12 pikë janë sukses për Erzenin, ish-mbrojtësi Kuçi analizon shijakasit: Ja si ndalet Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2022 | 23:50

12 pikë janë sukses për Erzenin, ish-mbrojtësi Kuçi analizon shijakasit: Ja si ndalet Tirana

Fatos Kuçi, ish-mbrojtës i Erzenit në fillim të viteve 2000 kur shijakasit u ngjitën për herë të parë në Superiore, por më parë i Teutës kampione në vitet ’90, në një bisedë për “Panorama Sport” ka analizuar startin e këtij sezoni. Sipas tij, 12 pikët e grumbulluara nga skuadra e Xhevahir Kapllanit në tetë javë kampionat janë një sukses më vete, duke parë si u organizuan shijakasit.

kuci

Kuçi flet edhe për riorganizimin që i është bërë akademisë, ndërsa e shikon të domosdoshëm ndërtimin e të paktën dy fushave për stërvitje.

Zoti Kuçi, çfarë përshtypje ju ka lënë Erzeni deri më tani?

I kam ndjekur të gjitha ndeshjet e Erzenit dhe së pari më duhet të them se skuadra u formatua në një kohë rekord. Koha e paktë në dispozicion nuk lejonte përgatitjen e një plani afatmesëm për përgatitje. Megjithatë, duhet thënë që një pjesë e futbollistëve ishin në gjendje të mirë fizike. Kjo bëri që në startin e kampionatit, skuadra të tregojë qëndrueshmëri fizike dhe disiplinë taktike. Fitoret me Vllazninë, Partizanin dhe Laçin ishin logjike edhe për një fakt të rëndësishëm, që rreziku në portën tonë ishte minimal. Pra, ekipi mbron mirë dhe gjithashtu barazimet me Teutën, Kastriotin dhe Egnatian, ishin rrjedhojë e lojës së kujdesshme në fazën difensive. 12 pikë pa mbaruar faza e parë mendoj se janë një sukses për Erzenin.

Të shtunën luan ndaj Tiranës, mendoni se Erzeni ka shanse të marrë pikë ndaj një ekipi që historikisht është mundur?

Përderisa Erzeni tregoi potencial dhe arriti të mposhte Partizanin kryesues, pse të mos guxojë me Tiranën. Nuk ka një skuadër dominuese ky kampionati, prandaj dhe kjo e bën shumë interesant vazhdimësinë. Erzeni duhet të tregohet skuadër agresive dhe shumë e kujdesshme në mbrojtje.

Tirana ka sulmues që kërkojnë hapësirën dhe mbyllja e tyre i nxjerr jashtë loje. Deri ku mund të shkojë kjo skuadër?

Objektivi i Erzenit duhet të jetë qëndrimi në Superiore. Skuadra duhet të përforcohet me të paktën 4-5 lojtarë në muajin janar, pasi kampionati do të jetë shumë i vështirë në vazhdim. Në çdo repart ka nevoje për afrime cilësore. Disa lojtarë janë me moshë të re dhe një garanci suksesi për vazhdimësinë, por ekipi që të ketë ecuri pozitive, duhet patjetër që të jetë i kompletuar.

Ju drejtoni ekipin U-19 të Erzenit, që në sezonin e kaluar doli kampion në Kategorinë e Parë. Si e shikon punën që po bëhet me akademinë?

Klubi i Erzenit ka lidhur një marrëveshje me dy akademi futbolli, pikërisht atë “Arena” në Shijak që drejtohet nga Justin Bespalla dhe AF Durrësi 04, e drejtuar nga unë dhe Alfons Domi, teksa kemi qenë akademia më e suksesshme në zonën e Durrësit për gati 18 vite.

erzeni

Garancia që japin këto dy akademi për furnizimin me elementë cilësorë të Erzenit është një perspektive afatgjatë dhe mund të themi që këtu janë themelet që po hedh Erzeni për një të ardhme të madhe. Po punohet me të gjitha moshat për të qenë në majat e kampionateve kombëtare, duke filluar nga U-13, U-14 dhe U-19. Ishim pretendentët kryesore edhe me U-17 dhe U-15, por FSHF-ja e licencoi klubin me pjesëmarrje vetëm me 3 skuadra. Ka shumë elementë cilësore që do bëjnë të mundur për një periudhë 3- vjeçare që Erzeni të jetë i formatuar në përqindjen më të madhe me lojtarë të akademisë së vet.

Çfarë duhet të bëhet për një funksionim sa më të mirë të akademisë?

Investimi në infrastrukturë është çështja më delikate që garanton të ardhmen e klubit. Ndërtimi i të paktën dy fushave duhet të jetë prioriteti kryesor i drejtuesve të pushtetit lokal në bashkëpunim me klubin.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"