140 milionë euro investim për 5 vite, ja pse serbi Vlahoviç i meriton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2022 | 21:37

140 milionë euro investim për 5 vite, ja pse serbi Vlahoviç i meriton

Dushan Vlahoviç mund të quhet zyrtarisht një futbollist i Juventusit. Drejtuesit bardhezinj kanë mbyllur përfundimisht detajet e fundit të kontratës dhe zbarkimi i tij në Torino pritet të jetë jo të premten, ditën e tij të ditëlindjes së 22-të, por të shtunën në mëngjes (29 janar), kur janë parashikuar edhe vizitat mjekësore.

Vlahovic2

Objektivi i trajnerit Masimiliano Alegri është ai që ta stërvisë për të paktën 4-5 ditë, për ta pasur në dispozicion për të dielën (6 shkurt), në “Allianz Stadium”, në duelin kundër Veronës së Igor Tudorit. Por ndërsa në Torino të gjithë po presin me padurim, media të ndryshme kanë nisur të ngrenë pikëpyetje nëse Vlahoviç e vlen vërtet investimin total prej 140 milionë eurosh për 5 vite.

Mes kartonit 75 milionë euro dhe pagës vjetore që kap shifrën e 13 milionë eurove (7 milionë neto lojtarit plus 6 milionë taksa, për një total prej 65 milion ësh rrogë për 5 vite), përgjigjen skeptikëve ka vendosur që t’ia kthesë uebsajti i statistikave “Opta”.

NUMRAT E SERBIT – Në gjashtë muajt e parë të sezonit aktual, Dushan Vlahoviç ka shënuar 20 gola në 24 ndeshje sezonale (17 në Serinë A dhe 3 në Kupën e Italisë).

Por ajo që të bind mbi lojtarin është se në dy sezonet e fundit, nëse llogarisim pesë kampionatet kryesore të Europës, sulmuesi i ardhshëm i Juventusit numëron 38 gola në Serinë A, e thënë ndryshe dy më pak sesa Karim Benzema i Realit të Madridit (40 në La Liga); pesë më pak sesa Erling Haland (43 në Bundesligë), ndërsa i pakapshëm dhe kryesues absolut është Robert Levandovski me 64 gola në kampionat, në dy sezonet e fundit. Gjithsesi, fakti që Vlahoviç është goleadori i katërt më i fortë i Europës mjafton dhe justifikon investimin 140-milionësh, të paktën për momentin.

Vlahovic

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"