Speciale/ Sukseset ndërkombëtare të sportistëve tanë, Romela Begaj dhe Izmir Smajlaj “ari” i 2017-ës

Dec 31, 2017 | 21:08
SHPËRNDAJE

Në Shqipëri, sporti po merr një zhvillim të madh dhe ndryshimet rrënjësore vijnë jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në rekordet e këtij viti të arritura në arenën ndërkombëtare.

flamuri shqiptar romela begaj

Prandaj, 2017-ta do të mbahet mend gjatë si një ndër vitet më fantastike, por me shpresën se e ardhmja do të jetë edhe më e ndritur, nga medaljet që do të varin në qafë, apo brezat e artë të sportistëve luftarakë.

Peshëngritja, si një llojet e sportit fizik, që në vetvete ka si qëllim argëtimin dhe zhvillimin e aftësive fizike dhe psikike të sportistëve, qëndron në krye të ranglistës së sukseseve për sportistët tanë në arenën ndërkombëtare.

Kështu, peshëngritësja jonë Romela Begaj u shpall kampione bote në SHBA në stilin e shkëputjes në nëntor 2017, ndërsa muaji mars na solli dhe rekordmenin historik kombëtar e europian, atë të kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj, si dhe në boks, kampionin e Gjermanisë, Ferit Keta. Le t’i analizojmë me radhë këto arritje të sportit tonë në arenën ndërkombëtare:

PESHËNGRITJE

Romela Begaj arrin të rishkruajë historinë pas 45 vitesh, duke u shpallur kampione bote në peshëngritje në Botërorin që u zhvillua në nëntor 2017, në Anahaim të Amerikës. Ajo fiton dy medalje, një të artë dhe një të argjendtë në peshën 69 kilogramë. Kjo ka qenë sigurisht një paraqitje e shkëlqyer e shtangistes kuqezi, që vari në qafë “arin” në stilin e shkëputjes, duke realizuar të tria provat dhe e mbyllur garën e saj në 107 kilogramë.

romela begaj

Më pas do të vinte dhe çasti emocional kur ngjitej në podium bashkë me flamurin kuqezi. Paraqitja historike për peshëngritësen shqiptare Romela Bega, ku 31-vjeçarja shënoi emrin me germa të arta në histori, përbën një nga arritjet më të suksesshme, me të cilën krenohet Shqipëria gjatë vitit 2017, ndërkombëtarisht. Në stilin e shkëputjes, Romela u rendit e para, ndërsa në dygarësh zuri vendin e dytë.

Begaj në provën e parë, në stilin e shkëputjes ngriti 103 kilogramë, më pas shtoi 2 kilogramë në shtangën e saj, duke e realizuar me sukses edhe provën e dytë, ndërsa në të tretën provoi 107 kilogramë, për të siguruar medaljen e artë, me 1 kilogram më shumë se rivalja kolumbiane. Me të njëjtën strategji nisi provën e saj edhe në dygarësh.

Edhe pse fillimisht kishte deklaruar 130 kilogramë, në tentativën e parë e uli në 125, duke e realizuar me sukses. Në provën e dytë, Begaj bëri mrekullinë duke ngritur 128 kilogramë, por u pa qartë se problemi fizik që shfaqi në fund të provës së parë e kishte rënduar. Tentoi 131 në provën përmbyllëse, por nuk ia doli dot, ndonëse suksesi i saj ishte i padiskutueshëm.

ATLETIKË

Kërcim së gjati në salla të mbyllura, një falënderim për Izmir Smajlajn… Atleti shqiptar nga Shkodra, 24- vjeçari, rekordmen në kërcimin së gjati dhe aktivist në garat e trehapëshit, gjatë vitit që lamë pas arriti një rekord historik. Ka qenë e pabesueshme, mjaft rrëqethëse dhe dramatike, por dhe emocionuese, që një shqiptar të shpallej kampion Europe, mbi të gjitha në Beograd (Serbi), në marsin e vitit 2017.

Smajlaj

Izmir Smajlaj ngjitej në atë Europian, në majën e podiumit me medaljen e artë në garën e kërcimit së gjati, pas një finaleje për “infarkt”. 24- vjeçari shkodran regjistroi hedhjen e artë në tentativën e gjashtë që ishte edhe e fundit me 8 metra e 8 centimetra. Momente dramatike, të një finaleje për njerëzit me zemër të fortë, Smajlaj kampion Europe, me një hedhje që dëshiron të shkruajë historinë e atletikës shqiptare.

E kotë të thuhet në të tilla raste që Smajlaj vendosi edhe një rekord kombëtar, sepse ai gdhendi emrin e tij në një nga evenimentet më prestigjioze të kontinentit të vjetër. Shqipëria dhe atletika jonë tashmë kanë një simbol. Ky është Izmir Smajlaj, që po ndriçon pishtarin e një epoke të re në kërcimin së gjati.

BOKS

Ferit Keta! Boksieri shqiptar shpallet kampion në peshën “Cruiser”, ku sportistit tonë i mjaftuan vetëm katër raunde për të mposhtur gjermanin Toni Tes dhe të shpallej kampion i Gjermanisë. Boksieri shqiptar sfidoi 31-vjeçarin në ndeshjen e nëntë të karrierës së tij dhe e mbylli sfidën me fitore, përmes “knock-out” teknik.

ferit keta

Ky sukses i tiji në vitin 2017 mbërriti vetëm katër muaj pas titullit të fituar në “kick boxing”, ndaj holandezit Roshel Gumuljo, ku brezin e artë e mori nga Luan Krasniqi. Ajo që e bën akoma më të madh suksesin e sportistit tonë 29-vjeçar nga Bulqiza është fakti që ka vetëm 20 muaj që ka zhvilluar ndeshje në boksin profesionist dhe kjo ishte fitorja e nëntë nga nëntë ndeshje që ka zhvilluar deri më tani.

Titulli në kategorinë “Cruiser” ishte vakant dhe dueli i fundit për brezin e kësaj peshe në boksin gjerman, ishte fituar nga Adam Deines pasi mposhti boksierin Bjorn Blashke.

“KICK BOXING”

Kristian Prenga. Natë magjike dhe e madhe për shqiptarët ka qenë ajo e 18 marsit 2017, kur Kristian Prenga mbrojti titullin kampion Europe dhe po atë natë fitoi edhe Ferit Keta, duke veshur atë mbrëmje të gjithë Mynihun kuqezi. Kristian Prenga dhe Ferit Keta u bënë dy kampionët shqiptarë, të cilët dolën triumfues në një natë luftimesh të organizuar nga familja Keta, në Mynih të Gjermanisë.

prenga-1

Thjesht fantastik ka qenë i riu Kristian Prenga, i cili mbrojti me sukses titullin e kampionit të kontinentit, të fituar një vit më parë në “kick boxing”, ku shtatlarti shqiptar që përfaqë- son Gjermaninë mposhti që në raundin e parë rivalin e tij, Sasha Brinkmen, duke ruajtur gjerdanin e artë në këtë kategori.

Prenga ishte i papërmbajtshëm që në sekondat e para të asaj sfide dhe, falë një goditjeje “middle-kick”, arriti të hidhte “knock-out” kundërshtarin, të cilit i theu dhe dorën. Një fitore fantastike kjo për Kristian Prengën!

ARTE MARCIALE MIKSE “MMA”

Ermal Hadribeaj dhe Florian Doskja! Shqipëria ka marrë dy medalje bronzi në “MMA” në kampionatin botëror të Arteve Marciale Mikse, që u zhvillua gjatë muajit dhjetor në Bahrein. Sportisti Ermal Hadribeaj, i cili garonte për peshën 70 kilogramë, u mposht nga sportisti vendës Magomedov, në gjysmëfinale, por ky rezultat i mundësoi atij që të merrte medaljen e bronztë.

IMG_1859-1200x630-620x330

Po këtë lloj medalje mori edhe sportisti tjetër, Florian Doskja, i cili garonte në peshën 61 kilogramë. Doskja mundi brazilianin Karlos Veras, duke i shkaktuar dëmtime të mëdha.

Të dy sportistët shoqëroheshin nga Arian Rizai, trajneri i Kombëtares dhe njëkohësisht presidenti i Federatës së Arteve Marciale Mikse, në Shqipëri. Për këtë lloj sporti, 2017-ta ka qenë një vit i suksesshëm për shkak të përpjekjeve të të gjithë sportistëve dhe atyre që janë pjesë e familjes së F.SH.N.L-MMA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura