuk ju kanë bindur nga ana financiare, apo s’keni pasur garanci për aspekte të tjera që keni hezituar për të bërë këtë hap?
Mendoj se duhet të mendohem shumë nëse do shkoj në një vend të huaj. Nuk është kaq e lehtë, pasi duhet të përputhen disa gjëra. Nga ofertat që kam pasur deri më tani, dikush ka qenë mirë nga ana financiare dhe dikush më keq, por s’më kanë pëlqyer kushtet e tjera, për të cilat është e kotë të flasësh në këtë moment.
Cili është mesazhi juaj për klubin e Tiranës, pas problemeve të fundit?
Shpresoj që klubin ta marrë dikush përsipër që të rregullojë këtë situatë. Unë besoj se kjo duhet bërë për hatër të atyre që e duan Tiranën, pasi është klubi më i madh në Shqipëri.

Lika dhe Orelesi “humbën” miqësoren me Terek Grozni
Skënderbeu e ka nisur me humbje turin e miqësoreve që do të zhvillojë në Austri, ku është grumbulluar për të zhvilluar fazën përgatitore përpara ndeshjeve të Ligës së Kampioneve. Korçarët janë mundur 2-0 nga Terek Grozni në sfidën e zhvilluar në Going të Austrisë. Nga një gol për çdo pjesë kanë shënuar rusët, që kanë dominuar thuajse të gjithë takimin. Për Skënderbeun debutuan dy blerjet e deritanishme, Leonit Abazi dhe Jetmir Sefa. Futbollistët ishin pjesë e formacionit dhe të dy u zëvendësuan në pjesën e dytë. Blerjet e reja bënë një paraqitje të mirë. Një sfidë e luftuar shumë nga të dyja skuadrat ku janë dhënë pesë kartonë të verdhë, tre për korçarët dhe dy për rusët. Në takimin e djeshëm u ekzekutuan vetëm dy korne, dhe ato ishin për kampionët e Shqipërisë. Jashtë këtij testi të parë në tokën austriake mbetën Gilman Lika dhe Nuredin Orelesi, që iu bashkuan kampionëve kuqebardhë atë ditë. Mesfushori i Tiranës ka rënë dakord me drejtuesit e Skënderbeut për t’u bërë pjesë e ekipit për të paktën dy ndeshjet e Ligës së Kampioneve, ndërsa për Orelesin kishim të bënim me një vonesë për vizën e tij, kësisoj ishte detyruar të bashkohej me ekipin dy ditë me vonesë. Sezonet e fundit Lika ka qenë makth për korçarët kur luante me Tiranën. Tashmë ka veshur fanellën e Skënderbeut.Të dy pritet të jenë të gatshëm për trajnerin Mirel Josa në ndeshjen e radhës kundër Shahtjar Donetskut në datën 21 qershor.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"