Specialistët: Pallati i Zogut, restaurim të menjëhershëm

Apr 13, 2015 | 13:42
SHPËRNDAJE

Mbreti Zog nuk fjeti kurrë aty. Fati nuk deshi që Mbreti dhe Mbretëresha të mbretëronin gjatë në fronin e Shqipërisë.

E megjithatë, gjurmët e mbretërisë ruhen kudo në atë ndërtesë hijerëndë, ngritur në kodrat e Saukut. Madje edhe kopshtet ruajnë në to histori personale të Ahmet Zogut. Thonë se në imazhet femërore të skulpturave mishërohen pikërisht të dashurat e Mbretit Zog. Gjatë viteve të diktaturës, i mbyllur për publikun dhe po ashtu edhe pas ndërrimit të sistemeve, Pallati i Mbretit Zog, i quajtur ndryshe edhe Pallati i Brigadave, ka bartur gjithnjë me vete kuriozitetin.

Pamje nga Pallati Mbretëror

Sot ka zëra, madje dhe peticione që ai të kthehet në një muze, duke u hapur për publikun, por për ekspertët, nevoja imediate që paraqet kjo ndërtesë është pikërisht restaurimi. Pikërisht kjo do të jetë edhe tema e konferencës që do të zhvillohet sot në ambientet e Pallatit të Brigadave nga Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, Institutin Italian të Kulturës dhe Fondacionin Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit.

Mësohet se konferenca e dedikuar për historinë, gjendjen e tanishme fizike dhe potencialin e Pallatit të Brigadave, ka për qëllim të paraqesë rezultatet e një hulumtimi shkencor të kryer kohët e fundit në diagnostikimin dhe analizën e kësaj trashëgimie unike në vendin tonë. Në konferencë marrin pjesë profesorë dhe kërkues shkencorë nga universiteteve të Italisë dhe Shqipërisë, si dhe të “Centro Nazionale della Ricerca” (Qendrës Kombëtare të Kërkimit). Pas një prezantimi mbi të dhënat historike dhe arkitektonike të Pallatit, subjekt i konferencës do të jenë ndërhyrjet afatshkurtra dhe afatgjata mbi restaurimin dhe ruajtjen që do të duhet të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Nga ndërtimi i Pallatit Mbretëror 1940

Aparaturat e avancuara teknologjike të përdorura për herë të parë në Shqipëri gjatë këtij hulumtimi të rëndësishëm shkencor për statusin fizik të monumentit treguan për pjesë të degraduara të Pallatit, të cilat nuk kanë rezistuar ndaj viteve dhe kushteve të motit. Pallati i Brigadave reflekton kontributin e veçantë dhe aftësinë e arkitektëve italianë që punuan në Shqipëri në vitet 1930-1940 për projektimin dhe realizimin e saj. Pallati u pasurua me materiale të çmuara, piktura, skulptura, basorelieve, të realizuara nga Antonio Maraini, Odhise Paskali etj.

Kjo godinë mbresëlënëse, e projektuar nga Giulio Bertè si “Vila Mbretërore” e monarkut të Shqipërisë Ahmet Zogu në 1936, më pas, e kompletuar në mënyrë përfundimtare në 1939 – 41 nga Gherardo Bosio dhe që në ditët tona njihet si “Pallati i Brigadave”, kërkon me domosdoshmëri një rivlerësim të menjëhershëm dhe një rivitalizim të potencialit të madh që fsheh përbrenda e përreth saj pas kaq vitesh konservimi. 

“Dafina”, për nder të së dashurës së Zogut


Një skulpturë e veçantë në parkun mbretëror është “Dafina” e Antonio Marainit. Sipas Valter Gjonit, thuhet se kjo skulpturë i dedikohet një balerine të skenave parisiane, me të cilën Mbreti Zog pati një lidhje të hershme. Balerina Tanja Visirova tek “Unë, e dashura e mbretit Zog”, shkruan: “Miklohej kur mendonte se kishte një robinë si unë, gjë e ngjashme me miklimet e tjera që i vinin kur mendonte se kishte të vetën ‘La Visirovën’, për të cilën shkruanin gazetat e Parisit. Vallëzoja shpesh, por me të, shoqëruar nga muzika e disqeve (në Shqipëri kishte vetëm një orkestër, kjo ishte orkestër ushtrie). Ne, unë dhe Zogu, mund të jetonim dhe vetëm me maratonën e vallëzimit. Për gjithçka që ishte tango, foks-trot, vals, ishim të pamposhtshëm. Vallëzonim vetëm apo rrallë nëpër festa edhe përpara të ftuarve të paktë: ministra dhe personalitete të tjera të Pallatit”.

ALMA MILE 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura