Spartak Braho zbardh bisedën me Kryeministrin për simbolet e komunizmit dhe tregon miqësinë me Kristaq Ramën: Vetëm injorantet ngatërrojnë nderimin me grusht me…

Dec 23, 2020 | 15:58
SHPËRNDAJE

Deputeti socialist Spartak Braho, në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”, nuk ka lënë pas dore as debatin për simbolet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Duke risjellë biseda me Kryeministrin Rama, Braho flet për një nga monumentet që simbolizon formacionet partizane dhe betejat e tyre, siç është “Ylli Partizan” në Pishkash të Librazhdit. Për Brahon, nderimi me grusht nuk është një nderim komunist, por një nderim antifashist, për ata që ranë në emër të antifashizmit dhe luftës për çlirimin prej tij.

pjimage

Braho tregon dhe njohjen me “Artistin e Merituar” Kristaq Rama, babai i Kryeministrit Rama, të cilin deputeti socialist shprehet se e ka njohur në vitin 1986 gjatë kohës që ishte gjykatës.

PARTAK BRAHO

DIALOG ME EDI RAMËN

Dialog përballë një lapidari

S. B: – Si të duket ky lapidari “Ylli Partizan” në Pishkash, z. Kryeministër?

Edi Rama:- I bukur! Nuk është thjesht yll, është vepër monumentale arti.

S.B: – I kujt është ky monument, kush e ka ideuar? Mos është … i Kristaqit?

Edi Rama: – Jo, jo… është i skulptorit Perikli Çuli. Mesa shoh në fotografi qenka i mirëmbajtur.

S.B: – Po, me ndihmën e disa simpatizantëve të PS-së në Librazhd dhe Përrenjas si dhe me interesimin e Taulant Ballës, ai u riparua. Kristaqi ka dhënë ide dhe ka marrë pjesë në shumë vepra monumentale të luftës, sidomos në Durrës.

Edi Rama: – Po, po. Kristaqi ka disa monumente që i dedikohen luftës, por më kryesori është ‘Nëna Shqipëri’ te varrezat kombëtare të dëshmorëve dhe ai i ‘Rezistencës’ kundër pushtimit fashist në Durrës. Im atë, si skulptor ka pasur shumë afeksion dhe dëshirë të punojë për realizimin e veprave dhe lapidarëve dedikuar Luftës Antifashiste…

S.B:-Po foto ku unë kam dalë me nipërit e mi para monumentit si të duket? Mendoj që është një kujtim i bukur. S’besoj që nderimi që kemi bërë me grusht të ngjallë debat apo të konsiderohet si nderim i përdorur nga komunistët. Vetëm injorantët e ngatërrojnë me qëllim këtë lloj nderimi. Nderimi me grusht është nderim antifashist. Mesa di unë edhe këtë e kam dëgjuar nga Petro Marko, që ai është nderimi i antifashistëve dhe brigadave internacionaliste nga e gjithë bota që luftuan në Spanjë më 1936 kundër fashizmit dhe diktaturës së Frankos. Apo jo?

Edi Rama: – Mesa di edhe unë, ashtu është. Figurë interesante Petro Marko. Ti e ke njohur nga afër?

S.B: – Po, e kam njohur dhe i kam lexuar të tëra poezitë dhe romanet e tij. Djalin e tij Jamarbër Marko e kam pasur shok. Madje kemi mbaruar në një kohë Fakultetin e Gazetarisë. Nuk e di a të kam thënë që kam pasur miqësi me babanë tuaj, Kristaqin, në kohën që ka qenë deputet i qytetit të Durrësit. E donte Durrësin, durrsak dinjitoz, artist i madh e i talentuar, njeri për së mbari.

Edi Rama: – E di, ti u bëre sebep edhe për vendosjen e pllakës përkujtimore tek ish-shtëpia ku ka jetuar Kristaqi në Durrës.

S.B: – Kam kujtime nga bisedat dhe takimet me Kristaqin.

Edi Rama: – Ashtu? Mesa më kujtohet, emri yt ka qenë i përmendur në ambientet e shtëpisë sonë, por nuk e mbaj mend përse. Mos ndoshta për ngjarjet në stadiumin e Beogradit, ku ishte edhe Olsi me ty për ndeshjen e kombëtares tonë?

S.B: – Jo, jo. Kjo ngjarje është e vonshme, është e para tre vjetëve. Një tjetër ngjarje e viteve ’86 me lidh me Kristaqin. Në ato vite unë isha gjykatës në Durrës. Por, një herë tjetër do të flasim më gjatë për hollësira…

VIJON

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura