130 milionë lekë për gafa pa fund, ja sa paguhen gjyqtarët në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2018 | 22:31

130 milionë lekë për gafa pa fund, ja sa paguhen gjyqtarët në Superiore

Penallti inekzistente që fërshëllehen dhe penallti të padhëna. Ndërhyrje makabre që tolerohen dhe të tjera që ndëshkohen. Është e pashmangshme. Arbitrimi ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe të kritikave. Jo vetëm në futbollin shqiptar, por edhe në nivele të larta në Europë.

Gjyqtaret seminar

Gabimet janë prezente dhe “xhaketat e zeza” shpeshherë e përdorin si justifikim se askush nuk është i pagabueshëm. Por kur bëhen me shumicë dhe në disa javë radhazi dhe ata janë protagonistët e ndeshjeve në Kategorinë Superiore, atëherë situata është shqetësuese. Dhe ky nuk është opinion, por fakt: Në 3 javët e fundit janë bërë 15 gabim flagrante që kanë përcaktuar në një mënyrë apo në një tjetër rezultatin e ndeshjeve.

gjyqtaret

E thënë ndryshe, një gabim për ndeshje. Dhe nuk kanë qenë gabime të vogla, por që realisht kanë vendosur për fatin e sfidave dhe që kanë vendosur se ku duhet të shkojnë 3 pikët apo thjesht një pikë. Në javët e fundit ka një diskutim të ndezur për rendimentin e arbitrave dhe për protagonizmin e tyre të tepruar në këtë sezon dhe në këtë pikë të tij.

PSE GABOJNË – Pikëpyetja e madhe pse gabon një arbitër në Superiore vazhdon të jetë e njëjta: Aq janë limitet e tyre, gabojnë nga paaftësia, influencohen nga persona apo situata që të marrin këto vendime apo gabojnë pa dashje?

Andi Koci

Përgjigje që askush nuk mund ta japë me 100%, edhe pse palët e përfshira në futboll si një ekip, një trajner apo një lojtar, shpeshherë akuzojnë njëri-tjetrin, akuzojnë arbitrat për lidhje me një apo me një tjetër skuadër. Kjo dilemë nuk zgjidhet derisa të ketë futboll, aq më tepër kur vetë gjyqtarët përdorin justifikimin se askush nuk është i pagabueshëm.

1 MILION LEKË 1 NDESHJE – Por problemi është se në raport me disa vite më përpara, por edhe në raport me vendet e rajonit si Mali i Zi, Kosova apo Maqedonia, gjyqtarët në Shqipëri paguhen realisht mirë dhe janë nga më të paguarit. Një gjyqtar kryesor që merr 450 mijë lekë të vjetër për një ndeshje, mjafton të bëjë dy të tilla në muaj (ose më shumë), praktikisht ka nxjerrë një rrogë të mirë mujore. Për më tepër, arbitrimin nuk e kanë profesion primar, por dytësor. Por qëllimi kryesor nuk është për të bërë llogaritë e tyre. Qëllimi është të kuptojmë a janë përgjigjur ata pozitivisht dhe në lartësinë e pagës së tyre.

Gjyqtari

A e kanë justifikuar ata shpenzimin e bërë nga federata për të vendosur drejtësi në ndeshjet e Kategorisë Superiore, minimalisht për të mos e cenuar mbarëvajtjen dhe garën që zhvillohet, por mbi të gjitha imazhin e futbollit. Tema e arbitrave është shndërruar në një diskutim të nxehtë që nxjerr anën negative të këtij sporti. Gazeta është interesuar në institucionin e futbollit për të dhënat që bëhen për arbitrat në Kategorinë Superiore, vëzhguesit dhe delegatët.

Praktikisht, vlera e një ndeshjeje shkon afërsisht 1 milion lekë të vjetër. Me këto llogari: Një javë Superiore i kushton FSHF-së 5 milionë lekë. Deri tani janë luajtur 26 javë dhe kostoja për rrogat e atyre që vendosin drejtësi ka shkuar 130 milionë lekë. Për të mos thënë që disa ndeshje që janë shumë të rëndë- sishme kanë edhe 2 arbitra të tjerë pas portave. Një tjetër kosto e shtuar në këtë aspekt sepse edhe atëherë kur “sytë” shtohen, gabimet vazhdojnë të jenë prezente.

Gjyqtaret pagesa

Llogaritë secili i bën vetë, por trajnerët akuzojnë se po vidhen, se skuadrave të tyre u mungojnë penallti dhe se kundërshtarëve u japin penallti të paqena. Pa përmendur emra të veçantë sepse deklarata të tilla gjen çdo javë pas përfundimit të ndeshjeve. Akuza të tilla nuk do të ndalojnë kurrë, por detyra e arbitrave është që të justifikojnë pagat e tyre dhe të mos jenë ata protagonistët e futbollit shqiptar.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"