SPAK e Policia e Shtetit, grup hetimor për kapjen e Amant Josifit. Emri i këshilltarit të Ministrisë së Mbrojtjes u zbulua që në vitin 2020. Autoritetet nuk e hetuan

Dec 5, 2022 | 13:34
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Historia e mashtrimit me anë të call center-ave, në qendër të së cilës tashmë gjendet edhe Shqipëria me një protagonist mjaft të njohur, nuk është e re për hetimin ndërkombëtar.

amant-josifi-bitcoin-e1669966862612

Madje, as për mediat ndërkombëtare. Është një nga historitë më të bujshme që një media suedeze publikoi duke pajisur me një kamera të fshehtë një operator që punonte në një nga dy qendrat më të mëdha të “Milton Grup” në Kiev.

Nga aty ka nisur edhe hetimi ndërkombëtar. Djali me emrin Yuri nuk e pranoi të mashtronte e për pasojë ai mundi t’i mësonte pjesës tjetër të botës së në anën veriore të Kievit gjendeshin qendra të mëdha mashtrimi me anë të thirrjeve telefonike.

Shkrimet në mediat më të mëdha ndërkombëtare bënë bujë për më shumë se një vit që lidheshin jo vetëm me shumën e personave të mashtruar, shumat e përfituara nga pronarët, të cilët thuhej dhe thuhet se kanë lidhje të fuqishme politike në disa shtete, por edhe me emra konkretë politikanësh në vendet e varfra.

E ndërkohë që autoritetet hetimore ukrainase heshtën në momentin e publikimit të të dhënave në lidhje me kompanitë e mëdha të mashtrimit me anë të thirrjeve telefonike dhe rrjeteve të komunikimit social, ishin prokuroritë e tri shteteve të tjera të cilat morën përsipër të ndërhyjnë për të verifikuar se çfarë po ndodh jo vetëm me shtetasit e tyre por edhe me mekanizmin e ndërtuar nga ku gllabëroheshin miliona euro, ndërkohë qytetarë nga vende të ndryshme të Perëndimit aq borxh hynin te mashtruesit telefonikë sa shumë shkuan në Gjykatë dhe kallëzuan se kishin shitur edhe shtëpitë e tyre për të paguar borxhin te këto kompani.

Me anë të hetimeve dhe verifikimeve të shumta nga një skuadër ekspertësh ndërkombëtarë, doli që e përfshirë ishte edhe Shqipëria, ndërkohë që emri i Amant Josifit u lakua disa herë që në vitin 2020, por për shkak të lidhjeve të fuqishme politike dhe pozicionit të tij në nivele të larta qeverisëse bëri që ai jo vetëm të mos hetohej nga drejtësia e re, po madje edhe të mos përfshihej ndonjëherë në ndonjë tentativë arrestimi, derisa para një muaji, në vendin tonë, vijnë vetë spanjollët dhe kërkojnë të arrestohet ai dhe bashkëpunëtorët e tij.

GRUP I GJERË HETIMOR

Më në fund, Policia e Shtetit ka pranuar të flasë në terma të përgjithshëm për urdhërarrestin e ardhur nga Spanja për atë që konsiderohet si njeriu me lidhje të fuqishme me qeverinë.

Kryepolici i vendit pranoi dhe njoftoi se Policia e Shtetit bashkë me Strukturën e Posaçme hetimore kanë ngritur një grup të përbashkët për të hetuar dhe verifikuar të gjithë procedurën, me gjasë të diktuar nga ana e spanjollëve dhe e grupeve të hetimit ndërkombëtar që po merren me hetimin e mashtrimit me vlerën prej 2.4 miliardë Eurove.

Ndonëse ende nuk dihet nëse dy prej katër personave të arrestuar për llogari të atij operacioni të kryer një muaj më parë në Tiranë, Vlorë dhe Elbasan, të jenë ekstraduar në drejtim të Spanjës, bëhet me dije se në fakt hetimet do të vijojnë në një plan edhe më të gjerë.

Amant Josifi i riu me karrierë të pasur jo vetëm akademike, po edhe politike tashmë, dyshohet se është larguar në drejtim të Dubait, vendit që në fakt i mundëson edhe përjashtimin e ndonjë ekstradimi në drejtim të vendeve të përfshira jo vetëm në operacion, por madje edhe në mashtrim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura