SPECIALE NGA UVIL ZAJMI/ Moda e sportistëve, kur mjekra dhe flokët e gjata të prishnin karrierën në Shqipëri! Plenumi i vitit 1973 ishte fatal

Mar 17, 2023 | 21:45
SHPËRNDAJE

Të ndiqje modën në Shqipërinë komuniste nuk ka qenë e lehtë. Slogani “Të luftojmë shfaqjet e huaja”, i ka shoqëruar shqiptarët në dekada, një slogan i pandarë kudo e në çdo sektor të jetës. Paralajmërues, persekutues për cilindo që shfaqte tendenca dhe kërkonte të ishte modern. Në veçanti sportistët ishin në linjën e parë, si njerëz publikë, nisur edhe nga fakti që mjedisi sportiv ishte tolerant dhe të ofronte këtë mundësi të ndaluar. Ata konsideroheshin si pikë referimi për modën duke qenë se dilnin jashtë shtetit, kishin kontakte me të huaj, duke u shfaqur me tjetër veshje, paraqitje, flokë të gjata, baseta të trasha, që provokonin.

dfsdfsdfdsfsdfds (1)

Deri në vitin 1973, qershor, kur pas fjalimit të Enver Hoxhës në Plenumin e 4-t, diktatura u rishfaq më e egër se kurrë. Jo modë, asnjë demonstrim apo imitim. “Shfaqje e huaj”, cilësohej e duhej të ndëshkohej në të gjitha mënyrat dhe format. Jo me flokë të gjata, as favorite, as mjekër, as mustaqe. Të ndalonte, kritikonte lagjja, shkolla, ndërmarrja…

Mjaftonte një detaj, opinion, orientim, të ndiqte kritika publike, me fletërrufetë në plan të parë, gazetat, grupet e rinisë, organizata e partisë, ajo e rinisë. Kjo edhe për sportistët, cilido, i njohur, mjeshtër, kampion, drejtues, ishte e ndaluar të demonstroje modë, aq më shumë të imitoje të huajt në paraqitje e gjeste. Në mjediset sportive ishte klubi, deri edhe arbitri, nëse konstatonte “shfaqje të huaja” të ndalonte të luaje.

Por si e transmetonin modën sportistët shqiptarë? Nga frekuentimi i vajzave të Pallatit të Sportit, dashuritë, veshjet moderne, që më pas ajo mënyrë sjelljeje u konsiderua e papërshtatshme e që duhej dënuar. Kontrasti i madh kur skuadrat e huaja vinin në Tiranë, nga Best, Netzer, Overat te Jugosplastika, mjekroshi i Sëlltikut dhe si e kujton sot Genci Tomori, atë kohë, peripecitë nga dëshira për pak flokë më shumë: “Jam qethur në dhomat e zhveshjes. Ali Kastrati ishte kthyer edhe si berberi ynë”, rrëfen për “Panorama Sport” ish-lojtari i Partizanit dhe i Kombëtares.

XHORXH BEST DHE “BEATLESMANIA”
Moda e ndjekur nga sportistët, kryesisht futbollistët, në botën sportive ka qenë një preferencë e madhe për ata, por dhe për të tjerë që i ndiqnin, imitonin. Si në fushë edhe jashtë saj, ku shkëlqente brilantina, stili modern në veshje, deri në dashuritë e famshme. Shfaqjet e para të një mode ndryshe nga lojtarët u panë kur Xhorxh Besti i famshëm doli në fushë me flokë të gjata, me një “look” të paparë deri atëherë, duke imituar grupin e njohur anglez të muzikës “Beatles” pas së cilës “bestomania” mori përhapje masive në mes të viteve ‘65-së. Madje, irlandezo-veriori ka ardhur edhe në Tiranë, në ndeshjen e vitit 1965, në ndeshjen Shqipëri-Irlandë e Veriut, 1-1.

italian championship 1967 1968

Kjo është periudha që mund të konsiderohet si ajo që futbollistët, të paktën, u panë në fusha, mjedise publike me një stil të ri, veçanërisht me flokët mbi veshë e baseta të trasha. Kryesisht në vendet e Europës Veriore, klubet angleze, holandeze, pastaj duke zbritur në atë Qendrore me Gjermaninë në krye, në Francë, Itali, Spanjë, Jugosllavi, etj. Shumë më pak në vendet e Bllokut Lindor. Po në Shqipëri?

VITET ‘70, TENDENCA KA KULMIN E SAJ
Dëshira për të imituar perëndimin edhe në këtë drejtim ishte e madhe dhe “bestomania” pati ndikimet e saj edhe në sportistët shqiptarë. Fillojnë tendencat dhe shihen futbollistë, basketbollistë, volejbollistë me prirje për të mbajtur flokë, një “look” pak ndryshe. Kryesisht ata që dilnin jashtë e kishin kontakte me futbollin përtej kufijve, atë perëndimor, ku moda e sportistëve ishte pa kufi, sigurisht ishin më të ndikuar, privilegjuar dhe që e demonstronin.

Sporti shqiptar, këtë traditë e pati trashëguar kur lojtarë të mëdhenj ishin edhe pasionantë të modës, e në mjaft sportistë nuk ka munguar shfaqja e kësaj tendence, të paktën deri rreth viteve ‘60, flokë me brilantina, veshje elegante, frekuentim lokaleve kryesore, por edhe me dashuri të njohura. Një ndër ta, Zihni Gjinali, i shquari futbollisti-trajner, që nuk e ndante brilantinën. Pra, ishin sportistët më shumë si njerëz publikë, që e përcillnin ndër të parët çdo ndryshim. Kjo, edhe nga dalja e skuadrave, klubeve, komunikimi në veçanti me botën perëndimore, pati një ndikim të madh, jo vetëm në cilësinë sportive, por edhe në raport me një dëshirë, estetikë, veshje ndryshe, moderne.

1111111111 (1)

Përballjet me Best, Netzer, Bekenbauer, Overat, Myler, Krujf, Shollman, Kapicic, kanë qenë një nxitje më shumë. Ardhja e skuadrave nga Norçeping, Këln, Klilmarnok, FC Torino, Standart, Ajaks, apo kombëtareve nga Danimarka, Holanda, Zvicra, Jugosllavia, Gjermania, në lojërat me dorë, nga Virtus, Bloker, Oransoda, Jugosplastika, Panathinaikos, Zvezda, Partizani B., në sfidat spektakolare të kohës, patën ndikim kur shihje përballë lojtarë kalibri që përveç madhështisë në parket edhe në atë estetik, me “look”-un tërheqës që transmetonin.

SI E SILLNIN, PËRCILLNIN DHE DEMONSTRONIN MODËN SPORTISTËT
Vitet ‘70 janë shoqëruar me udhëtime masive drejt Kinës. Ndryshe ishte një ndeshje në perëndim. Vetëm tri ditë, por në atë censurë totale, sportistët dhe artistët ishin të vetmit që e kishin atë mundësi të dilnin jashtë, e për të sjellë diçka në veshje veçanërisht. Ndonëse kontrolli doganor nuk lejonte të nxirrje jashtë valute dhe as të sillje jashtë normave, edhe pse janë ndaluar, kontrolluar, duke rrezikuar e duke u ndëshkuar, nuk kanë mundur t’i ndalin. Sportistët bënin diferencë, dalloheshin kur dilnin, qëndronin në miqësi, evidentohej preferenca perëndimore. Një palë këpucë, një xhaketë, një këmishë, një pardesy, deri edhe në plazh, vende publike, xhiro, ata që binin më shumë në sy ishin sportistët, artistët, nga fakti se vishnin diçka ndryshe nga ato masive të popullsisë, që tregtoheshin në mapot e njohura.

VAJZAT NË PALLATIN E SPORTIT, SA PASION I MADH PËR KOHËN
Vitet ‘70 sollën një ndryshim të rëndësishëm edhe me praninë e femrës në mjediset sportive, kryesisht në pallatin e sportit “Partizani”. Jo vetëm si admiruese apo tifoze, por vajtja në atë mjedis kryeqytetas shërbente dhe si demonstrim i modës, veshjeve, shijeve, tendenca perëndimore që reflektoheshin haptazi, plot me pasion dhe një e shtunë pritej me padurim nga të gjithë, një rini, vajza, djem, gjimnaziste, studentë për të qenë te “Partizani”.

Kurrë më parë si në ato vite, të ishte parë një fenomen i tillë, një pallat sporti i mbushur jashtë kapaciteteve, njëkohësisht edhe si një mjedis i reflektimit të modës. Kontaktet me botën sportive në atë periudhë kishin një ndikim të jashtëzakonshëm për sportistët, publikun, pa e menduar se qershori i vitit 1973, pas një fjalimi diktatorial kur Enver Hoxha do të shpallte: “Të gjithë kundër shfaqjeve të huaja”, një slogan vrasës, një proces i gjatë ndëshkues, që do t’i ndiqte të gjithë shqiptarët, shoqëruar me një mbyllje totale për shumë vite.

sdfsfdsdfsdfssdf (1)

PROBLEM KUR TË HUAJT VININ NË TIRANË ME FLOKË TË GJATA E MJEKËR
Ardhja e futbollistëve, sportistëve të huaj në Tiranë, ka qenë një problem i madh për shtetarët e kohës. Kryesisht për modën që përcillnin, në një vend ku ishte e ndaluar dhe konsiderohej shfaqje e huaj. Futbollistë, sportistë, kur zbrisnin në Tiranë me flokët e gjata që habisnin mjedisin e kufizuar shqiptar, jo vetëm sportiv, diçka e pakonceptueshme në Shqipëri. Para takimit 17 Nëntori-Ajaks, shtator ‘71, gazeta “Sporti”, një ditë para takimit, shkruante:

“Korteu ajaksian i përbërë nga drejtues, lojtarë e gazetarë me flokë të gjata, mjekra të dendura, aparate të shumta e larmi kostumesh me ngjyra ndezëse(ku nuk mungonin as minifundet), zbret rëndë-rëndë, plot pompozitet, tamam si në teatër, shkallët e hotelit dhe i hipën autobusit që do t’i çojë në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Shumë kalimtarë ngrenë supet e pyesin njëri-tjetrin: “Po këta nga na mbinë? Ç’të jenë vallë? Njerëz apo karikatura?”

Vite më vonë, kur Sëlltiku i Gllazgout do të vinte në Tiranë për t’u ndeshur me Partizanin në Kupën e Kampioneve, shtator 1979, kapiteni i skuadrës Danny McGrayn, kujton në gazetën “Scotsman”: “Para se të niseshim për në Shqipëri, informacioni i parë që na thanë në klub para udhëtimit ishte mjekra ime, pasi aty nuk lejojnë me mjekër e mundet të të ndalojnë në aeroport për shkak të saj. Më sqaruan se mjekrat e gjata, roku e shumë gjëra të tjera nuk pëlqeheshin nga Enver Hoxha”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura