Spiro Duni sjell një portret familjar në “arTurbina”

Jan 14, 2019 | 12:52
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Ishin javë gushti ato që do të zbulonin portretin tragjiko-komik të një portreti familjar, por në skenën e Teatrit Kombëtar, zhvendosur në “arTurbina”, ai pritet të shfaqet së shpejti.

spiro_mic

“Gusht: Portret familjar” është drama me tri akte shkruar nga dramaturgu amerikan Tracy Letts, që do të ngjitet në skenë si premierë nën regjinë e Spiro Dunit.

Aktorët Luli Bitri, Flaura Kureta, Elia Zaharia Zogu, Eva Alika, Myzafer Zifla, Neritan Liçaj, Dritan Boriçi, Jani Riza, Niada Saliasi, Margent Çaushi etj., ndërtojnë historinë e ndërlikuar të një familjeje të ditëve tona, ku kriza e prindërve trashëgohet në jetët e fëmijëve, të cilët nuk arrijnë të ndërtojnë një familje të vetën, të shëndoshë. Nuk është hera e parë që regjisori Spiro Duni ndalet në portrete të tilla familjare, që zbulojnë krizat dhe problematikat e familjeve moderne: mungesa e besimit, dështimet profesionale që shndërrohen në mollë sherri për çiftet, pamundësia për t’u ngritur pas rënieve, tradhtitë, varësia nga alkooli, qetësuesit dhe drogat, ftohtësia familjare, raportet e komplikuara prind-fëmijë, braktisja etj.. Edhe pse këto lloj veprash nuk janë ato që mbledhin rreth vetes shumë publik, regjisori Duni është i bindur se ato flasin dhe japin më shumë për publikun. Pavarësisht dozës së dramacitetit që rrethon jetët e pjesëtarëve të kësaj familjeje, nuk mungojnë edhe notat e komizmit, ashtu si është vetë jeta, e ëmbël/e hidhur.

49712280_10155723088532121_687420008329904128_n

HISTORIA

“Gusht: Portret familjar” është një prej historive të shumta të familjeve të shkërmoqura. Siç ndodh rëndom, do të duhej një dasmë apo një vdekje që t’i mblidhte të gjithë bashkë pjesëtarët e familjes. Por në këtë rast është një vdekje ose më saktë, zhdukja e burrit të familjes Beverli Ueston bashkë me barkën e tij, në Oklahoma. Një poet i dështuar dhe i alkoolizuar, Beverli është kujdesur që përpara se të zhduket, t’i gjejë së shoqes, Violetës, që vuan nga një kancer në gojë dhe është e shkatërruar nga varësia ndaj qetësuesve dhe drogave, një kujdestare. Drama hapet pikërisht me këtë prezantim. Javë më pas, në gusht, një nga një anëtarët e familjes fillojnë të vijnë në shtëpi. Në krye të tryezës është Violeta, një grua që përveçse e sëmurë, shpesh jo e kthjellët për shkak të qetësuesve, por edhe noprane, e ashpër, e pakënaqur me të bijat (Ivi, Barbara dhe Karen), të cilave nuk përton t’ua vërë në dukje herë pas here defektet e tyre, dështimet apo atë që ajo e konsideron si braktisje. Do të duhej ky grumbullim për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit, për të hapur ‘kutinë e pandorës’ dhe për të zbuluar plagët e vjetra familjare, përplasjet mes prindërve dhe fëmijëve… Dhe në fund sërish largimi dhe Violeta do të mbetet vetëm me zemërimin e saj dhe shërbyesen e saj indiane. Dhe vepra mbyllet me një varg të një poezie të Tomas Eliotit, vëllimin e të cilit Beverli ia jep shërbyeses që punësoi: “Kjo është mënyra se si bota merr fund”.

VEPRA

“Gusht: Portret familjar”
Autori: Tracy Letts
Regjia: Spiro Duni
Skenografia dhe kostumet: Ledja Hajdari
Interpretojnë: Luli Bitri, Flaura Kureta, Elia Zaharia Zogu, Eva Alika, Myzafer Zifla, Neritan Liçaj, Dritan Boriçi, Jani Riza, Niada Saliasi, Margent Çaushi etj.
Skena: “arTurbina”
Produksion i Teatrit Kombëtar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura