“SPAK t’i japë fund pandëshkueshmërisë”/ Sekretari i Përgjithshëm i PD: Llumi i tranzicionit me Ramën në krye, të shqetësuar nga vetingu në politikë

Oct 23, 2021 | 19:05
SHPËRNDAJE

gazmend bardhi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaron se mazhoranca është shqetësuar nga vetingu i politikanëve.

Me anë të një postimi në Facebook, ai i cilëson ata si “llumi i tranzicionit” me në krye Edi Ramën teksa shton se vettingun në politikë nuk mund ta bëjnë politikanët.

Bardhi shprehet se SPAK deri më tani bën sikur nuk sheh dhe dëgjon, ndaj me anë të propozimit të PD-së, atyre do u vendoset në dispozicion një mekanizëm i detyrueshëm kontrolli.

Postimi i Gazment Bardhit:

Llumi i tranzicionit, me Edi Ramën në krye, është shqetësuar shumë nga vettingu i politikanëve, i propozuar nga Partia Demokratike. Vettingun e politikanëve nuk mund të bëjë politika. Vettingun e politikanëve duhet ta bëjnë institucionet e pavarura.

SPAK është organ kushtetues, me mision dhe përgjegjësi kushtetutese, për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Ky mision i është besuar me konsensus, me 140 vota në Parlament. Pra, të drejtën për të kontrolluar politikanë e ka edhe sot, por thjesht fshihet dhe nuk vepron, për shkak se nuk ka një mekanizëm që ia bën të detyrueshëm kontrollin për të gjithë, pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim.

Deri më sot, SPAK është fshehur duke bërë sikur nuk sheh e dëgjon atë që shohin dhe dëgjojnë shumica dërrmuese e qytetarëve të ndershëm shqiptarë: pasurimin e paligjshëm të politikanëve në kurriz të interesit të qytetarëve dhe lidhjen e politikanëve me krimin e organizuar. Nëpërmjet propozimit të PD, SPAK-ut i hiqet çdo mundësi të bëjë sikur nuk sheh dhe dëgjon atë që shohin dhe dëgjojnë qytetarët. Duke i dhënë një mekanizëm të detyrueshëm kontrolli, që mund të shërbejë më pas edhe si një e dhënë për ndëshkimin penal të atyre që zbulohet se kanë kryer një vepër penale gjatë ushtrimit të funksionit publik, SPAK ka detyrimin ligjor që të veprojë ndaj kujtdo.

Të gjitha alibitë që përdoren sot për të kundërshtuar propozimin e PD janë përdorur këto 30 vite sa herë që propozohet një iniciativë për të luftuar korrupsionin, sa herë ndërmerret një reformë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Alibitë përdoren  vetëm për të siguruar një gjë: çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në radhët e zyrtarëve të lartë edhe për 30 vite të tjera. Kjo nuk është në përputhje me interesin e qytetarëve dhe pritshmërinë e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura