110 vite derbi, Milani dhe Interi festuan me… sallam

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2018 | 18:43

110 vite derbi, Milani dhe Interi festuan me… sallam

Romani i madh i derbit mbushi dje 110 vite dhe duke gjykuar nga pritshmëritë që karakterizojnë sfidën, mund të thuhet se nuk e tregon aspak moshën. Gjithçka nisi më 18 tetor të 1908. Një ditë më parë, më 17 tetor, rreth 30 djem, u takuan te stacioni i trenit të Porta Novës. Të gjithë ishin veshur çuditshëm, mbase ekstravagantë, pasi mbanin fanella me vija vertikale ku mbizotëronte e zeza. E kombinuar me të kuqe te disa, e me të kaltër te të tjerët.

800px-Campo_del_gas

Pantallonat i kishin rigorozisht deri në gju, teksa këpucët linin për të dëshiruar, pasi ngjasonin më shumë me pajime për t’u ngjitur në mal sesa për një ndeshje futbolli. “Pale ku do të shkojnë këta djelmosha”, pyesnin kureshtarë udhëtarët e tjerë të pranishëm në stacion.

Vendmbërritja ishte Kiaso, në Zvicër, teksa ata, djemtë kuqezikaltër, ishin Milani dhe Internacionale (e lindur vetëm 6 muaj më parë.) Të gjithë do të luanin në Kupën e Kiasos, ku ishin regjistruar gjithashtu Kiaso, Ausoni, Lugano dhe Belinzona. Turneu ishte serioz dhe Milani, fitues në fuqi i dy edicioneve të mëparshme, kërkon Tripletën për të marrë më pas trofeun në shtëpi, ose më saktë në enotekën “Toskana”, ku çdo vit mblidhej asambleja e klubit.

TURNEU – Djemtë e Interit dhe Milanit i blenë vetë biletat e udhëtimit, teksa në tren nxorën nga çanta panine me sallam dhe boce vere. Ishte ky mëngjesi i zakonshëm përpara ndeshjeve, sepse asokohe, nuk kishte as dietologë e as përgatitës ushqimorë. I gjithë ky ushqim ishte një luks për kohën, ndaj nuk kishte vend për naze. Me të mbërritur në Kiaso, lojtarët zunë vend në hotelin që i mirëpriti. Të dielën paradite luheshin kualifikueset, ndërsa pasdite, gjysmëfinalet dhe finalja. Milani mund Belinzonë, Kiaso Luganon, ndërsa Interi Ausonian.

1920px-1950–51_Serie_A_-_Inter_Milan_v_AC_Milan_-_Nordahl_scores

Gjysmëfinalja ishte mes “Djallit”, zikaltërve dhe organizatorëve. Turneu ndalet sepse djemtë kanë uri dhe drekojnë të gjithë së bashku. Organizatorët, si zviceranë tipikë, përfitojnë për të organizuar shortin sepse koha premton vetëm për një gjysmëfinale. Interi fiton një vend në finale me “kokë a pil”, ndërsa Milanit i duhet të sfilitet për të siguruar sfidën me skuadrën tjetër të Milanos. Teksa luhet gjysmëfinalja, zikaltrit përfitojnë për gjumin e pasdites.

ENTUZIAZËM – Finalja drejtohej nga arbitri Bolinger nga Belinzona. Simboli kuqezi ishte Pierino Lana, 20 vjeç, mesfushor shtatshkurtër, por tejet teknik dhe i shpejtë. Zikaltrit i besojnë klasit të Virxhilio Fosatit, mesfushor, kapiten dhe trajner i ekipit. Ndihmësi i tij ishte Ermano Aebti, 16 vjeç, mesfushor, me baba zviceran e nënë italiane. Interi kishte shumë të huaj në organike, duke respektuar rigorozisht emrin, por Milani ishte më i fortë dhe kjo u kuptua që në fillim të ndeshjes.

18INFOF1-kgjF--896x504@Gazzetta-Web

Fillimisht Lana e më pas Formalon e fiksojnë ndeshjen në 2-0 në fundin e pjesës së parë, që në atë kohë zgjaste 25 minuta, sipas rregullores. Në pjesën e dytë Prajer shkurton diferencën, teksa Interi nuk mundi të barazojë.

Milani fiton dhe merr trofeun në shtëpi, teksa 2 mijë tifozët e pranishëm brohorasin. Organizatorët nuk humbin kohë, por vlerësojnë fitimet, të cilat kapin shifrën e 400 frangave, jo pak për kohën. Djemtë e Milanit dhe Interit vrapojnë drejt stacionit për të marrë trenin për të qenë sa më shpejt në shtëpi. E nesërmja është ditë e hënë, e nëse dikush duhet të shkojë në punë, të tjerë nuk duan të mungojnë në punë. Futbolli është i bukur, por nuk siguron vaktet mbi tryezë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"