Spastrimi i bregdetit/ Voltana Ademi: Në Velipojë vetëm 4 subjekte me leje, të tjerët në proces. Situata lë vend për dyshime. Ndërhyrja e policisë është…

Jul 1, 2021 | 12:16
SHPËRNDAJE

Në ditën e dytë të fillimit të operacionit nga policia e shtetit për spastrimin e vijës bregdetare nga zaptimi i bizneseve, ka reaguar kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

Në një prononcim për mediat, ajo u fokusua në plazhin e Velipojës për të cilën tha se vetëm 4 subjekte janë pajisur me lejen e posaçme për stacionet e plazhit.

Sipas Ademit, pjesa tjetër e bizneseve janë në proces të marrjes së lejes ose kanë marrë një leje paraprake.

“Unë kam pasur një komunikim me drejtorinë e policisë vendore i kam informuar se situate është e paprecedente sepse kontrolli bëhet joefektiv kur në të gjithë plazhin e Velipojës janë vetëm 4 subjekte që kanë marrë leje për stacionet e plazhit. Ndërkohë shumë të tjerë, me dhjetra janë akoma në proces. Ministria nuk ka përfunduar ashtu siç do duhej ta kishte bërë për ndarjen e stacioneve të plazhit” – tha Ademi.

Përsa i përket praktikës së policisë për të hequr çadrat dhe shezlonget nga hapësirat që janë zaptuar, kryebashkiakja Ademi thotë se dëmton sezonin turistik.

Sipas saj, kjo situatë është krijuar nga vonesa e përcaktimit të lejeve për stacionet e plazhit, duke thënë se kjo lë vend për dyshime korrupsioni.

“Ka një mënyrë për të bërë operacionin pa përdorur presionin publik. E para që duhet të bëjmë, me një bashkëpunim të afërt me pushtetin vendor, të marrin informacionin që duhet. Ne dimë shumë mirë territorin, kush është në proces dhe kemi ato që kanë firmosur kontratën. Nga ana tjetër në çdo kontratë që vjen nga Ministria, ne bëjmë verifikimin në vend, dhe nëse konstatojmë mosmarrëveshje ne ja komunikojmë për drejtorinë e përgjithshme të policisë që ata të bëjnë ndërhyrje. Mendoj që ndërhyrja e policisë siç po e bëjnë, nuk është korrekte. Ne kemi bërë aksione të lirimit të plazheve por janë në proces të firmosjes së kontratave. Fakti që është kaq vonë lë vend për dyshime korruptimi dhe dëmton sezonin turistik. Ndërhyrjet e këtij lloji duhet të jenë të studiuara” – u përgjigj kryebashkiakja.

Për Voltana Ademin, menaxhimi i situatës nga pushteti vendor ka dhënë më shumë rezultate se sa menaxhimi në një nivel më të lartë. Duke e lidhur me ngjarjen tragjike në Velipojë ku mbetën të vrarë 4 persona, ajo tha se vjen pikërisht nga ky keqmenaxhim që po i bëhet.

“Ne kemi informacione informal që i kemi transferuar. Nga informacionet e djeshme, nuk është referuar asnjë ankesë e tillë. Duke pasur qëllimin e mirë por edhe merakun e madh që gjithçka të jetë e qetë në Velipojë, Bashkia e Shkodrës do të informojë në çdo rast të gjitha institucionet për çdo gjë që verifikon në territor. Çdo kontratë që ka nevojë për ndërhyrje në territor do bëjmë dhe ne tonën. Kur flasim si dhe sa ishte një shërbim, flasim për performancë, kështu matet puna. Nuk ka ndodhur që në korrik mos të kemi përfunduar ende ndarjen e stacioneve të plazhit. Ne zakonisht në korrik kemi vijuar me monitorimin e zbatimit të kontratave. Në 4 vite që është administruar në pushtetin vendor, nuk kemi pasur të shënuara ngjarje të tilla të rënda. Kjo përbën një akuzë dhe unë e nënvizoj. Fakti që ka mosmarrëveshje të tilla është një tregues i mirë që çdo gjë territoriale duhet të menaxhohet në nivelin territorial ashtu siç e përcakton ligji. Çdo përpjekje për marrjen e kompetencës, sjellë këto konflikte” – tha Ademi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura