13 orë çudira për shkarkimin e Valverdes dhe emërimi i Kike Setien, zbulohen prapaskenat te Barcelona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2020 | 8:39

13 orë çudira për shkarkimin e Valverdes dhe emërimi i Kike Setien, zbulohen prapaskenat te Barcelona

Një shkarkim që zgjati 13 orë. Nga ora 10 paradite deri në orën 11 të darkës. Tani është zyrtare: Ernesto Valverde nuk është më trajner i Barcelonës dhe klubi katalanas ndërpreu marrëdhëniet me 55-vjeçarin. 

ernestovalverde-cropped_zo47wcxn7kbm11istbe727rcq-1-770x433

Eliminimi nga Superkupa e Spanjës rezultoi fatal për “Milingonën”, i cili në këtë sezon kishte marrë shumë kritika dhe tifozët nuk e harronin kurrë turpin që përjetuan katalanasit në dy vitet e fundit në Ligën e Kampioneve kundër Romës dhe Liverpulit. Nuk ndodhte që nga viti 2003 që Barcelona të shkarkonte një trajner, por ja që Valverde u bë “viktima” e parë pas Van Galit. Drejtimin e skuadrës e mori Enrike Setien Solar (Kike Setien) deri në vitin 2022.

13 ORË ÇUDIRA – Në orën 10 të ditës së djeshme, Ernesto Valverde u paraqit në qendrën stërvitore si gjithmonë për të drejtuar përgatitjet. Për një orë ai qëndroi me bashkëpunëtorët e tij dhe në 11 mbajti një fjalim përpara skuadrës. Ai e dinte që mund të ishte biseda e fundit me futbollistët katalanas dhe të gjithë thuajse ishin prezentë, me përjashtim të Todibosë. Në orën 12:40 në qendrën stërvitore të Barcelonës mbërriti presidenti Bartomeu, i cili qëndroi deri në orën 14:00 në takim me trajnerin Ernesto Valverde.

Valverde5

Pak përpara presidentit u largua Leo Mesi, i cili ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Ernestos. 20 minuta më vonë ishte Ernesto Valverde që braktisi qendrën stërvitore, buzëqeshja nuk i mungonte në fytyrë. Takimi më i gjatë dhe më i tensionuar u zhvillua në zyrat qendrore të klubit në “Camp Nou”, aty ku kishin ardhur të gjithë për të vendosur të ardhmen e trajnerit. Presidenti Bartomeu mbërriti në orën 14:30 në mbledhje, ku ishin prezentë 19 zyrtarë. Informacionet që filtronin tregonin se mbledhja ishte e tensionuar.

Kishte zëra kundër presidentit dhe mënyrës se si po menaxhohej klubi në këto momente. Në orën 17:00 u mor vendimi përfundimtar për Valverden, por diskutimet më të mëdha u bënë për pasardhësin e tij. Mbledhja zgjati deri në orën 20:00, kur presidenti Bartomeu u largua nga stadiumi “Camp Nou”. Në mbrëmje u mësua se Valverde nuk do të ishte më trajner. Orët e vona ishin intensive, sepse Valverde nuk pranonte marrëveshjen për prishjen e kontratës.

PRAPASKENAT – Pavarësisht se situata u mbajt misterioze deri në fund, mediat zbuluan se trajneri Valverde ishte njoftuar nga presidenti që në takimin e mesditës se nuk do të vazhdonte më. Në këtë mënyrë, ai mori të gjitha sendet personale që kishte në qendrën stërvitore. Ditën e sotme ai do të rikthehet për të përshëndetur sërish futbollistët me të cilët punoi për dy vite e gjysmë.

960-600-kike-setien

ZGJIDHET SETIEN – Agjenti i trajnerit Kike Setien shkoi menjëherë në Barcelonë për të diskutuar marrëveshjen me klubin. Ai u zgjodh nga drejtuesit si njeriu i duhur për të rimëkëmbur katalanasit.

Trajneri 61-vjeçar ka drejtuar më parë Las Palmasin dhe Betisin dhe njihet si një nga ata që luajnë me topin dhe krijojnë frymë grupi brenda ekipit. Në karrierën e tij ka regjistruar 500 ndeshje si trajner, me një bilanc 187 fitore, 143 barazime dhe 170 humbje. Tani ka si detyrë që ta rikthejë Ligën e Kampioneve në Barcelonë. Kjo është sfida e tij

Përgatiti: GENTJAN ALINANI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"