“SPAK të rihapë çështjen” – Gazment Bardhi zbulon emrin e kryebashkiakut që u kap duke blerë vota/ Tregon dy çështjet më me prioritet për Reformën Zgjedhore

| 12:08
SHPËRNDAJE

27MARIGLEN KUME/ Në një intervistë për gazetën “Panorama”, sekretari i përgjithshëm i selisë blu, Gazment Bardhi, deklaroi se Morina është filmuar duke blerë vota në favor të PS-së në vitin 2017, kur ai mbante detyrën e prefektit të Qarkut të Kukësit.

bardhi

“Bëhet fjalë për kandidatin apo kryetarin e emëruar në mënyrë ilegjitime në Has, i cili ka qenë në procedim penal sepse është kapur me video duke blerë vota. Dhe e dini se përse e ka mbyllur Prokuroria çështjen? Sepse thotë se nuk dëgjohet mirë zëri i personit në video. Pa kryer asnjë ekspertizë profesionale të videos, për të çuar në burg një njeri që ka një denoncim konkret nga një qytetar, të cilit i është ofruar 50 mijë lekë për çdo votë nga familja e tij.

Sot, ky individ, në vend që të ishte në burg, drejton në mënyrë të paligjshme Bashkinë e Hasit”, tha Bardhi. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i PD-së i bëri apel Prokurorisë Speciale Antikorrupsion që të rinisë hetimet për kryebashkiakun e Hasit, Liman Morina. “Është rasti për të apeluar SPAK, që jo vetëm të marrë në analizë këtë rast, por të rinisë hetimet për të çuar në përgjegjësi penale dhe prapa hekurave këtë person të kapur me zë dhe figurë me një denoncim konkret. Janë sekuestruar edhe paratë që i ka ofruar qytetarit dhe të bëjë një hetim të plotë për të çuar pas hekurave këtë zyrtar, që kur ka qenë prefekt blinte vota për llogari të Partisë Socialiste”, vijoi Bardhi.

Gjatë intervistës, numri dy i PD-së ka folur edhe për tryezën e Reformës Zgjedhore dhe përjashtimin nga takimi që zhvilloi ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, me përfaqësuesit e selive diplomatike të akredituara në vendin tonë, për t’i informuar në lidhje me dakordësinë e arritur mes palëve për Reformën Zgjedhore.

Z. Bardhi, disa ditë më parë Partia Demokratike dhe aleatët e saj pranuan të uleshin në një tryezë me maxhorancën për të gjetur instrumentin që çon përpara Reformën Zgjedhore. Si ka vijuar puna këto ditë? E ka mbaruar PD-ja draftin e saj dhe ia ka çuar Këshillit Politik?

Ishte qeveria ajo që pranoi mekanizmin e propozuar nga opozita që në tetor të vitit 2009. Pasi e zvarriti procesin, falë disa ndërhyrjeve të partnerëve ndërkombëtarë, Rama pranoi që procesin e Reformës Zgjedhore ta trajtojë në një tryezë ku garantohet barazia mes palëve jashtë Parlamentit ilegjitim. Pa dyshim që opozita që nga momenti kur realizimi i reformës u përcaktua si kusht nga Bundestagu për hapjen e negociatave për integrimin europian, u angazhuam me një grup ekspertësh për të bërë propozimet tona. Për shumë nga çështjet, ne kemi gati propozimet tona. Paraprakisht, sipas dakordësisë së arritur do të duhet të miratohet kalendari dhe në dijeninë time është në fazën e fundit për t’u miratuar kalendari i punës së Këshillit Politik dhe më pas opozita do të prezantojë të gjitha çështjet e veta.

Opozita, maxhoranca dhe ndërkombëtarët janë në një mendje sa i përket sistemit. Të gjithë keni artikuluar se edhe ky sistem mund të prodhojë zgjedhje me standarde nëse adresohen problemet e shitblerjes së votave dhe kriminalitetit. Pasi kemi lënë mënjanë sistemin, cila është çështja tjetër më me prioritet?

Prioritet janë ato çështje që deformojnë vullnetin e qytetarëve. Fjala vjen, shitblerja e votës. Po ashtu, edhe përfshirja e krimit të organizuar. Ky fenomen u provua edhe në votimet moniste të 30 qershorit, ku praktikisht Rama kandidonte me veten dhe përsëri provoi se kishte të angazhuar krimin e organizuar apo përfaqësuesit e tij. Fenomen tjetër është kërcënimi i punonjësve të administratës publike, apo mosndarja mes shtetit dhe partisë politike. Po ashtu, edhe përdorimi politik i Policisë së Shtetit. Janë këto çështje që kanë sjellë deformim të vullnetit.

Dekriminalizimi i zgjedhjeve ka qenë shqetësim i opozitës edhe më parë, por nuk ka ndodhur. Cili është çelësi që të zhbëjë këto probleme nëpërmjet këtij mekanizmi që keni nisur?

Së pari, dekriminalizimi ka si qëllim të mos lejojë që të kandidojë apo të kenë rol në vendimmarrje individë me të shkuar kriminale, sepse dëmtojnë në mënyrë thelbësore interesin publik dhe interesin e qytetarëve. Ne kemi nevojë që të ndëshkohen krimet elektorale në të shkuarën. Nuk ka asnjë rast, edhe pse janë provuar, edhe pse kanë dalë përgjime nga Prokuroria, sot nuk kemi asnjë person të dënuar për krime elektorale. Një zyrtar i PS-së, që në 2017-ën është kapur me video me zë dhe me figurë duke blerë vota, ka pasur një denoncim ndaj tij nga personi që i është tentuar t’i ofrohet para për të votuar Partinë Socialiste.

Në 2019 ky person promovohet dhe kandidohet për kryetar bashkie. Bëhet fjalë për kandidatin apo kryetarin e emëruar në mënyrë ilegjitime në Has, i cili ka qenë në procedim penal sepse është kapur me video duke blerë vota. Dhe e dini se përse e ka mbyllur Prokuroria çështjen?! Sepse thotë se nuk dëgjohet mirë zëri i personit në video. Pa kryer asnjë ekspertizë profesionale të videos për të çuar në burg një njeri, që ka një denoncim konkret nga një qytetar, të cilit i është ofruar 50 mijë lekë për çdo votë nga familja e tij. Sot, ky individ, në vend që të ishte në burg, drejton në mënyrë të paligjshme Bashkinë e Hasit. Për të shmangur këtë fenomen, ne kemi urgjente ndëshkimin e krimeve zgjedhore. Kjo nuk është vetëm kërkesë e jona dhe zbatim korrekt i ligjit, por është edhe një nga 9 kushtet për hapjen e negociatave.

Në këta 7 muajt e parë që nga 30 qershori, PD-ja ka denoncuar 5 kryebashkiakë që janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit. Do të jetë i radhës ai i Hasit dhe sa priten të tjerë?

Rasti i Hasit sigurisht mbetet një rast shqetësues, ku Prokuroria do të duhet t’u kishte shkuar deri në fund hetimeve dhe do të duhet të kishte dënuar asokohe prefektin e Kukësit, që në 30 qershor u emërua në mënyrë të paligjshme si kryetar i Bashkisë së Hasit, pikërisht për korrupsion zgjedhor. Është rasti për të apeluar SPAK, që jo vetëm të marrë në analizë këtë rast, por të rinisë hetimet për të çuar në përgjegjësi penale dhe prapa hekurave këtë person të kapur me zë dhe figurë me një denoncim konkret. Janë sekuestruar edhe paratë që i ka ofruar qytetarit dhe të bëjë një hetim të plotë për ta çuar pas hekurave këtë zyrtar, që kur ka qenë prefekt blinte vota për llogari të Partisë Socialiste. Mund të konfirmoj se kemi një numër të konsiderueshëm të kandidatëve të zgjedhjeve të 30 qershorit. Kemi në proces verifikimi të paktën 10 të tjerë.

Nga 5 kryebashkiakët e denoncuar deri më tani, vetëm dy prej tyre nuk e ushtrojnë më funksionin. Keni dijeni se çfarë po ndodh me tre të tjerët?

Ka një strategji të qartë të qeverisë për të mbajtur në detyrë aq sa të mundet individët, që nuk do të duhet të ishin aty dhe pa diskutim ka një mungesë vullneti nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për të përshpejtuar procedurat e verifikimit për secilin prej rasteve që PD-ja ka çuar pranë Prokurorisë. PD s’ka përgjegjësi për të hetuar çdo rast. Duhet të ishte Prokuroria ta bënte një gjë të tillë dhe të ndalonte kandidimin e tyre. Apeli im është që të mbyllë një orë e më parë procesin e verifikimit dhe të nisë procedurat për ndjekje penale ndaj këtyre zyrtarëve, që kanë falsifikuar formularët e dekriminalizimit.

Z. Bardhi, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, ka organizuar një tryezë me dy bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, z. Gjiknuri dhe znj. Hajdari, ku kanë informuar selitë diplomatike të akredituara në Tiranë në lidhje me dialogun për Reformën Zgjedhore. Ka qenë e ftuar opozita në këtë tryezë?

Në dijeninë time, opozita nuk ka qenë e ftuar në tryezën e organizuar nga ambasadori i OSBE-së, për të informuar pjesën tjetër të ambasadorëve se çfarë po ndodh me reformën.

A duhet të ishte opozita? Jeni i zhgënjyer që nuk jeni ftuar?

Është një pyetje që duhet t’i bëhet ambasadorit të OSBE-së dhe duhet të japë ai opsionet e veta, se përse ka zgjedhur një format të tillë të takimeve për procesin e Reformës Zgjedhore. Pa diskutim që ne kemi në këtë proces mbështetjen e OSBE/ ODIHR-it. Pastaj, nëse ambasadori organizon një tryezë ku vendos të mos ftojë opozitën, do të duhet të pyetet për arsyet që kanë diktuar një vlerësim të tillë. Unë as nuk zhgënjehem, as nuk surprizohem nga veprimi i asnjë ambasadori. Secili prej tyre është i lirë të marrë vendimet që i gjykon si më të arsyeshme. E rëndësishme është që askush të mos dëmtojë procesin konsensual dhe gjithëpërfshirës të realizimit të Reformës Zgjedhore. Dialogu ka qenë kryefjala e ndërkombëtarëve, opozita e hodhi hapin për të propozuar një mekanizëm gjithëpërfshirës dhe kjo formulë nuk do të duhet të dëmtohet nga askush.

Këshilli Politik ka lënë si afat të fundit për të mbyllur Reformën Zgjedhore datën 15 mars. Mendoni se do ta arrini?

Nëse do të jetë vetëm në dorën e opozitës, për ne procesi do të përfundojë që më 15 shkurt. Ka pasur dhe vijon të ketë një tendencë nga pala tjetër për të zvarritur Reformën Zgjedhore. Nëse maxhoranca dhe qeveria vijon të zvarrisë këtë proces për ta çuar përtej afatit të caktuar, do të demaskohet në mënyrë të pakundërshtueshme përballë opinionit publik dhe ndërkombëtarëve. Kemi thënë edhe në të kaluarën që ka të dhëna dhe indicie të plota, se interesi i qeverisë është që të bllokojë procesin e integrimit për shkak edhe të mekanizmave kontrollues që hynë në lojë pas çeljes së negociatave.

Pas tryezës për Reformën Zgjedhore keni nisur një tur takimesh me strukturat. Në këto takime keni përmendur Reformën Territoriale, që sipas jush është e dështuar dhe e keni prioritet për ta ndryshuar. Do kërkoni ta bëni pjesë të kësaj tryeze këtë problem?

Kjo do të varet nga kalendari i punës që do të ketë Këshilli Politik. Ajo që unë mund të konfirmoj është që harta territoriale u konceptua jo si një hartë administrative, por si një hartë politike. Dhe ato probleme po i hasin sot qytetarët shqiptarë. Ka zona të tëra në Shqipëri, ku qytetarët nuk marrin asnjë shërbim nga qeverisja lokale. Kjo tregon që Reforma Territoriale e miratuar nga PS-ja në mënyrë të njëanshme për qëllimet politike, ka dëmtuar interesin publik. Angazhimi ynë është që Reforma Territoriale të mbetet një nga tri prioritetet e PD-së.

 

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.