SPAK dhe hapja e negociatave të Shqipërisë për në BE

Oct 23, 2021 | 8:36
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

PËLLUMB NAKO

Në një mënyrë ose në tjetrën duket qartë se dy kolonat kryesore ku vendi ynë çalon në hapjen e negociatave, janë goditja më intensive e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me fjalë të tjera kërkohet efikasitet maksimal i institucionit të krijuar apostafat për këtë problem, SPAK. Gjë kjo që dëshmon njëkohësisht sesa e gatshme është klasa politike e vendit tonë të ndahet nga bota e ndotur e të dy fenomeneve. Pozat delikate të liderëve tanë që flasin për përpjekjet kolosale kundër kurrupsionit dhe sidomos kundër krimit të organizuar më së shumti do të mbeten shfaqje teatrale nëse SPAK nuk do të ngrinte stekën e hetimeve. Mesazhi perëndimor duket i qartë se nëse arrihet ndërtimi i një institucioni, i cili është realisht i pavarur, i lirë për të goditur dy fenomenet e mësipërme gangrenë të vendit, mangësitë e tjera që mund të vërehen në vendi, ngelen të papërfillshme dhe hapja e negociatave do të jetë një realitet.

Përveç ndihmës monetare, mbështetjes për SPAK, presioni politik euro-amerikan mbi klasën politike të vendit po bëhet gjithmonë e më i pranishëm. Me ngulm kërkohet efikasiteti i këtij institucioni. Pikërisht kjo këmbëngulje ka filluar që kohët e fundit të krijojë “bezdi” dhe për rrjedhim të kontestohet. Nëse ka analistë të shumtë që u referohen në mënyrë kritike presioneve të administratës amerikane si të tepruara, pa vend dhe në dëm të sovranitetit të vendit, klasa politike që qeveris vendin preferon më shumë të sulmojë Europën, e cila nuk është ende gati të presë hapjen e negociatave të një vendi si Shqipëria që i ka përmbushur detyrat.

A është i shëndetshëm për vendin ky qëndrim si për administratën amerikane dhe për Këshillin Europian? Jo! Aspak!

Qëndrime të tilla të fuqive të mëdha ndaj vendit tonë kanë qenë thuajse të njëjta edhe për vende të tjera, shumë më të mëdhenj dhe më të zhvilluar se ky i yni. Politika e imponimit ndjekur karshi tyre, ka qenë ekzaktësisht e njëjtë me atë që po ndodh në vendin tonë me institucione shumë më të dobëta se vendet e cituar më sipër.

Shembulli më tipik mbetet Italia e madhe fqinje, por disa dekada më parë. Rënia e Murit të Berlinit bëri që vendet e fuqishme demokratike të ridimensionojnë objektivat e tyre strategjikë, që nuk do të kishin të bënin më me luftën kundër komunizmit. Liderët europianë kishin filluar tashmë të materializonin projektet e tyre për Europën e ardhshme. Rreth tre vite pas rënies së Murit të Berlinit, në vitin 1992, do të nënshkruhej Traktati i Maastrihtit, i cili do të përbënte themelin e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave në vendet e Europës, pra, rënia e kufijve, Shengeni i ardhshëm.

Në kushtet e një Europe që po rrëzonte kufijtë, Kancelari gjerman i asaj kohe, Helmut Kohl, iu drejtua disa herë publikisht autoriteteve publike të shtetit italian se hyrja e Italisë në Bashkimin Europian do të varej shumë nëse do të ndërmerreshin normativa të rrepta ligjore antimafie. Norma ligjore këto, për të parandaluar rrezikun nga fluksi i kapitaleve mafioze në kryeqytetet europiane, pas rrëzimit të kufijve shtetërorë.

Disa dekada më vonë kuptohet i njëjtë edhe hezitimi i Holandës ndaj hyrjes së vendit tonë në BE, nisur nga rritja e kriminalitetit shqiptar në këtë vend.

Ish-ministri italian i Drejtësisë së asaj kohe, Klaudio Martinelli, në një debat parlamentar lidhur me krimin e organizuar dhe organizatat mafioze, deklaroi se i është sugjeruar disa herë nga qeveria amerikane për të hartuar dhe miratuar një ligj që mundëson nxitjen e fenomenit të “bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, që sipas eksperiencës amerikane kishte rezultuar vendimtar në luftën kundër kriminalitetit.

Duket qartë që ekzaktësisht është e njëjta gjë që i është kërkuar edhe vendit tonë në këto vite të fundit.

Por ajo që duhet nënvizuar në këtë krahasim, mbetet fakti se nëse Muri i Berlinit u rrëzua në vitin 1989 dhe Traktati i Maastrihtit u nënshkrua në shtator të vitit 1992, në periudhën ndërmjetëse, të kushtëzuar nga Kancelari gjerman, institucionet italiane të drejtësisë goditën fort mafien, që në fillim, megjithëse në radhët e tyre nuk ishte bërë veting dhe kishte të shumtë nga ata që bashkëpunonin me Cosa Nostra.

Më 30 janar 1992, Gjykata e Lartë e shtetit Italian dha vendimin përfundimtar për maksiprocesin e Palermos të filluar më 1986, duke mbajtur në fuqi vendimet e shkallëve të tjera që dënonin me burgime të rënda 476 shefa të Cosa Nostra. Pra, tetë muaj para nënshkrimit të traktatit të Maastrihtit.

Jo më kot, pas vendimit të Gjykatës së Lartë filloi dhe hakmarrja e Cosa Nostres ndaj gjyqtarëve hetues, Falkone dhe Borselino. Të dy ekzekutuar prej saj po gjatë vitit 1992. Përse? Sepse shefat e Cosa Nostra pritën vendimin e Gjykatës së Lartë për të nisur nga ekzekutimet ngaqë ishin mbajtur me ujë të ngrohtë nga disa politikanë me premtimin se do të ndërhynin për t’u hequr dënimin. Njeri prej tyre, Salvo Lima, u ekzekutua për “tradhti” tre muaj pas vendimit të Gjykatës së Lartë Italiane.

E gjitha kjo tregon në mënyrë konkrete fillimin e ndarjes së klasës politike italiane nga mafia, pikërisht para nënshkrimit të Traktatit të Maastrihtit.

Po SPAK? Deri më sot kemi arrestime grupesh të strukturuara kriminale që sipas Kodit Penal janë pjesa me nivelin me primitiv të organizimit. Kemi deri më sot ndonjë organizatë kriminale të dënuar? Dikush me të drejtë mund të pyesë: Po nëse nuk ka organizata kriminale, si do të dënohen ato? Të shpiken?

Dihet që një organizatë kriminale, përveç specifikave të organizimit krahasuar me grupet kriminale të strukturuara, ka për karakteristikë mbylljen brenda saj të të gjithë ciklit kriminal. Kjo do të thotë që në rastin e trafikut, p.sh., të kokainës, organizata të jetë në gjendje të gjejë vetë tregun e blerjes së drogës, të sigurojë transportin, të garantojë bazat për rafinimin, të vazhdojë me shpërndarjen e saj dhe në fund të mundësojë pastrimin e parave të fituara. Ato të fuqishme arrijnë të futen edhe në tregun ndërkombëtar financiar.

Deri më sot, në vendin tonë, organet tona kanë të hetuar dhe kanë dënuar persona që kanë porositur dhe kanë sjellë drogën në vendin tonë, të tjerë që kanë ngritur laboratorë rafinimi si Xibraka, të tjerë akoma që janë kapur në kufi duke trafikuar apo brenda vendit duke shpërndarë. Po ashtu, kemi edhe kriminelë të cilëve u është sekuestruar pasuria. Pra, organet tona kanë hetuar dhe dënuar një numër personash që kanë për aktivitet, secili më vete, gjithë hallkat përbërëse të aktivitetit të një organizate kriminale, por që nuk janë pjesë të së njëjtës organizatë. Këtu nuk mjaftojnë vetëm operacionet e përbashkëta me kolegët e huaj.

Kjo është edhe arsyeja se përse SPAK në njëfarë mënyrë ka në dorë çelësat e hapjes së negociatave të vendit tonë me BE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura