S’paguan qiratë, ja çfarë ndodh me përfituesit e banesave sociale

Nov 4, 2018 | 10:01
SHPËRNDAJE

Ata që kanë përfituar afro 400 apartamentet në Shkozë nuk janë treguar korrektë me pagesat.

auto_banesatsociale1487020699

Këtë e ka pranuar edhe Bashkia, e cila, për të mos marrë një vendim arbitrar, ka zgjedhur një rrugë të mesme. Ajo i fton të hartojnë një kontratë të re, më saktë ta rinovojnë atë që është në fuqi, duke shlyer me këste, përpos pagesës mujore edhe shumën e të prapambeturave.

Në thirrjen e radhës, ajo i fton përfituesit të bëjnë gati listën e dokumenteve dhe ta dorëzojnë brenda një muaji.

“Afati kohor i dorëzimit të dokumentacionit është 30 ditor, nga data 05.11.2018-05.12.2018. Dorëzimi i dokumentacionit do të bëhet pranë Sektorit të Administrimit të Banesave Sociale, Shkozë”, citohet në njoftimin e saj.

Në listën me 18 dokumente kërkohet: certifikata e lindjes dhe ajo familjare e aplikantit; vërtetimi i vendbanimit; vërtetimi i të ardhurave neto të familjes; dokumentacioni përkatës nga punëdhënësi i aplikantit dhe të personave të tjerë të familjes që janë në punë; dokumentin nga organet tatimore dhe sigurimet shoqërore për derdhjen e kontributeve; vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike; vërtetim nga zyra e punësimit për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë; vërtetim nga sigurimet shoqërore për personat në pension; vërtetim nga ZRPP për mosdisponimin e një pronësie, qoftë të aplikantit apo anëtarëve të familjes; dokumentin zyrtar të celebrimit për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja si dhe të tjera dokumente për raste specifike.

Vendimi për një aktmarrëveshje të re midis bashkisë e përfituesve të këtij programi strehimi është marrë që në muajin shtator nga Këshilli Bashkiak.

Në relacionin shoqërues pranohet se pas shpërndarjes së banesave sociale me qira janë hasur problematika të ndryshme si: ndryshimi i gjendjes social-ekonomike, pamundësi pagese, ambiente jo të aksesueshme, strukturë jo e përshtatshme e apartamentit e të tjera, të cilat nuk kanë marrë ende zgjidhje.

Nisur nga kjo situatë, Bashkia ka miratuar draftkontratën e qirasë së re, aktmarrëveshjen e re për përfituesit debitorë, me qëllim shlyerjen e tij me këste. Për këtë procedurë do të jetë përgjegjës një grup i posaçëm që do të shqyrtojë, vlerësojë dokumentacionin e aplikuesve, aktualisht banues në apartamentet sociale në Shkozë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura