SPECIALE/ “Nga loja në qiell të hapur tek ndërtimi i pallatit të sportit ‘Asllan Rusi’, kush është ideatori i projektit modern”

Jul 11, 2018 | 20:14
SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI/ Ka qenë maji i 1962- shit, kur kanë fillu ar punimet për ndërtimin e një pallati sporti në Tiranë. Vetëm 14 muaj punë intensive dhe në korrikun e 1963-shit, impianti më i madh sportiv në vendin tonë, me emrin “Partizani”, ka qenë gati. Për kohën e për dhjetëvjeçarët që pasuan, madje edhe sot, ka mbetur një ikonë e vërtetë, që ka mbajtur peshën kryesore të aktiviteteve kombëtare, ndërkombëtare sportive që janë organizuar në Shqipëri. Por, cili ishte ideatori, motivi, si e konkretizoi pasionin për realizimin e një kompleksi gjigant për Tiranën e Shqipërinë gjenerali Petrit Dume?

uvil-zajmi-470x836

Nga projektuesit, Turneu i Volejbollit i Ushtrive të Vendeve Mike të Demokracive Lindore, Ballkaniada, pastaj Virtus, Oransoda, Jugoplastika, Crvena Zvezda, një Shqipëri sportivoartistike, të gjithë brenda tij, nga takimet derbi në lojërat me dorë, mitingjet me kinezët, kongreset e partive, koncertet e spektaklet muzikore, deri te moda e modernizimi që injektoi brezi i kohës ndër frekuentuesit pasionantë të tij. Si e kujtojnë sot Muhamet Përmeti, Ismet Bellova Sulejman Zela, punonjësi më i vjetër, Pallatin e Sportit “Partizani”, sot “Asllan Rusi”?

pallati i sportit asllan rusi

Shqipëria dhe kryeqyteti, sport në qiell të hapur

Që Tiranës dhe vendit i mungonte një mjedis modern i mbyllur ku të organizoheshin aktivitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare të Lojërave apo edhe disiplinave të tjera, ishte evidente dhe një kërkesë e domosdoshme e kohës. Në Shqipërinë sportive të viteve ’50-’60, ndeshjet zhvilloheshin në kushte e mjedise aspak komode, me shi e diell, kohë e keqe, ftohtë, nxehtë, terrene me dhe të zi. Tirana kishte një kënd sportiv te Shallvaret, pastaj Parkun Sportiv Studenti (ish-lodrat) në fillim të Rrugës së Elbasanit, Parku i “Xha Tonit”, një tjetër tek ish-gjykata në Rrugën e Durrësit, atë mbrapa Kryeministrisë, që për shumë vite aty janë stërvitur e zhvilluar aktivitetet e ndryshme, deri edhe boksi. Ndërsa në Shkodër luhej në “Spartak”, në Durrës te “Nako Spiru”, në Vlorë e Korçë, gjithashtu kudo në qiell të hapur.

Pallatit i Sportit, vepër e Petrit Dumes

Ka qenë ai që e ideoi, e mbështeti dhe mori pjesë aktive në ndërtimin e tij. Ka pasur gjithashtu një angazhim të madh edhe nga i gjithë paneli i Ministrisë së Mbrojtjes, oficerë e drejtues madhorë të saj si: B. Balluku, R. Perllaku, Th. Xhixho, M. Backa, A. Fejzo, etj. Duke shfrytëzuar hambarët e avionëve si dhe afërsinë me ndërtesat njëkatëshe të klubit Partizani, shkak për ndërtimin e shpejtë dhe të domosdoshëm të një mjedisi të mbuluar me përmasa gjigante u bë Spartakiada e Ushtrive të Vendeve mike të demokracisë në volejboll, që u vendos të zhvillohej në Tiranë në korrik të vitit 1963.

Në atë vit do të merrnin pjesë Shqipëria, Kina, Koreja, Rumania. Punimet për ndërtimin e tij nisën në muajin maj të vitit 1962, me projektues inxhinierët: K. Miho, A. Galanxhi, S. Pashallari, A. Nase, S. Velto, V. Uçi. Aty është punuar me norma të larta ditore pune, me brigada ushtarësh, me zotimin për ta mbaruar para afatit dhe në realizmin e tij kanë punuar me punë vullnetare edhe shumë sportistë, trajnerë, etj. Por një kontribut të madh kanë dhënë inxhinier Kristaqi, teknikët ndërtues P. Toska, L. Tereziu, Th. Poçi, L. Vuksani, Xh. Osmani, S. Bejleri, M. Gjoni, Z. Ujku, Th. Becka P. Tervolli, P. Dokarja, Q. Buzi etj. I konsideruar si vepër e ushtrisë për rininë e kryeqytetit, mori emrin “Partizani”, i vënë që në projekt, pasi përfshihej në zonën ku ndodhej klubi, por edhe nga dëshira e ushtarakëve. Vetëm pas viteve ’90, ai ndryshoi në Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, një ndër legjendat e volejbollit të Dinamos e Kombëtares, i ndarë nga jeta në moshë të re.

pallati i sportit asllan rusi1

Projekt modern për kohën

Nisur nga disa shkrime informuese të S. Këlliçit, K. Grillo dhe ushtarakëve, majorit N. Deveja dhe A. Kuka, në “Sporti”, gjatë vitit 1962 e 1963, sipas projektit, ai do të ishte i ndarë në tri salla: 1) Salla qendrore, më e madhja e lojërave me dorë, kryesisht për basketboll, volejboll, por edhe për gjimnastikë, mundje, peshëngritje, etj. 2) Në krah të djathtë salla me pishinën moderne, e para në Shqipëri e mbyllur. 3) Në krahun tjetër salla që shërbente si palestër, gjithçka e shtruar me parket. Jashtë pallatit u ndërtuan fusha sportive për stërvitje, si basketboll, volejboll, futboll, 2 fusha tenisi, pistë vrapimi dhe anekse të tjera sportive.

Pallati kishte 20 shkallë për secilën tribunë, të shtruara me material të parafabrikuar me rreth 3500 vende ulur, ndërsa 500 mund ta ndiqnin në këmbë. Hapësira të mëdha, banja funksionale, dhoma zhveshje, tabelë me llamba kineze për shifrat e lojës. Ai do të mbulohej nga një çati metalike dhe fasada e jashtme do të vishej me pllaka guri të lëmuar. Ai kishte një sipërfaqe 110m e gjatë dhe 44m e gjerë. Kishte kubaturë 40 mijë m3, sistem qendror ngrohjeje etj. Edhe tenis mund të luhej aty. U quajt Pallati i Sportit i Lojërave me Dorë, por aty janë zhvilluar shumë disiplina sportive; peshëngritje, mundje, gjimnastikë, etj. Disa nga drejtuesit kujtohen të kenë qenë Ali Kastrati, administratorët A. Prodani, S. Foci, V. Xhindolli, etj.

Edhe një pishinë olimpike…

Një ndër mjediset sportive shumëfunksionale, moderne e veçantë, jo vetëm në Shqipëri për kohën, ka qenë pishina e mbyllur, në të cilën janë zhvilluar shumë aktivitete, si not, varterpol, etj. Me një tribunë me 500 vende, e gjatë 25 metra, me trampolinë, ajo ishte vepër e Institutit të Studimeve të Ushtrisë. Sipas arkitektëve, pjesa e poshtme nën ujë ishte projektuar me xham që garat të ndiqeshin nga trajnerët e specialistët, si dhe me drita nën sipërfaqen e ujit. Por, me kalimin e viteve, pak nga neglizhenca, jo e izoluar mirë, hidroizolimi filloi të mos funksionojë, duke futur ujë. Për këtë arsye, pishina mundi të rezistojë deri në mesvitet ’70 dhe për shkak të amortizimit e lagështirës, ajo nuk u shfrytëzua më. Më pas u transformua në sallë të lojërave me dorë e stërvitjeve të ekipeve të kryeqytetit, kombëtareve të ndryshme dhe e ndeshjeve të kampionateve zyrtare të volejbollit, basketbollit, gjimnastikës, mundjes, peshëngritjes, pingpong, etj. I gjithë parketi është i vendosur dhe qëndron mbi një strukturë metalike.

Kampionati i Volejbollit të ushtrive mike të vendeve socialiste

Ky turne startoi në mesditën e 4 korrikut 1963 (vetëm volejbolli) në stadiumin e lojërave me dorë, “Studenti”, të mbushur me flamuj të RP Shqipërisë, RP Kinës, RDP Koresë, RP Rumanisë. Në orën 16:55, të pritur nga 3000 spektatorët e pranishëm, të prirë nga flamuri i vendit përkatës, përballë tribunës qendrore, rreshtohen ekipet e volejbollit. Para mikrofonit afrohet gjeneral-leitnant Petrit Dume, i cili në emër të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore të RP Shqipërisë, përshëndeti sportistët pjesëmarrës dhe deklaroi të çelur kampionatin e volejbollit. Pastaj, nën tingujt e himnit kombëtar, të ekzekutuar nga orkestra frymore e ushtrisë, Masar Aga iu drejtua këndit jugor të fushës për të ngritur flamurin e RP Shqipërisë, si vendit organizator. Pastaj parakaluan ekipet pjesëmarrëse dhe filluan ndeshjet. Rezultatet e ndeshjeve: I P’HAL Steaua 3- 1 dhe PA -I Partizani 3-0. Partizani luan në këtë turne me: Aga, Lullolli, J. Kona, Prifti, Meka, Pelivani, Sharofi, Murzaku, trainer A. Kona. Ndërkohë, ndeshjet e tjera, sipas programit, zhvillohen edhe në Durrës e Shkodër, ndërsa Dilaver Cara është arbitri shqiptar në këtë aktivitet.

