Spaleti përsëri me Santon, tërbohen interistët

May 3, 2018 | 10:08
SHPËRNDAJE

Hyrja e tij në minutat e fundit të Inter-Juventus shihet si shkaku i humbjes së zikaltërve, megjithatë Luçiano Spaleti vijon t’i besojë Davide Santonit. Në mungesë të Danilo D’Ambrozios (i skualifikuar), trajneri zikaltër po mendon të hedhë në fushë titullar pikërisht mbrojtësin që një javë më parë u shndërrua në shënjestër të interistëve pas gabimeve ndaj Juves.

spalletti_e_santon

Shqetësimi i tifozërisë përveç “urrejtjes” momentale ndaj lojtarit ka të bëjë edhe me pikëpyetjet lidhur me aktivizimin e Henrike Dalbert. I ardhur nga Nisa, braziliani për asnjë moment nuk i respektoi pritshmëritë italiane, duke përfunduar në një rezervë. Me sa duket ai nuk e ka fituar besimin e Spaletit as për ta aktivizuar në moment nevoje, ndaj trajneri duket se do t’i besojë përsëri Santonit. Përveç çështjeve tekniko-taktike, Dalbert është edhe disi i shpërqendruar në këtë periudhë për shkak se bashkëshortja pret një fëmijë, ndaj Spaleti ndoshta është edhe i “detyruar” t’i besojë pikërisht njeriut më të kritikuar të derbit të fundit të Italisë.

Kroati-

Një tjetër problem zikaltër është edhe ai i Ivan Perisiç. Lojtari nuk është stërvitur rregullisht për shkak të një problemi në aparatin tretës, të paktën ky është versioni zyrtar i ofruar nga klubi. Ndërkohë, burime brenda Interit flasin për një situatë të tendosur mes drejtuesve dhe kroatit, i cili në ndeshjen ndaj Juves refuzoi të linte fushën, çka solli largimin e Ikardit. Pas daljes së kapitenit situata u përmbys me skuadrën e Spaletit që brenda pak minutash e gjeti veten nga në avantazh, në disavantazh të një goli. Vendimtare për Perisiçin, do të jenë stërvitjet e ditëve të mbetura me Spaletin që edhe në këtë rast, do të duhet t’i besojë anësorit, sidomos për çështje të lidhura me renditjen. Në këtë moment ky Inter vijon ndjekjen e vendit të katërt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura