Bajerni mposhtet 2-0, triumfon Dortmundi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2014 | 10:10

Bajerni mposhtet 2-0, triumfon Dortmundi

dortmundBorusia e Dortmundit feston kupën e parë të sezonit. Para 80.667 tifozëve në tempullin “Sinjal-Iduna-Park”, Dortmundi i dha leksione Bajernit duke fituar 2-0 Superkupën e Gjermanisë falë dy golave të Mikhitarjan dhe Aubamejang. Teksa Borusia shkëlqeu me lojën e saj të shpejtë duke qenë mjaft të rrezikshëm para portës, Bajerni nga ana tjetër pati probleme në ndërtimin e lojës duke qenë mjaft pasiv para portës. Për Dortmundin ishte Superkupa e 5-të në 7 finale pjesëmarrëse duke thyer rekord (1989, 1995, 1996, 2013, 2014), ndërsa Bajerni mbetet në kuotën e 4 Superkupave në 8 finale.

B.DORTMUND – BAJERN MYNIH  2-0
Golat: H. Mkhitaryan 23’, Aubameyang 62’
Borussia Dortmund: Langerak – Piszczek, Sokratis, Ginter, Schmelzer (Durm 46’) – Kehl – Kirch (S.Bender 85’), H.Mkhitaryan – Hofmann – Aubameyang (Ramos 63’), Immobile. Trajner: J.Klop
Bajern Mynih: Neuer – J.Boateng, Javi Martinez (Dante 31’), Alaba – Höjbjerg (M.Götze 59’), Gaudino, Rode, Juan Bernat – T.Müller (Lahm 46’), Shaqiri – Lewandowski. Trajner: P.Guardiola
Kartonw tw verdhw: Höjbjerg, J.Boateng, Lahm
Gjyqtar: Peter Gagelmann

Formacioni dhe taktika Guardiola luan me sistemin 3-6-1, me Levandovskin në sulm dhe treshen mbrojtëse Boanteng-Martinez-Alaba. Nojer rikthehet në portë. Lahm, Dante, Badshtuber, Gëce dhe Pizarro ulen në stol, kurse Roben dhe Shvajnshtaiger ishin në tribunë. Ndërsa trajneri i Dortmundit, Klop, në mungesë të 6 titullarëve, Vajdenfeler, Humels, Shahin, Gyndogan, Kuba dhe Rojs, luajti me skemën 4-4-2 me dyshen sulmuese Aubamejang-Imobile.
Miki “predhë”, Martinez dëmtohet Në minutat e para, Bajerni e kishte nën kontroll lojën, por ky stabilitet nuk zgjati. Shaqiri kishte shansin të shënonte që në minutën e tretë, por portieri Langerak eviton ndëshkimin. Por, vendësit ndezën motorët duke dalë në lojën e tyre dhe gjuajtur nga distanca. Imobile gjuan nga larg, por Alaba devijon (10′) topin jashtë. Nga shpërqendrimi i bavarezëve, Havi Martinez për pak sa nuk ndëshkon ekipin e tij në minutën e 17-të. Ai pason fort te Nojer, por portieri e devijon në sekondën e fundit duke evituar vetëndëshkimin. Këtu nis “mallkimi”. Aubamejang kombinohet shumë mirë Mikhitarjan dhe armeni përfiton nga hapësirat e tepërta duke çarë rrjetat dhe i dhënë ekipit avantazhin (23′). Goli u jep besim dhe eufori, kurse Klop kërcen në anësore me stilin e tij akrobatik duke dhuruar një kërcim spektakolar. Më pas kampionët i ndjek tersi. Në minutën e 31-të, Martinez bën një kërcim akrobatik në zonën e rreptësisë së Dortmundit ku dëmtohet në gjurin e majtë. Dante e zëvendëson. Në 4 minutat e fundit të pjesës së parë, Nojer bombardohet nga 3 gjuajtje të Kehl (41′, 43′) dhe Hofman (44′), por del fitimtar.
“Spiderman” Aubamejang shokon bavarezët Pas një pjese të parë shumë të dobët, Myler lë fushën duke ia lënë vendin kapitenit, ndërsa Gëce futet për Hojbjerg (59′). Lahm luan si mesfushor. Për herë të parë dy ish-dortmundasit, Levandovski dhe Gëce luajnë së bashku kundër Borusias. Direkt sapo nis pjesa e dytë Levandovski kishte shansin të barazonte, por Langerak e devijon topin në momentin e fundit me shpatull. Më pas Dortmundi shpërthen duke dominuar komplet lojën. Sistemi i ri i Klopit “kapi mat” Guardiolën duke i hapur shumë probleme në sistemin e tij me tre mbrojtës. Mbrojtësi i djathtë Pisçek shkëputen në krah duke krosuar në zonë dhe gjetur saktë kokën e Aubamejang, i cili kërcen më shumë se “dembeli” Boateng dhe dyfishon rezultatin. Avantazh i merituar (62′). Mesfushori nga Gaboni tërbon bavarezët dhe feston me tifozët verdhezinj duke veshur “kokën” e njeriut merimangë. Jo më kot e ka pseudonimin “Spiderman”. Teksa Bajerni po kërkonte golin e nderit, Alaba u përpoq (81′) duke gjuajtur një predhë, por pa sukses. Statistikat në fund tregojnë se porta e Nojerit u shndërrua në tabelë qitjeje: Dortmundi gjuan 14 herë në kuadrat dhe shënon dy gola, ndërsa Bajerni gjuan vetëm tri herë duke e treguar veten humbës të devotshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"