“Nuk dua të shtirem, më mungon goli”, Andi Renja: Shënoj dhe mundim Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2019 | 16:12

“Nuk dua të shtirem, më mungon goli”, Andi Renja: Shënoj dhe mundim Bylisin

Luftëtari ka gjithë kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur për Bylisin. Sulmuesi Andi Renja, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pohoi se bluzinjtë po përgatiten që të kthehen te fitorja ndaj ballshiotëve ndaj kërkohet përqendrim dhe vlerësim maksimal nga gjirokastritët.

renja (1)

27-vjeçari krahas rëndësisë që i kushton ndeshjes, tregon objektivin individual dhe të ekipit deri në fund të sezonit.

Andi, në cilën shkollë të futbollit grek jeni formuar si lojtar?

Së pari, më duhet të them se jam nga Korça me origjinë dhe jam formuar si lojtar tek Arisi i Selanikut për 14 vite. Kam provuar eksperienca të ndryshme në Greqi dhe jashtë saj. Për Luftëtarin më kanë folur miq dhe shokë të mirë, ndaj dhe pranova të jem pjesë e tij këtë sezon.

Si ndiheni te Luftëtari dhe a e vuani mungesën e golit në start?

Të mos shtirem. Si çdo sulmues, edhe unë dëshiroj të shënoj në çdo ndeshje. Goli më mungon në këto javë, por ndihem mirë kur ekipi merr rezultatin pozitiv. Luftëtari është një skuadër që brenda saj ka përvojën dhe dëshirën e të rinjve. Jam 27 vjeç dhe me përvojën time dua të transmetoj te të rinjtë pasionin dhe dëshirën për t’u bërë lojtarë të denjë për të ardhmen e tyre. Që të rinjtë të ecin përpara dhe të jenë lojtarë me perspektivë u duhet të punojnë sa më shumë.

Luftetari

Luftëtari ka prodhuar lojë në javët e fundit, por pikët i kanë munguar. Si jeni ndierë pas rezultateve jo të mira, aq më shumë që ndëshkimi u ka ardhur në kohën shtesë në Korçë?

Të vjen keq kur lufton për pikët dhe në sekondat e fundit ndëshkohesh. Ndeshjen duhet ta fitosh me zgjuarsi dhe jo të biesh pre e gjykimit apo e pakujdesisë. Kemi gabuar. Plotësuam 90 minuta të mira dhe në fund jemi penalizuar. Mungesa e eksperiencës ka dozën e saj në pikët e humbura. Me Bylisin duhet të tregohemi më të pjekur dhe profesionistë. Keni kohën e duhur për ta përgatitur këtë takim.

Çfarë pret Renja nga kjo përballje me Bylisin në shtëpi?

Pres atë që e dëshirojnë të gjithë, fitoren. Të shënoja dhe të fitonim do të ishte mrekulli. Akoma s’kam arritur formën time. Është pak e vështirë të ambientohem me Superioren. Po mundohem për të arritur nivelin që dua. Si individ dhe si ekip jam i bindur se Luftëtari do të ecë përpara dhe do jetë pjesë e Superiores në fund të kampionatit.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"