13 golat tek Apolonia-Besa, “paguan” dy portierë të Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 14:29

13 golat tek Apolonia-Besa, “paguan” dy portierë të Kombëtares

Ndodh dhe kështu, një 8-5 jo në javën e fun dit të kampionatit. Është rezultati i ndeshjes Apolonia-Besa për javën e 21-të. Real apo grotesk ky rezultat? Ec e besoje po deshe, pak rëndësi ka kush e ka ndjekur ndeshjen, mjaftojnë shifrat.

Apolonia-Besa

Sado që ta justifikojnë palët këtë rezultat nën “apologjinë” e së ashtuquajturës “ndeshje e hapur”, nuk i shkon përshtat Apolonisë dhe Besës epilogu 8-5.

“PAGUAJNË” PORTIERËT – Një ndeshje “pa portierë”. Statistikat janë të pamëshirshme. Romeo Harizaj, portieri i Apolonisë dhe Kombëtares U-21, ka pësuar 15 gola në 20 ndeshje dhe “befas” pëson 5 gola nga një Besë U-21, që nuk mbahet mend kur ka shënuar kaq gola për herë të fundit edhe në kohët e arta.

Romeo Harizaj Apolonia

Po kështu, Ilir Dobjani, portier edhe i Shqipërisë U-19, pëson 8 gola në një ndeshje. Një rezultat që edhe në minifutboll rrallë ndodh. Për çfarë duheshin këto shifra? Kujt i shërben kjo 8-5? Në fakt, askujt, as Apolonisë dhe as Besës. Fierakëve ca më pak u duhej kjo “derexhe”. Pasi kanë marrë dy fitore të kontestuara, me Lushnjën 3-1 dhe Pogradecin 0-1, bardhejeshilët nuk e kishin të vështirë të fitonin ndaj Besës pa objektiva, por ndeshja “u fëlliq” me rezultatin hiperbolik, që u jep shkas rivalëve ta përgojojnë Apoloninë.

Ilir Dobjani

Nga ana tjetër, një Besë me lojtarë të rinj dhe që i shënon 5 gola Apolonisë në Fier! Të mos harrojmë se as golat dhe as rezultati nuk i motivon futbollistët e rinj të secilës skuadër, sepse kaq shumë gola edhe në miqësore duken të pabesueshëm. Le të pyesim Dobjanin për 8 golat e pësuar e pastaj edhe Harizajn për 5 golat në portën e tij. Asnjë prej tyre nuk të përgjigjet, sepse nuk dinë si të përgjigjen.

GJATA – “I hapën portën Mario Gjatës”, u tha pas ndeshjes. Sulmuesi i Apolonisë shënoi 4 gola ndaj Besës dhe kapi kreun e shënuesve më të mirë të kompeticionit. 19- vjeçari kurrë nuk e pati menduar këtë gjë, por një rezultat 8- 5 dhe 4 gola të shënuar prej tij nuk ua heq dot “të drejtën” e dyshimit të tjerëve. Gjata ka qëndrimin e tij për këtë paragjykim.

Mario Gjata Apolonia

“Është faji im që shënova 4 gola? Nëse dyshohen si gola të pamerituar, i fal ata 4 gola, le të mos llogariten në aspektin personal. E kam thënë edhe më parë, nuk kam objektiv “Këpucën e Artë”, por golat për Apoloninë në Superiore” shprehet autori i 13 golave, Mario Gjata.

REAGIMET – Në vijim të këtij vëzhgimi, sjellim dhe reagimet nga shkallët e stadiumit të atyre pak tifozëve. Për Dobjanin dhe Harizajn nga shkallët e “Loni Papuçiut” dolën shprehjet:

“Bravo, Dobjani e mbrojti mirë portën nga goli i 9-të!” dhe “Të lumtë, Romeo (Harizaj)! Nuk e pësove të 6-in!” Më ironike ishte batuta e dy tifozëve fierakë pasi ndeshja përfundoi: “Rrimë edhe pak, mbase shënohen gola të tjerë”. Ajo “8-5” ishte një shpërfytyrim për imazhin e dy skuadrave, Apolonia nuk e diskutonte fitoren ndaj Besës. Por ndonjëherë ndodh dhe errësimi i gjykimit…

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"