11 gola në 10 ndeshje, talenti Koxhaj: Frymëzohem nga Ronaldo, ëndërroj Milanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2017 | 21:40

11 gola në 10 ndeshje, talenti Koxhaj: Frymëzohem nga Ronaldo, ëndërroj Milanin

Me 11 gola në 10 ndeshje, i frymëzuar nga Kristiano Ronaldo dhe me ëndrrën që një ditë të veshë fanellën e Milanit. Ky është Tomas Koxhaj, talenti që luan me AF Dinamo dhe është golashënuesi më i mirë i kampionatit U-17 deri tani. Sulmuesi po spikat me talentin e tij dhe shpreson që shumë shpejt të luajë në Superiore ose edhe jashtë Shqipërisë.

Nuhatës shumë i mirë i portës, potent dhe i saktë në rastet që i jepen, Koxhaj po shkëlqen me paraqitjen e tij. Me më shumë se një gol në ndeshje, sulmuesi po shkëlqen në këtë kampionat dhe është shndërruar në një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës.

tomas koxha

TALENTI – Vetëm 16 vjeç, Koxhaj tregon momentet e para se si e ka nisur karrierën dhe momentin shumë të mirë që është duke kaluar në kampionat. Gjatë sezonit të kaluar AF Dinamo ka qenë në drejtimin e Ergi Lubanit, ndërsa tani në krye është Dritan Mehmeti.

“Fillimisht, kam luajtur qendërmbrojtës, ndërsa tashmë kam kaluar si sulmues “pykë”. Në këtë kampionat po luaj si sulmues i avancuar dhe deri tani gjithçka ka shkuar mirë ku kam shënuar 11 gola. Frymëzohem nga Kristiano Ronaldo dhe më pëlqen shumë loja e tij. Për sa i përket klubeve europiane, jam me Milanin dhe pse jo një ditë, ëndrra ime është që të vesh atë fanellë të madhe”, shprehet fillimisht Koxhaj në prononcimin e tij për gazetën.

af dinamo

Më tej, sulmuesi flet për synimin që ka këtë sezon dhe më pas për planet e së ardhmes. “Objektivi primar është që të ruaj këtë ritëm dhe të vazhdoj të shënoj sa më shumë këtë sezon. Dëshira është që të shpallem golashënuesi i kampionatit dhe të ndihmoj gjithashtu skuadrën që të marrë sa më shumë rezultate pozitive. Për sa i përket së ardhmes, kam disa alternativa dhe do të provohem në Holandë dhe Zvicër në pranverën e ardhshme me synimin që gjërat të shkojnë mirë”, tregon Koxhaj.

tomas koxhaj

I pyetur se me cilën skuadër të kampionatit shqiptar ka dëshirë që të luajë në të ardhmen, sulmuesi nuk përzgjedh asnjë dhe thotë se është i hapur. “Jam i hapur të luaj me çdo ekip dhe të jap maksimumin nëse do të më jepet mundësia. Shpresoj që shumë shpejt të tregoj vlerat e mia në një ekip të rëndësishëm”, përfundon prononcimin e tij për gazetën, talenti Tomas Koxhaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"