100 ndeshje me vlonjatët, Lena ëndërron një trofe: Të dytët në kampionat, fitojmë kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2013 | 13:02

100 ndeshje me vlonjatët, Lena ëndërron një trofe: Të dytët në kampionat, fitojmë kupën

LenaNumëron plot 100 ndeshje me fanellën e Flamurtarit. Nijas Lena, në një rrëfim të veçantë, tregon përvojën e tij në Vlorë në këtë ndeshje jubile. Shqiptaro-maqedonasi premton se do të japë gjithnjë maksimumin, sikundër ka vepruar në takimin e parë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Strugani flet edhe për objektivat, por edhe për ndeshjen e fundit kundër Bylisit, e cila i ka lënë një kujtim jo shumë të këndshëm.
Fituat me Bylisin në kupë, a duket më i realizueshëm objektivi?
Vetëm fitorja na mbante në lojë për të shkuar në gjysmëfinale. Ne e dinim çfarë kërkonim dhe ia dolëm. Them se gjysmën e punës e kemi përfunduar, tani më duhet të shikojmë përpara me kujdes.
Lena, si i shpjegoni shkelmat në fushë ndaj teje, flasim për shembull edhe për ndeshjen me Bylisin?
Ajo është loja që bën kundërshtari dhe vjen se unë nuk tërhiqem, sidomos në duele. Besoj se kjo është e gjitha.
A e shihni Flamurtarin si pretendent për kupën?
Normalisht që është ndër objektivat e klubit finalja e kupës, por edhe Europa. Do ta bëjmë mirë detyrën tonë. Jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë kështu.
OK, por të mos të harrojmë se iu duhet një fitore e thellë ndaj Teutës për t’u kualifikuar…
Është një rezultat i thellë, por ne do ta provojmë.
Flamurtari është i treti në kampionat, mendoni se do ta mbani këtë pozicion?
Kishim shumë kohë pa e parë veten në këtë pozicion. Unë nuk mendoj vetëm për ta ruajtur këtë vend, por për të shkuar më lart. Vetëm nëse do të luajmë mirë, atëherë do të arrijmë gjithçka. Duhet të mendojmë vetëm se si të fitojmë.
E keni fjalën për vendin e dytë apo titullin?
Po, për vendin e dytë. Nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet, janë mundësitë. Nuk duhet të gabojmë.
Një ndeshje në fundjavë përballë Tomorit, si e vlerësoni?
Nuk mendoj se Tomori është kundërshtar i lehtë. Ai vjen pas një fitoreje dhe meriton respekt. Unë nuk do të luaj në këtë ndeshje për çështje kartonësh, por besoj se shokët do të japin maksimumin e tyre. Nuk ka alternativa të tjera veç fitores.
A jeni i kënaqur nga ajo çfarë po jepni te Flamurtari?
Unë te Flamurtari që ditën që kam ardhur, kam dhënë maksimumin tim. Jam i kënaqur, nuk kam kursyer për të mirën e ekipit. Nëse nuk e dini, po ju them një fakt. Në ndeshjen me Bylisin, unë bëra plot 100 ndeshje te Flamurtari, jam i lumtur dhe i gëzuar për këtë shifër.
Çfarë u premtoni tifozëve?
Premtoj se do të vazhdoj me këto ritme, nëse vazhdojmë kështu, çdo gjë OK. Tifozët kërkojnë që ne të fitojmë, do të luajmë për këtë, pasi ata e meritojnë dhe vetëm kështu do të fitojmë besimin e tyre, por do të mbushim edhe më shumë shkallët e stadiumit.

Tifozët
Tifozët e Flamurtarit në rrjetet sociale kanë dalë hapur dhe shpresojnë që ekipi i tyre i zemrës të shkojë në finalen e kupës. “Nuk kemi dyshime, nëse vijon me këto ritme, Flamurtari është në finalen e kupës, por madje edhe me një lojë të ndershme, siç në fakt na karakterizon ne vlonjatëve. Një gjë të tillë kërkojmë edhe nga ekipet e tjera”, – deklarojnë ata.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"