SPECIALE/ 2021-shi drejt mbylljes, ja alfabeti i Milanit

Dec 31, 2021 | 11:16
SHPËRNDAJE

A – Si Jasin Adli. Blerja e parë e vitit 2022, pavarësisht zgjedhjet që do të bëhen për ta marrë menjëherë në ekip apo në verë siç parashikon akordi me Bordonë.

Serie A - Genoa v AC Milan

B – Si Brahim Diaz që me 10-ën mbi shpinë e nisi sezonin me gola e magji. Pasi kaloi COVID-in, spanjolli ka humbur disi rrugën, por te Milani e dinë çfarë xhevahiri kanë në organikë.

C – Si cikli që kanë nisur kuqezinjtë prej dy vitesh. Mungojnë trofetë, por jo rezultatet të cilat e mbajnë ekipin e Piolit prej më shumë se një viti në majat e Serisë A.

D – Si Donaruma. Portieri duket se është harruar, por largimin nuk ia kanë harruar. Vijon të mbetet “non grata” në Milanon e tifozëve kuqezi.

E – Si Europiani ku Itali ngadhënjeu në finale kundër Anglisë. Donaruma ishte përfaqësuesi i “Djallit” në qershor-korrik, teksa tani kampioni i vetëm kontinental në skuadër është Florenci.

F – Si Frenk Kesi. Afrikani mban pezull klubin duke mos rinovuar. Me apo pa të, Milani do të vijojë planin e vet të ringritjes.

G – Si Giroud (Zhiru). Maldini dhe drejtuesit e tjerë mendojnë se kanë një bomber që mund të japë diçka më shumë për kauzën kuqezi. Pas dëmtimit të radhës, është ai rreth të cilit ka më tepër pritshmëri.

H – Si Hernandez. Francezi do të bëhet baba dhe do të rinovojë. 2022-shi nis me ogurin që Teo do të shndërrohet në një tren ekspres.

I – Si Interi. Kushërinjtë po konfirmohen si rivali që duhet mundur për të arritur te një titull që “Djallit” i mungon prej një dekade. J – Si jeta normale së cilës iu rikthye Ivan Gazidhisit pas operacionit dhe kurave për një tumor në fyt.

K – Si kalendari që duke qenë asimetrik e vendos Ibrën me shokë përballë tri sfidave të mëdha gjatë janarit. Roma, Juve e Inter, një triptik që do të masë forcën e vërtetë të Milanit.

L – Si Liga e Kampioneve, turne të cilin kuqezinjtë e shijuan për dy muaj pas një mungese shtatë vjeçare.

M – Si Maldini. Legjenda po konfirmohet i tillë edhe në fushën e menaxhimit. Goditje me kosto të përmbajtur dhe plot cilësi kanë bërë që skuadra të kthehet në ritmet e dikurshme.

N – Si “ndjekja” ndaj Interit, të cilën Milani do të duhet ta përballojë me rezultate gjatë këtij viti të ri.

O – Si operacionet e merkatos, të cilat për kuqezinjtë kanë rezultuar tepër të frytshme përveç ndonjë përjashtimi si Bakajoko.

P – Si Pioli. Trajneri është si kapiteni që e udhëheq anijen gjithmonë në ujëra të sigurta. Nëse kuqezinjtë prej dy vitesh janë konkurrues, merita të jashtëzakonshme ka edhe tekniku 56-vjeçar.

R – Si Rafael Leao. Portugezi ka shpërthyer me driblime dhe vrapime me të cilat synon të “infektojë” skuadrën në ndjekje të kreut të renditjes.

S – Si Salmakers. Belgu është shndërruar në një nga liderët e rinj të Milanit dhe cilësia e tij po “detyron” kuqezinjtë që të mbajnë një sy hapur ndaj tregut belg të futbollistëve.

T – Si Tonali. Është ai vlera e shtuar e mesfushës së Milanit sivjet. 21-vjeçari uli rrogën për të lehtësuar kompletimin e transferimit të tij në skuadrën e zemrës.

U – Si “Uturima” e “San Siro”-s. Së shpejti stadiumi do të jetë i hapur me kapacitet të plotë dhe kuqezinjtë mbështeten shumë në shtysat e publikut të tyre në ndeshjet e shtëpisë.

V – Si vrulli, me të cilin kuqezinjtë synojnë të rinisin kampionatin për t’iu afruar sadopak Interit kryesues.

X – Si “xixat” që Milani shfaqi deri në fillim të nëntorit ku dëmtimet dhe rezultatet e dobëta zbehën shkëlqimin e ekipit. Pikërisht ato “xixa” janë një nga synimet e ekipit të Piolit gjatë vitit 2022.

Y – Si ylli i dytë në fanellë që Milani e ndjek prej kohësh. Mungojnë ende dy tituj, nga të cilët i pari do të kërkohet që në kampionatin aktual.

Z – Si Zlatan Ibrahimoviç. Autobiografia, filmi dhe gola. Suedezi është lideri shpirtëror i Milanit dhe i tillë do të jetë gjatë gjithë vitit 2022.

ZH – Si Zhunior Mesias. 30-vjeçari erdhi si një rezervë luksi, por në ato pak ndeshje ka treguar se mund t’i japë shumë klubit në mënyrë që në verë të vishet përfundimisht kuqezi. A mund të jetë ai Mesias i Milanit për vitin 2022?

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura