10 gola të pësuar në pesë ndeshje, mbrojtja e Interit fut… ujë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 8:53

10 gola të pësuar në pesë ndeshje, mbrojtja e Interit fut… ujë

Nëse pohojmë se mbrojtja e Interit është në një situatë alarmante, nuk do të ishte aspak e ekzagjeruar. Katër golat e pësuar nga Vijareali, janë vetëm të fundit të një faze përgatitore që e ka parë si Handanoviçin dhe Onanën, ta nxjerrin topin nga rrjeta në secilën prej miqësoreve të zhvilluara.

inter vijareal

Zikaltrit nuk kanë arritur ta mbajnë portën të paprekur në asnjërën prej ndeshjeve të verës, madje kanë arritur të marrin një fitore vetëm ndaj Luganos, në shifrat 1-4, për t’ua lënë vendin më pas dy barazimeve në shifrat 2-2 ndaj Monakos e Lionit dhe humbjes 1-0 ndaj Lensit.

10 gola të pësuar në total nga Interi në 5 sfidat miqësore, një mesatare prej 2 golash për ndeshje janë shifra që patjetër i prishin gjumin Simone Inzagit, që e di se kaq shumë dobësi në mbrojtje nuk është vetëm një problem i repartit, por edhe i prishjes së ekuilibrave në mesfushë.

PROBLEME KOLEKTIVE – Dinamikat e golave të pësuar të shtunën tregojnë se fajtore është e gjithë skuadra, nga mesfusha deri te krahët e qendërmbrojtësit.

Në 15 metrat që të çojnë te porta e Handanoviçit ka munguar presioni, ashtu si ka munguar kthjelltësia në zhvendosjen e lojës përpara, për të mos folur për distancën mes reparteve, të cilat u gjendën jo pak herë në vështirësi nga kundërsulmet e spanjollëve, një sërë arsyesh që nxorën në pah edhe një De Vraj ende të luhatshëm dhe Bastonin e shpërqendruar.

Mesfusha nuk arrin në asnjë moment të filtrojë sulmet e rivalëve dhe të mbajë të bashkuar gjithë repartet duke krijuar jo pak herë hapësira që lejojnë lojtarët kundërshtarë të vallëzojnë mes linjave.

E nëse në ndeshjet ndaj francezëve alibia mund të ishte faza përgatitore e vonë, pas një muaji nga grumbullimi as ajo nuk vlen më. Interi ka probleme në prapavijë dhe duket se mekanizmat po marrin kohë të asimilohen, por me kaq ditë sa kanë ngelur nga nisja e kampionatit është pikërisht koha që nuk premton.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"