11 “galaktikë” në Torino, Zidan ka vetëm një 1 dyshim ndaj Juventusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2018 | 19:50

11 “galaktikë” në Torino, Zidan ka vetëm një 1 dyshim ndaj Juventusit

N ëse Zidanit i thua Juventus, në mendje do t’i krijohen miliona kujtime. Por ai që vlen më shumë në këto momente ka emra. Për të qenë konkret: 11 emra. Janë pikërisht ata që mundën skuadrën italiane në finalen e Kardifit dhe çdo tifoz i Realit i mban mend: Kejlor Navas, Karvahal, Varan, Ramos, Marselo, Kasemiro, Kros, Modriç, Isko, Ronaldo dhe Benzema. Grupi i Kardifit si një grup muzikor kthehen sërish të jenë në listën e të zgjedhurve të trajnerit për sfidën e nesërme në Torino për të dhënë një tjetër recital, si ai që Zidan do.

real madrid

DYSHIMI- I vetmi emër në listën e dyshimeve për 11- shen titullare që Zinedin Zidan do të zbresë në fushën e lojës është Isko. Dhjetë të tjerët duket se e kanë blinduar vendin e tyre. Por për atë vend janë 4 kandidatë dhe Zizu duhet të mendohet mirë përpara se të zgjedhë. Sepse nga ai lojtar varet edhe skema, me të cilën trajneri francez do të paraqitet në Itali. Bejl, Asensio dhe Vaskez janë 3 të tjerët që duan të bindin trajnerin që t’u japë një fanellë titullari. Por Isko nuk zhgënjen kurrë sa herë që shfaqet në terrenin e lojës. E tregoi me Spanjën, ku karikoi bateritë dhe i dha një sinjal të qartë trajnerit të tij se duhet t’i besojë akoma më shumë dhe t’i japë vazhdimësi në lojë. Në mesfushë do të jenë 3 “moskëtierët” Kasemiro-KrosModriç, që shihen si pika më e fortë e kësaj skuadre.

TAKTIKË- Ditën e djeshme, te Reali u stërvitën të gjithë (me përjashtim të Naços). Isko dhe Ramos punuan me grupin dhe treguan se janë gati për ndeshjen me Juventusin. Por trajnerit “galaktik” nuk i intereson aspak që ta zbulojë lojtarin që mban peng formacionin e tij. Ai e di që përballë do të ketë një skuadër italiane dhe një trajner që u jep shumë rëndësi detajeve. Nëse ai tregon që Isko do të luajë, atëherë do të marrë masat dhe do ta ketë më të lehtë për të kuptuar skemën me të cilën do të luajë Reali ndaj Juventusit.

Për ndeshje të tilla të luftuara, francezi ka përdorur gjithmonë edhe një lojtar shumë punëtor si Lukas Vaskez, i cili e ndihmon skuadrën në mbrojtje. Por edhe Bejl është një kandidat i fortë për të luajtur që nga fillimi i ndeshjes dhe këtë e tregoi me dy golat e shënuar ndaj Las Palmasit. Nëse do të luajë, atëherë formacioni i Realit do të jetë 4-3- 3. Ky është detaji që mund të bëhet i rëndësishëm për fatin e ndeshjes çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"