Inaugurimi, në vigjilje të 20-vjetorit

Duke iu referuar “Sporti Popullor”, ai na informon se Pallati i Sportit “Partizani” u inaugurua me 10 korrik 1963, në vigjilje të 20-vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore. Në ceremoninë përuruese ishin të pranishëm B. Balluku, M. Myftiu, R. Alia, K. Hazbiu, P.Dume, kryetari i Kuvendit Popullor, Dr. M. Shtylla, anëtarë të Komitetit Qendror të PPSH dhe qeverisë si dhe delegacioni ushtarak i Rep. Dem. Popullore të Algjerisë si dhe ekipet e volejbollit të RP të Kinës, Hungarisë. Fjalën e rastit e mbajti zv/ministri i parë i Mbrojtjes, gjeneralleitnant P. Dume. Pastaj, z.kryetar i parë i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, preu shiritin dhe të pranishmit vizituan Pallatin. Ndërkohë, janë vitet e ndërprerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, të cilat ndikuan edhe në ndërtimin e tij dhe mjaft pajisje erdhën nga Kina, ndër to edhe tabela e pikëve. Pati vështirësi në montimin e saj dhe ishte inxhinier Vathi, vëllai i Bule Vathit, që arriti të realizojë funksionimin e saj.

Ndeshja e parë kundër kinezëve: Partizani-PA-I 0-3

E shtunë, 13 korrik, sipas “Sporti Popullor”: Më 10 korrik filluan ndeshjet e fazës së dytë të këtij kampionatit të ushtrive. Ndeshja e parë, duartrokitjet e para të spektatorëve të parë të pallatit të ri të sportit i morën volejbollistët e skuadrave të Partizanit dhe PA-I të RP Kinës, të cilëve iu takoi të fillojnë aktivitetin e parë sportiv në këtë vepër. Ndeshja u mbyll 3-0 për kinezët. Turneu vazhdoi disa ditë dhe ai u fitua nga “PA-I”, që në takimin deciziv mundi 3-2 “IP-Hal” të Ushtrisë Popullore të RD Koresë. Ka edhe një detaj tjetër: Pikërisht në Pallatin e Sportit është zhvilluar takimi miqësor me boksierët koreanë, që shënoi aktivitetin e fundit të boksit në Shqipëri, sepse ky sport u ndalua.

Ballkaniada, tjetër turne madhor

Në fund të vitit 1965, pikërisht në Pallatin e Sportit “Par-tizani” të ndërtuar vetëm dy vite më parë, organizohet e zhvillohet Ballkaniada e skuadrave përfaqësuese në basketboll për meshkuj. Marrin pjesë: Shqipëria A dhe B, Jugosllavia, Rumania, Turqia e Bullgaria. Turneu zgjati disa ditë dhe u mbyll me fitoren e ekipit të Jugosllavisë. Gjatë një jave, shkallët e Pallatit të Sportit kanë qenë të mbushura mbi kapacitetin e tyre dhe të pranishmit kanë përjetuar emocione të mëdha në atë mjedis. Kanë lënë gjurmë 101 pikët e Vaso Shakës dhe sfida e jashtëzakonshme ShqipëriJugosllavi, fituar me 4 pikë (64- 60) në fundlojë nga kundërshtarët, e vlerësuar si takimi më spektakolar i zhvilluar në historinë e skuadrës kombëtare shqiptare në basketboll, ndaj një formacioni në përbërje me kampionë të njohur bote.

Mjedisi i Shakës, Fagëve, Rusit, Tases, por edhe i amerikanëve

Janë vitet e një ndjeshmërie të madhe sportive, për të ndjekur takimet rivalizuese, në veçanti sfidat e paharruara të djemve Partizani-17 Nëntori në basketboll, Dinamo-Partizani në volejboll, etj. Për të parë nga afër A. Rusin (nuk jeton), dy Fagët: Agim e Dashamir (nuk jeton), Shakën, Radojën, Kasmin, Shehun, Domin, Terihatin, Lenën, A. Bushatin (nuk jeton), N. Palin, Zaçen (nuk jeton), L. dhe E. Tasen, Dukën, Ibrahimin, pastaj Mushin, Çaçin, Bushatin, Trebickën, Vorfën, trajnerët V. Koja, A. Greva, K. Tartari, Nj. Lleshi, Q. Shalsi, F. Borova, A. Kona, arbitrat V. Karaja, V. Shundi, Bozdo, etj. Nga kampionët Pampuri, Kalleshi, Spahiu, Gjenerali, gjimnastin A. Marko, një pafundësi emra… Aty kanë garuar gjimnastë, peshëngritës, mundës, boksierë në një gjysmë shekulli të ekzistencës së tij. Në parketin e tij kanë zbritur formacione me sportistë të klubeve me famë europiane, si Virtus i Bolonjës në volejboll për djem, italianët e Oransodës me Burgess e Lyn, nga të parët amerikanë që kanë luajtur aty, në barazimin e paharruar 73-73 dhe 48 pikët përtej kufijve imagjinarë e të papërsëritshme të Agim Fagut… Pastaj Zadari i Gjergjas, Jugoplastika e Shollman, Partizani e Crvena Zvezda të Stankoviç e Simonoviç, Sinudine, Skavolini, Banko Roma, Ruini, etj.

Jo vetëm sport, por edhe argëtim

Fryma moderne e ndryshimeve të viteve ’70-të, në mbarë Europën përfshiu edhe rininë shqiptare të asaj kohe. Frekuentimi i madh i Pallatit të Sportit ishte një ndër mënyrat për të përcjellë tek ai brez entuziazmin që vinte nga “Beatles-mania”, veshjet dhe këngët e Elvis Presly, që ishin bërë pjesë jetësore e djemve e vajzave pasionantë të viteve ’70-të. Vajtja dhe qëndrimi në Pallatin e Sportit nuk ishte vetëm një ndeshje apo të shihje nga afër kampionët e personazhet e njohur sportivë të kohës, por edhe një shfaqje e modernizimit social. Si vendi i takimit, i demonstrimit të pasioneve, modës, i njohjeve, veshjeve, dashurive të bujshme, etj., fundjava në Pallatin e Sportit ishte kthyer në një argëtim sistematik për kryeqytetasit, por jo vetëm. Pallati i Kongreseve, spektaklit dhe i transmetimeve të para në TVSH Edhe TVSH në të parat transmetime eksperimentale që ka realizuar, kanë qenë edhe ato sportive nga Pallati i Sportit “Partizani”. S. Këlliçi, V. Grillo, apo radiokronistët Vangjel Shundi, Ahmet Shqarri me intervista gjatë e në përfundim të takimeve janë disa nga zërat e që kanë informuar edhe drejtpërdrejtë nga parketi partizanas. Por, mjediset e tij janë shfrytëzuar edhe për manifestime politike, si ato me kinezë, kongreset e bujshme të Rinisë, Gruas, apo manifestime sportive e të miqësisë shqiptaro-kineze. Deri edhe në spektakle gjigante, si ato muzikore “4000 duartrokitje” një “show” i madh për vitet ’70-të me regji të Bujar Kapexhiut, etj.

Shkodër, kisha transformohet në pallat sporti

Me ndërtimin e Pallatit të Sportit “Partizani” dhe prishjes së parkut të lojërave me dorë “Studenti” tek ish-lodrat në krye të Rrugës së Elbasanit, Tiranës i mbetet parku “Konferenca e Pezës” i njohur si “Parku Xha Toni”, ku stërviten sportistët e klubit 17 Nëntori dhe zhvilloheshin disa aktivitete zyrtare. Dinamo në volejboll e basketboll për djem e vajza ka fushat mbrapa Kryeministrisë, ndërkohë që funksiononte edhe kompleksi te konviktet e studentëve, si dhe mjedisi ngjitur me palestrën e Universitetit, në të cilin kishte edhe fushë tenisi. Ishin vitet kur në disa qytete të vendit fillojnë ndërtimet e pallateve të sportit, por goditjen më të madhe e mori Shkodra sportive kur Kisha Katolike transformohet në Pallat Sporti. Deri në vitet 90-të, kur ajo u kthye sërish në institucion fetar, aty janë zhvilluar të gjitha aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare të lojërave me dorë, si dhe të tjera aktivitete sportive.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama” dhe “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura