Spitali Infektiv në karantinë, ish-kreu i ISHP: E papranueshme, duhen masa të forta, s’mund të…

Feb 25, 2020 | 13:00
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Spitali Infektiv në QSUT është paracaktuar si pikë referimi për çdo rast të dyshuar me koronavirus.

Prej javësh ka nisur trajnimi i stafit mjekësor dhe janë përgatitur dhomat e izolimit. Por sipas ish-drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Arjan Bregu, ky vendim nuk është i udhës, pasi karantina kërkon masa të forta shtrënguese dhe s’mund të sigurohet në një ambient ku ofrohen edhe shërbime të tjera.

Z. Bregu, kryefjala e këtyre ditëve ka qenë koronavirusi. Nga autoritetet shëndetësore është thënë që kemi të bëjmë me një virus të ngjashëm me gripin. Duhet marrë kaq lehtë situata, apo ka vend vërtet për shqetësim?

Është një virus i ngjashëm me atë të gripit, por ka mortalitet shumë më të lartë. Masat që ndërmerren janë të ngjashme për çdo situatë kur vendosemi përballë viruseve, pra jemi thuajse në të njëjtat kushte kur u gjendëm përballë SARS-it apo pandemive të tjera globale. Përderisa e gjithë bota është në alert, as vendi ynë nuk ka pse të jetë indiferent. Unë gjykoj që ne kemi kapacitete, sidomos Instituti i Shëndetit Publik ka një laborator të certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, i cili shërben për të konfirmuar rastet kur ka dyshime.

bregu
Arjan Bregu

Spitali Infektiv në QSUT është thënë që do të shërbejë edhe si karantinë nëse dyshohen apo regjistrohen raste me koronavirus. Në gjykimin tuaj, është e udhës të ndodhë kjo?

Faktikisht, aty janë edhe shërbime të tjera, është edhe shërbimi i Alergologjisë dhe shërbimi i Reumatologjisë, gjë që është e papranueshme që në të njëjtin ambient ku duhen masa të forta shtrënguese për të siguruar karantinën, të ofrohen edhe shërbime të tjera. Nëse është menduar spostimi i këtyre dy shërbimeve të tjera diku në një ambient tjetër, atëherë po.

Po sa u takon lajmeve për kthimin e Spitalit të Kavajës në karantinë, të denoncuar dje edhe nga opozita, a keni dijeni?

Nuk jam në dijeni.

Në momentin që ka një rast të dyshuar, si veprohet?

Protokolli është standard. Merret pacienti nga trupa e specializuar me mjetet mbrojtëse që ka personeli shëndetësor, vendoset në ambientin e karantinës dhe pastaj është nën kujdesin e personelit shëndetësor. Mjekimet janë sekondare për të parandaluar ndonjë infeksion të mundshëm.

Vendosja në karantinë është për periudhën e inkubacionit të virusit, pra për 14 ditë?

Periudha 14-ditore është për të qenë të garantuar që çdo rast i dyshuar nuk është i infektuar me koronavirus. Shenjat e simptomat mund të shfaqen edhe më shpejt, edhe në ditën e 2-të, 5-të apo pas javës së parë. Është variabël dhe nuk është aspak standarde kjo. Por kur i mbajmë njerëzit në karantinë për 14 ditë dhe mbasi janë bërë disa teste laboratorike, shikohet gjendja e pacientit.

Atëherë jemi të bindur që ai nuk paraqet rrezik, pra nuk është mbartës i virusit. Po nëse rezulton mbartës?

Nëse rezulton mbartës, atëherë fillon trajtimi intensiv, pasi ky pacient kërkon një kujdes akoma më të madh shëndetësor dhe një trajtim sipas protokolleve standarde të OBSH-së.

Ne, a kemi kapacitet për të përballuar raste që mund të diagnostikohen me koronavirus?

Rekomandimet e OBSH-së janë standarde. Ekspertët tanë të Institutit të Shëndetit Publik kanë vite që merren me sëmundjet infektive dhe janë të sprovuar.

E kam fjalën edhe si infrastrukturë, jo vetëm në kapacitete njerëzore…

Infrastruktura për pjesën e diagnostikimit është.

Po në momentin që konfirmohet si rast me koronavirus?

Besoj se i kemi kapacitetet për të trajtuar edhe rastet me koronavirus. Nuk di të them në sasi, pra në numra se si do të përballet sistemi shëndetësor, por në raste të veçuara besoj se po.

Nga Ministria e Shëndetësisë apelohet në mënyrë të vazhdueshme që në momentin kur shfaqen shenjat e para, qytetarët të mos paraqiten në Urgjencë, por të telefonojnë në numrin e Urgjencës 127.

Ideja është për të parandaluar një rast të mundshëm. Në rast se një pacient i drejtohet Urgjencës së qendrës spitalore ose shërbimit parësor dhe rezulton të jetë mbartës, atëherë ai përbën një kërcënim serioz për ta përhapur sëmundjen tek individët e tjerë. Në rast se trajtimi bëhet në familje, atëherë mund të bëhet trajtimi në gjendje të lokalizuar i rastit në fjalë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura